Zgjedhjet parlamentare në Afganistan nën hijen e sulmeve

515
Sigal

Sot në Afganistan kanë vazhduar zgjedhjet parlamentare të cilat gjatë ditës së djeshme regjistruan një numër sulmesh dhe incidentesh në qendra të votimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në pjesën më të madhe të Afganistanit dje u mbajtën zgjedhjet parlamentare ndërsa me vendim të Komisionit Zgjedhor të vendit për shkak të problemeve të sigurisë procesi zgjedhor në rreth 400 qendra të votimit është shtyrë për sot.

Zgjedhjet po mbahen me masa maksimale të sigurisë.

Zgjedhjet parlamentare në Afganistan, të parat nga viti 2010, mbahen këtë fundjavë, kurse ditën e parë të zgjedhjeve u regjistruan gjithsej 193 sulme në të cilat humbën jetën të paktën 36 persona.

Sulmi më i madh ka ndodhur mbrëmë në qendër të Kabulit, ku një sulmues vetëvrasës me bombë vrau të paktën 15 njerëz.

Po ashtu edhe fushata parazgjedhore kaloi nën hijen e sulmeve të shpeshta me bombë. Javën e kaluar në një sulm me bombë gjatë një tubimi parazgjedhor në Tahkar u vranë të paktën 22 persona. Sulme të ngjashme morën jetën e dhjetra njerëzve në Helmand dhe Nangahar.

Lëvizja militante talebane kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve dhe më herët kërcënoi se qendrat e votimit do të jenë objektiv i sulmeve.

Misioni i Kombeve të Bashkuara për Mbështetjen e Afganistanit (UNAMA) shprehu shqtësimin për shkallën e dhunës e cila ka ndodhur në prag të zgjedhjeve.