Rosela Gjylbegu është një nga këngëtaret më të mira në Shqipëri. Ka nisur të këndojë që e vogël në konkurset që zhvilloheshin në vendlindjen e saj, Shkodër. Në vitin 2003 arriti të fitojë çmimin e tretë në “Ethet e së premtes mbrëma”, ku ra në sy menjëherë dhe fitoi dashurinë e publikut. Pas pjesëmarrjes në programin në fjalë, Rosela ka marrë pjesë në shumë festivale në Shqipëri. Është vlerësuar me shumë çmime dhe ka kënduar në zhanre të ndryshëm muzikorë.

Aftësitë vokale të saj janë të padiskutueshme, jo më kot publiku e ndjek gjithmonë në performancat live. Prej kohësh Rosela nuk ka publikuar projekte të reja muzikore, por është gjithsesi e pranishme nëpër koncerte dhe mbrëmje me muzikë live. Në një rrëfim  këngëtarja e njohur ka zbuluar 10 gjëra që nuk i dimë ende për të.

Kam fituar vendin e parë në një konkurs baleti me tim vëlla kur isha vetëm 9 vjeç. Atëherë kërcenim lëvizjet e Michael Jackson me një nga këngët e tij. Që prej asaj kohe fillova të ëndërroja se një ditë ndoshta do bëhesha vërtetë e njohur.

Kur merrja pjesë në festival e RTSh-së në 2006 tek po ecja për të dalë në skenë më doli këpuca nga këmba dhe nuk hynte më. Unë isha në mes të skenës, prandaj e mbaj mend si një moment shumë të sikletshëm.

Ushqimi im i preferuar është gjithçka që ka përbërje brumi.

Para se të fle gjumë gjithmonë hap telefonin bëj një ‘scroll’ ose lexoj ndonjë gjë sa për të lodhur sytë.

Jam e detyruar t’i përshtatem disa situatave në të cilat nuk do doja të ndodhesha, por ja që janë të paevitueshme.

Nuk jetoj dot pa familjen dhe miqtë e ngushtë. Janë gjithçka për mua.

Frika ime e madhe është vetmia.

Eksperienca më emocionuese në jetë deri tani kanë qenë ‘Ethet e së premtes mbrëma’. Nga aty jeta ime ndryshoi për mirë.

Jam shumë e drejtpërdrejtë, nganjëherë e nxituar, ekspresive, më shumë emocionale seç duhet. Nuk jam perfekte, por mundohem të jem një njeri i drejtë. Di të kërkoj dhe falje dhe përpiqem maksimalisht t’i rregulloj të metat e mia.

Mbaj gjithmonë me vete një lutje të Nënë Terezës të plastifikuar. Në të ndodhet dhe një ikonë që ajo e mbante kudo me vete të cilën ma ka dhuruar vëllai im që jeton në Romë. Dhuratën e ka marrë në Vatikan posaçërisht për mua duke e ditur që e adhuroj Nënë Terezën.