Disa personazhe të njohur në publik, thjesht nuk e kanë në plan të bëhen të famshëm, ndërsa të tjerë e kërkojnë me patjetër famën.

Nëse ju ende mendoni se të qenit në qendër të vëmendjes është ëndrra e çdo personi që shihni në televizion, këtu janë disa personazhe që do t’ju provojnë të kundërtën.

Më poshtë do të njiheni me disa të famshëm shqiptarë që hoqën nga jeta si “VIP” për një jetë normale.

Ornela Bregu

Ajo ka qenë një ndër figurat më të dashura të ekranit shqiptar, por Ornela Bregu prej gati një viti është vendosur në Spanjë së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj. Ish-moderatorja e disa programeve televizive në “Top Channel”, u komentua se ishte vetëm për pushime në Spanjë, por shumë shpejt u kuptua se do të rrinte më gjatë. Arsyeja e këtij largimi lidhej me fëmijët e saj, të cilët nisën studimet në Spanjë.

Floriana Garo

Floriana Garo ka vetëm pak muaj që ka sjellë në jetë fëmijën e saj të parë, të cilën e pagëzoi me emrin Adia dhe u largua nga ekrani për t’u bashkuar me bashkëshortin e saj në Gjenevë. Pas largimit të gjithë nisëm të pyesim nëse do ta shohim më në ekran ish-miss Shqipërinë. Në një intervistë për emisionin”Pop Culture”, Floriana bëri të ditur se nuk ka plane të afërta për tu rikthyer në botën e televizionit, por që gjithmonë mbetet një opsion i hapur.

Gerta Heta

Ka qenë një ndër figurat e njohura të ‘Top Albania Radio’ dhe ‘Top Select’, por tashmë ish-moderatorja dhe këngëtarja Gerta Heta, nuk është më pjesë e ekranit. Sot, Gerta punon në prapaskenë. Ajo është drejtore e përgjithshme e “Kiss Fm” dhe bën zërat e reklamave të një kompanie të njohur telefonike në Shqipëri.

 

Ledina Çelo

Nuk ka ditë që të mos dëgjojmë dhe shohim një foto të mamit seksi Ledina Çelo. Ajo na përditëson me të rejat nga shtëpia e saj dhe fëmijët e mrekullueshëm. Por Ledina Çelo është larguar nga muzika dhe ekrani. Herën e fundit që e pamë në skenë ishte kur prezantoi spektaklin që u mbajt në nder të 50-vjetorit të karrierës së Sabri Fejzullahut. Aktualisht Ledina merret me bizneset e bashkëshortit në Gjermani. Megjithatë ajo nuk ka hequr dorë përfundimisht nga muzika:

“Ndihem unë vërtetë në mikrofon. Kur jam në një klub nate ku këndohet “live” dua të kap mikrofonin. Tani këndoj për fëmijët dhe performoj për bashkëshortin”, është shprehur në një intervistë.

Eralda Hitaj

Ish-moderatorja bukuroshe e ‘Top Channel’, gjithashtu përfaqësuesja e Shqipërisë në Miss Universe, prej disa vitesh është bërë nënë dhe është zhvendosur në Gjermani së bashku me bashkëshortin, ku punon në një qendër sociale për familjet dhe fëmijët në nevojë, ku ajo kujdeset për programine artit dhe kulturës.

 

Shpëtim Saraci Dhe Mira Konçi

Ndonjëherë disa gjëra bëhen për hir të fëmijëve! Kompozitori ynë i njohur Shpëtim Saraçi dhe këngëtarja Mira Konçi vendosën para disa muajsh të largohen drejt SHBA-së, për të nisur një jetë të re. Ky largim erdhi menjëherë pasi Shpëtim Saraçi u hoq nga puna pranë TVSH-së. Ishte vetë kompozitori Saraçi ai që e dha lajmin e largimit, duke u shprehur i zhgënjyer nga Shqipëria.

Joana Smakaj

Mjaftoi një këngë që ajo të tërhiqte vëmendjen e të gjithëve. Bjondina bukuroshe e ekranit shqiptar Joana Smakaj, që u bë e njohur me këngën ‘Zemrën ndeze’ na ka munguar.  Ajo i është përkushtuar rritjes së dy fëmijëve dhe vetëm një vit më parë ka fituar provimin e noterisë.

Arbër Arapi Dhe Marsida Saraçi

Pasi u njohën në spektaklin “Ethet e së Premtes mbrëma”, Arbër Arapi dhe Marsida Saraçi janë martuar bashkë dhe janë bërë prindër të një vogëlushi. Ata janë tërhequr nga ekrani dhe nuk dimë nëse e kanë në plan rikthimin.

Anjeza Shahini

Suksesi me pjesëmarrjen në Festivalin Europian të Këngës nuk e shtyu Anjeza Shahinin që të vijonte karrierën e saj në muzikë. Anjeza jeton në Londër pas martesës me anglezin Paul Edward Conoly.

Zana Krasniqi

Një nga modelet që bëri jehonë në vendin tonë dhe jo vetëm, Zana Krasniqi, do të mbahet mend gjithmonë për bukurinë e saj. Modelja e cila shpesh është krahasuar me aktoren Angeline Jolie, ka vite që është larguar nga syri i publikut. Pas martesës, duket se bukuroshja shqiptare i është përkushtuar tërësisht familjes dhe ka hequr dorë nga karriera prej modeleje. Aktualisht Zana është shtatzënë me fëmijën e tretë.