Angelina Jolie bëhet redaktorja e re e revistës “Time”

483
Sigal

Angelina Jolie mund të shtojë një tjetër punë në rezymenë e saj, atë si “redaktore kontribuese e revistës TIME”.

Revista “Time” njoftoi të mërkurën se aktorja dhe filantropistja 43-vjeçare do të shkruajë një artikull çdo muaj, duke u fokusuar kryesisht në zhvendosjet, konfliktin dhe të drejtat e njeriut.

Puna e saj do të publikohet në të gjitha platformat e revistës.

Ese e parë e Jolie me titull “Angelina Jolie: Çfarë u kemi borxh refugjatëve”, u publikua të mërkurën në faqen e revistës në internet, në nder të Ditës Botërore të Refugjatëve. Kjo ese do të publikohet edhe në versionin print, në numrin e 1 korrikut.

“Të gjithë meritojnë dinjitet dhe trajtim të drejtë, por duhet të jemi të qartë për dallimin”, shkruan Jolie në ese.

“Sipas ligjit ndërkombëtar nuk është opsion ndihma për refugjatët, është një detyrim. Është krejtësisht e mundur të sigurohet një kontroll i fortë i kufijve dhe politika të drejta dhe humane të emigracionit, duke përmbushur përgjegjësinë tonë për të ndihmuar refugjatët “, vijon ajo.

Edward Felsenthal, kryeredaktori dhe CEO i “Time”, tha se shkrimi i Jolie do të nxjerrë në pah tetëmbëdhjetë vjetët që ajo ka punuar me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

Në vitin 2001, Jolie u bë ambasadore e vullnetit të mirë për Kombet e Bashkuara dhe në 2010, ajo u bë dhe e dërguar e posaçme për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Ajo ka kryer mbi 60 misione në terren për refugjatët, duke përfshirë ato në Kolumbi, Peru dhe Bangladesh.