A e shkatërroi suksesi ndërkombëtar karrierën e Era Istrefit?

614
Sigal

Gjashtë vite më parë, Era Istrefi debutoi në tregun muzikor vendas me “Mani për Money”, që e renditi menjëherë këngëtarën në radhën e artisteve më të njohura asokohe dhe jo vetëm nga fakti që ishte motra e vogël e Nora Istrefit por sigurisht për shkak të stilit ndryshe në të kënduar, që luante me ritmet pop dhe reggae, ku kjo e fundit nuk ishte fort e përhapur në muzikën shqiptare.

E thënë gjithë kjo për të theksuar faktin se brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, nga 2013-2015, Era Istrefi ishte padyshim një ndër më të preferuarat. Këngët e saj si “A po don”, “E dehun” (feat Mixey), “13”, “Njo si ti”, “Shumë pis” (feat Ledri Vula) dëgjohen edhe sot po njësoj si atëherë.

Megjithatë ishte “Bonbon” që i dha Erës suksesin ndërkombëtar. Ndryshe nga emra si Rita Ora, që u bë e famshme me “Hot Right Now” apo Dua Lipa që magjepsi producentët e Lana del Ray-t me ”Be the One”, Era u kthye në fenomen për shkak se arriti suksesin jashtë kufijve me producentë shqiptarë dhe me tekst krejt shqip. Sot, “Bonbon” është kënga shqiptare më e dëgjuar në botë me më shumë se 677 milionë klikime vetëm në YouTube.

Asokohe, videoja e Erës teksa këndonte këngën hit qarkulloi kudo dhe të shumtë qenë njerëzit që e cilësuan këngëtaren si “vajzën e Rihanna-s dhe Sia-s”. Si rrjedhojë, “Bonbon” ra në veshët e “Ultra Music”, që mori në menaxhim Erën, e cila nuk e rinovoi më kontratën me ish-menaxherin Faton Shoshin dhe kompaninë “Nesër Music”, që e menaxhonte asokohe.

Pas “Bonbon”, Era solli “Redrum” (feat Felix Snow), “No I Love Yous” (feat French Montana), “Origami” (feat Maphorisa), “Prisoner”, “Oh God” (feat Konshens). Ndonëse bashkëpunime me erma të njohur, asnjë këngë nuk e zbehu suksesin e Bonbonit. Vlen për t’u përmendur se pjesëmarrja në Kupën e Botës nga FIFA, ku ajo këndoi këngën zyrtare me Will Smith dhe Nicky Jam, ishte një ngjarje e madhe në karrierën e këngëtares, e cila renditi atë krahas yjeve si Ricky Martin, Anastacia, Shakira, Jennifer Lopez, Jason Derulo etj. Megjithatë sërish duket sikur njerëzit janë të zhgënjyer, por nuk bëjnë me faj aspak Erën.

Bazuar në komentet në Instagramin dhe kanalin e YouTube-it të Ultra Music, njerëzit bëjnë me faj kompaninë muzikore. Sipas tyre, Ultra Music nuk po i jep Erës se çfarë meriton.  “Shkatërruat famën e saj, turp. Ajo meriton më shumë.” shkruan dikush në Instagram. Të tjerë vënë në dukje se kompania “vrau origjinalitetin e Erës”. “Bota e dashuroi për origjinalitetin e saj; promovojeni siç duhet, ose lerëni të lirë të bëj atë që di të bëjë më mirë”.

Përpos koncerteve dhe këngëve sporadoike, Era prej kohësh nuk është aktive në muzikë sa më parë. Ka zëra se do të ketë vitit tjetër një tur debutues ndërkombëtar, por nuk dihet ende me saktësi se ç’do të ndodhë. Burimi: Anabel