Zemra dhe diabeti, gabimet e mjekëve dhe kujdesi

327

Pamjaftueshmërinë e zemrës e shkaktojnë disa
sëmundje dhe si e tillë ajo quhet sindromë. Në mjediset mjekësore përdoret
emërtimi pamjaftueshmëri (insuficencë) për atë gjendje kur një organ si zemra,
apo veshka etj, për arsye të ndryshme e kanë të pamundur dhe janë të paafta të
kryejnë funksionin e tyre. Kësisoj, për shembull veshka, për një arsye apo një
tjetër, është dëmtuar aq sa nuk është në gjendje të eliminojë helmet dhe
mbeturinat nga organizmi, dhe shkakton insuficencën e veshkës apo azoteminë e
kreatininën e rritur në gjak.

Në rastin kur zemra për shkaqe të ndryshme nuk është
në gjendje (pra, e pamundur të kryejë funksionin e saj) pompimin e gjakut në të
gjithë trupin e njeriut, për të furnizuar organizmin me oksigjen dhe produkte
ushqimore, ajo ka pësuar insuficencë, nga ana tjetër zemra jo vetëm çon
(pompon) gjak në inde, duke i furnizuar ato, por edhe e kthen atë nga indet në
mushkëri dhe pastaj në zemër, për ta pastruar nga gazi karbonik dhe mbeturinat
metabolike.

Çfarë
e bën muskulin e zemrës të humbasë funksionin pompë?

Arsyet janë të shumta, ndër të cilat do të përmendim
vetëm defektet e lindura në muret apo valvulat e zemrës, sëmundja reumatizmale
e zemrës, që mund të fillojë duke dëmtuar muskulin e zemrës (miokardi
reumatizmal) dhe të vazhdojë në mënyrë të heshtur dhe pas shumë kohësh të
shfaqet dëmtimi reumatizmal (i fituar) i valvulave të zemrës. Hipertensioni
arterial, qoftë parësor apo edhe dytësor, sëmundjet e enëve koronare të gjakut
(janë arteriet që furnizojnë zemrën me gjak) duke mos furnizuar siç duhet
zemrën me oksigjen dhe produkte ushqimore, bëjnë që muskuli jo vetëm të vuajë,
por edhe të dëmtohet deri në pamundësi të kryerjes së funksionit të tij.

Dëmtime të muskulit të zemrës si rrjedhojë e disa
shkaqeve të njohura si inflamacioni nga virozat, sëmundjet imune (miokarditet).
Grumbullimi në të i lëndëve si hekuri, që dëmton funksionin pompë apo veprimi
nga niveli i shtuar apo edhe i ulur i hormoneve të tiroides, shtimi i hormonit
të rritjes në gjak (somatotropi), mund të shkaktojë dëmtime të muskulit të
zemrës duke e zmadhuar së tepërmi atë. Çrregullime të ritmit të zemrës që janë
të shumta, mund të dëmtojnë në përmasa të tilla muskulin e zemrës, sa të
shkaktojnë pamundësinë e saj. Nuk duhen lënë pa përmendur edhe dëmtimet e
mushkërive nga shkaqe të shumta edhe të ndryshme, që mund të jetë arsyeja e
dëmtimit të muskulit të zemrës.

A
i kanë diabetikët më të shpeshta dëmtimet e muskulit të zemrës dhe a ka ndonjë
sëmundje të zemrës që shfaqet vetëm te diabetikët?

Tek diabetikët, që diabetin e kanë të vjetër dhe të
pajtuar mirë, mund të shfaqet një lloj dëmtimi i muskulit të zemrës, pasojë e
dëmtimeve të enëve të vogla që furnizojnë zemrën (kardiomiopatia diabetike).

Një sëmundje tjetër është hemokromatoza. Kjo është
një sëmundje që ka të bëjë me çrregullimin e metabolizmit të hekurit. Ai
grumbullohet në mënyrë të tepërt dhe të pakontrolluar në të gjithë organet e
trupit. Vendosja e tij në gjendrën e pankreasit shkakton pamundësinë e tij për
të prodhuar insulinë (pra shkakton diabet), ndërsa vendosja e tij në zemër
shkakton pamundësinë e saj.

U përmendën disa nga shkaqet e pamundësisë së
zemrës, se veç mjekimit të shenjave të sëmundjes, secila prej tyre ka edhe
mjekim të veçantë, në përputhje me shkaktarët. Kësisoj defektet e lindura apo
të fituara të muskulit dhe të valuvulave të zemrës mjekohen me rezultate të
shkëlqyera, nëpërmjet ndërhyrjeve kirurgjikale.

Veçanërisht kur diagnostikimi bëhet sa më herët dhe
dëmtimi i muskulit të zemrës është në përmasa të tilla që mund ta rimarrë veten
dhe të aftësohet plotësisht pas ndërhyrjes kirurgjikale. Nga ana tjetër, ka
sëmundje që kanë shkaktuar pamundësinë e zemrës, që duhen mjekuar nëpërmjet
korrigjimit të pakësimit apo shtimit të hormoneve (hormone i rritjes, hormone e
tiroides), madje ka sëmundje si hemokromatoza (u përmend më sipër), që mjekohen
duke ju hequr gjak dhe duke përdorur medikamente që shmangimin hekurin nga
organizmi. Së fundi, duhet bërë kujdes edhe për disa faktorë që mund të
ndihkojnë në mbarëvajtjen e mjekimit të pamundësisë së zemrës, si për shembull,
prania e anemisë, apo përdorimi I medikamenteve, si kortizoni etj.

Çfarë
shenjash klinike ka kjo sindromë apo sëmundje?

Organizmi me qëllim që të kompensojë pamundësinë e
zemrës në fillimet e saj ndërmerr një sërë masash, si: takikardia është një
ndër shenjat më të hershme të kësaj sëmundjeje (rrahjet e shpeshta të zemrës,
mbi 90 rrahje në një minutë). Një dukuri e tillë është e lidhur me faktin se
zemra punon më shpesh për të hedhur sa më shumë gjak në njësinë e kohës, për të
plotësuar kërkesat e organizmit për oksigjen etj.

Një masë tjetër kompensimi është edhe kufizimi i
frymëmarrjes (vështirësia në frymëmarrje) apo siç thuhet rëndom “marrja e
frymës”. Edhe shpjegimi i kësaj dukurie, ashtu si edhe rrahjet e përshpejtuara
të zemrës, është e lidhur me pamundësinë e zemrës për të furnizuar indet me
oksigjen dhe për të larguar nga organizmi gazin karbonik. Këto dy dukuri
konsiderohen si mekanizma normal kompenstaorë, që organizmi i përgjigjet zemrës
së pamundur.

Diabetikët me pamundësi të zemrës preferojnë të
flenë me më shumë se një jastëk për të lehtësuar vështirësinë në frymëmarrje.
Marrja e frymës fillon të shfaqet edhe gjatë veprimtarive të lehta fizike, si
gjatë ecjes apo edhe në qetësi, çka dëshmon për dëmtime të rënda të funksionit
pompë të zemrës. Vështirësia në frymëmarrje mund të shoqërohet edhe me kollë,
që tregon se gjaku ka mbetur edhe në mushkëri. Ajo gjithashtu mund të
shoqërohet edhe me mavijosje të buzëve apo majave të gishtave, pasojë e
grumbullimit të gazit karbonik në gjak. Enjtjet e kyçeve të këmbëve (edema),
është një shenjë tjetër e sëmundjes, pra, nuk është një masë kompensatore. E
vërteta është se në kyçet e këmbëve është më e lehtë të zbulohen, por mbajtje
të ujit në organizëm ka edhe në kofshë apo në bark. Nganjëherë, para se të
duken edemat në këmbë, diabetikët me pamundësi të zemrës ankohen për dhimbje në
zonën e mëlçisë, që është edhe kjo një shenjë e mbetjes së gjakut në të. Gjatë
ditës sasia e urinimit pakësohet dhe e kundërta gjatë natës, urinimi shtohet. Lodhja
e shpejtë, mungesa e oreksit, marramendja, gjendje të fikti (vilani) janë
shenja të shpeshta tek këta të sëmurë. Disa ekzaminime që duhet të kryhen, janë
të domosdoshme, jo vetëm për të saktësuar diagnozën, por edhe për të ndjekur
ecurinë e sëmundjes dhe ndikimin e medikamenteve. Ndër ekzaminimet përfshihet
bilanci i plotë laboratorik, elektrokardiograma, monitorimi 24 orë i ritmit të
zemrës, prova ushtrimore, ekzaminimi radiologjik i mushkërive, ekokardiografia
deri te kateterizimet dhe rezonanca magnetike.

Mjekimi i pamundësisë së zemrës tek diabetikët
parimisht nuk ndryshon nga mjekimi që kryhet tek personat pa diabet, pra
përdorimi i medikamenteve që eliminojnë ujin nga organizmi (diuretikët)-
hydroklorotiazidi është më i rekomanduari dhe i përdoruri, përdorimi i
betabllokuesve, frenuesit e enzimës konvertuese (ACE)-enalaprili, ARB-menartan,
valsartan ose antiartimikët, antikoagulantët etj. Tek diabetikët nuk
këshillohen përdorimi i antidiabetikëve në formën e tabletave nga goja, si
metformina, glibenklamidi, glimepiridi etj., por këshillohet fillimi i mjekimit
nëpërmjet insulinës në doza të përshtatshme, në vartësi të vetëkontrollit.
Është shumë e rëndësishme ndërprerja e përdorimit të kripës së gjallë, pasi ajo
ndihmon në mbajtjen e ujit në organizëm. Nga ana tjetër, veç ushqyerjes së
kujdesshme dhe të shëndetshme, duhen konsumuar sasi më të mëdha frutash, të
paktën tre porcione në ditë, me qëllim që të sigurohen kripërat minerale,
veçanërisht kalium.

Duhet vazhdimisht të kryeni lëvizje të thjeshta streçingu,
me qëllim që të nxitni qarkullimin e gjakut dhe të parandaloni trombozat, një
dukuri e shpeshtë tek të sëmurët me zemër.