Vedat Beqi: Themeluesi dhe drejtuesi i maternitetit të Sarandës në sirtaret e harresës.

1166
Vërtetë pse po harrohet mjeku Vedat Beqi? Këtë pyetje e shtrojnë përditë banorët e Sarandës e më tej gjithkund ku ka punuar dhe e kanë njohur mjekun e shquar e të papërtuar. Ndërkohë, në morinë e vlerësimeve të shumë personaliteteve, figurave dhe kontribuuesve të historisë së zhvillimit të qytetit dhe organizim-funksionimin e institucioneve në kohë, etapa dhe sisteme të ndryshme, qytetarë sarandjot dhe jo sarandjot, shqiptarë dhe të huaj, që mes tyre mund të ketë edhe nga ata që nuk kanë kontribuar apo nuk e dinë se ku bie Saranda dhe emrat dhe bustet e tyre kanë mbushur sheshet, rrugët , lulishtet dhe institucionet në Sarandë, të bie në sy mungesa e emrit të mjekut Vedat Beqi, themeluesit dhe drejtuesit të maternitetit të Sarandës. Kur mjeku Vedat Beqi mori përsipër të ngrinte nga themelet institucionin e shërbimit dhe trajtimit të shëndetit të nënave shtatzëna, qenë kohë dhe vite të vështira në të gjitha kushtet dhe standardet që kërkon një shërbim i tillë mjekësor. Trashëgimia qe e pakët dhe objektet jashtë kushteve, por shteti kërkonte , si në të gjitha fushat dhe sektorët, ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve dhe shërbimit shëndetësor publik dhe kjo barrë binte mbi mjekët e rinj , midis tyre edhe Vedati. Puna vështirësohej shumë pas prishjes me vendet e demokracisë popullore me në krye ish BRSS-në, pasi prishja e marrëdhënieve me ta e sidomos më pas me Kinën, krijoi bllokadën e shumë pajisjeve dhe medikamenteve të nevojshme, por edhe specializime të kuadrit. Në këtë qiell të errët u shfaq si meteor rrezatues e ndriçues, mjeku i palodhur e pasionant, Vedat Beqi, i cili arriti të shërbejë profesionalisht dhe të krijojë një shtëpi lindjeje në Sarandë në nivele bashkëkohore , shtëpi dhe shërbim që u ktheu shpresën, besimin dhe gëzimin mijëra qytetarëve të krijojnë familjen e ti gëzohen lindjes së fëmijës së tyre, por edhe shumë fëmijëve të drejtën e jetimit të jetës së tyre. Po pse harrohet emri dhe kontributi i këtij mjeku të palodhur e të përkushtuar nga pushteti lokal dhe ai qendror e aq më tepër nga M. Sh-ja? Pse heshtet deri tani në një kohë kur në Sarandë po ndërtohet materniteti i ri dhe është zgjuar reagimi qytetar? Shumë mirë mund ti jepet emri i këtij mjeku që është themeluesi dhe drejtuesi , por edhe mjeku më jetëgjatë në shërbim në maternitetin e Sarandës. Ndërkohë qytetarët e Sarandës përveç kësaj kërkese të shprehur, në përditshmërinë e komenteve të tyre dhe shprehjes së opinioneve , jo vetëm që shprehen me vlerësime dhe mirënjohje për kontributin, punën dhe shërbimin e Vedat Beqit, por përmendin edhe një fakt tjetër të institucioneve shëndetësore të Sarandës në emrat e tyre. Jo se nuk i meritojnë , por duhet një ndarje e baras vlefshme mes tyre në mënyre që këto personalitete të mbeten në memorien historike të qytetit. Aktualisht në Sarandë, për sa u përket institucioneve shëndetësore kjo nuk është respektuar. Ndërkohë që Saranda dallohet si model dhe modul i bashkëjetesës ndëretnike, krahinore, multikulturore dhe multifetare. Atëherë pse? Kjo pyetje qytetare vjen dhe bëhet e besueshme sa hedhe sytë në tabelat e institucioneve shëndetësore si :Spitali civil “Petro Nako”, urgjenca “Stefan Mekshi”, materniteti Kristo Kalivopulli” dhe qendra shëndetësore e Sarandës “Lefter Jani”. Po kur emri skalitet në memorien qytetare, askush nuk ka forcë ta shpërfytyrojë apo pluhurosë nëpër sirtarë harrese me metoda selektive, klienteliste, preferenca të caktuara a deri diku mbase dhe korruptive. Këshilli bashkiak i Sarandës, pushteti lokal e qendror e kanë për nder që mirë dhe bukur, mund ti jap me plotë meritë maternitetit të ri emrin e këtij mjeku të nderuar me përmasa popullore. Natyrisht që mund të veprohet brenda kompetencave që u ngarkon ligji dhe pse jo le t’ia lënë vet qytetarëve të Sarandës të shprehen dhe të vendosin me vullnetin e tyre për emrin e institucionit të ri që po përfundon. Në këtë mënyrë hapet rruga për hedhjen e hapave të kujtesës në një vlerësim të merituar të personaliteteve që kanë kontribuar për Sarandën. Nëse hedh një sy edhe në komentet dhe opinionet qytetare, në media të shkruar dhe ato sociale vë re, se jo vetëm arrijnë rekorde që nuk i ka asnjë personalitet tjetër sa mjeku Vedat Beqi, por gjen të nënvizuar mendimin për figurën e tij. Nëpër rreshta e komente të qytetarëve , me profesione dhe mosha të ndryshme, vjen vlerësimi dhe mirënjohja për këtë mjek pasionant, duart e arta të të cilit pritën daljen në dritën e jetës me mijëra fëmijë, shpëtuan dhe më shumë jetë nënash me lindje të vështira apo aborte të provokuara.. Ai etiketohet në opinionin qytetar si një mjek model, një specialist i mrekullueshëm, që ndonëse në kushte nga më primitivet për ato vite kur shërbeu, spikatën vetitë dhe virtytet humane dhe aftësitë profesionale të shkëlqyera duke u kthyer në shëmbëlltyrë të jetës me thjeshtësinë, fisnikërinë dhe profesionalizmin e tij, por mbi të gjitha me dashurinë e pafund për jetën, për ecjen e shëndosh dhe jo ngecjen dhe çalimin e sajë. Pikërisht bashkëqytetarët dhe bashkëkohësit e tij shprehen me theks se ky mjek duhet çmuar e kujtuar. Rreshta komentesh dhe opinionesh të panumërta shprehin respektin për punën e përkushtuar dhe momentet e ndjesive të paharruara që kanë provuar gjatë vizitave dhe trajtimeve mjekësore profesionale, por edhe kënaqësinë e të bërit nënë me prurjen në jetë të vogëlushëve të shtrenjtë të tyre. Zgjonte ëndrrën dhe besimin për jetën, mjek dhe njeri i nderuar me aftësi të jashtëzakonshme. sa shumë vlera i dha qytetit dhe sa shumë njerëzve u dha të shtrenjtën gjë, familjen. Këto qenë disa nga vlerësimet qytetare lexuar mes rreshtave të pafundme të shprehive të tyre mirënjohëse për këtë mjek duke i dhënë vlerësimin që i takon nga qytetarët dhe atë që ata kanë në dorë; mirënjohjen ndaj këtij mjeku duke e skalitur si model të së mirës në mendjen e tyre, i respektuar dhe i nderuar nga të gjithë. Ndaj, shprehet një komentues, ti thuash i paharruar këtij mjeku, është pak e shumë pak për këtë mjek erudit. jeta dhe kontributi i tij le ti bëjë të ndihen keq ata që bekimin e Hipokratit e kanë shkëmbyer me rolin e hipokritit. Saranda ku ka kontribuar me pasion profesional i detyrohet ta përjetësojë emrin e tij në memorien e historisë dhe kujtesës së sajë në një nga institucionet e qytetit,- nënvizojnë në fokus komentet dhe opinionet qytetare sarandjote e më tej.

PO KUSH QE MJEKU VEDAT BEQI?
Për respekt të lexuesit po hedhim pak biografi ilustruese nga jeta dhe kontributi i tij. Mjeku Vedat Avni Beqaj ka lindur në fshatin Borsh të Sarandës më 01.05.1933 dhe vdiq në vitin 1994. Në vendlindje kreu arsimin e detyrueshëm, ndërsa atë të mesëm në Tiranë për ndihmësmjek ku edhe punoi për rreth katër vite në këtë profesion. Në vitin 1963 mbaron studimet universitare në UT dhe po këtë vit emërohet mjek gjinekolog në qytetin e Shkodrës, vend ku punoi deri në vitin 1967. Në maj të këtij viti emërohet mjek gjinekolog në qytetin e Sarandës, në spitalin e përgjithshëm të këtij qyteti. Këtu fillon edhe historia e krijimit dhe modernizimit të maternitetit të Sarandës. Pasioni dhe dashuria për qytetin dhe bashkëqytetarët e tij, sedra profesionale, respekti dhe dashuria për jetën njerëzore e bënë ti përkushtohej punës për krijimin e këtij shërbimi të domosdoshëm ku zë fill rrugëtimi i jetës njerëzore. Këtu fillon edhe kalvari i mundimeve, përpjekjeve e sakrificave, netëve pa gjumë që i privuan shumë aspekte dhe gëzime nga jeta. Fillimisht ja nisi punës duke përshtatur disa nga mjediset dhe ambientet e spitalit të përgjithshëm si maternitet, modifikime modeste për të përballuar ngarkesën e madhe dhe urgjencat akute të obstet-gjinekologjisë. Mungesës së kushteve dhe infrastrukturës, pajisjeve dhe medikamenteve mjekësore, i shtohej edhe mungesa e kuadrit , ku mjeku Vedat Beqi e përballonte i vetëm si specialist i kësaj fushe duke i vënë shpatullat punës pa u trembur dhe tërhequr nga këto vështirësi të diktuara nga koha dhe vitet e atëhershme. Doktor Vedati luajti rol vendimtar në krijimin e maternitetit të Sarandës. Për vite e vite me radhë, si gjinekolog i vetëm i është dashur të përballojë vizitat, urgjencat, operacionet, të organizonte këtë shërbim të munguar në gjithë qytetin e Sarandës dhe fshatrat përreth në kushte shumë të vështira, kur pajisjet qenë të pakta dhe vështirësitë shumë të mëdha, por si mjek i vetëm dhe me një personel model të infermiereve dhe mamive të maternitetit. Për 22 vjet u emërua dhe punoi si drejtor i maternitetit , pa iu ndarë punës së mjekut. Në postin e drejtorit të shërbimit gjinekologjik të rrethit të Sarandës, por edhe gjithë Bregut të detit që nga Vunoi i Himarës, iu desh të shtrëngonte tanimë edhe kërkesën e llogarisë karshi vartësve të tij, pasi e shihte si kyçin e suksesit së bashku me shfletimin e literaturës shkencore dhe atë artistike botërore e shqiptare duke shfrytëzuar kohën e qëndrimit natën në maternitet. Puna nga Vunoi i Himarës dhe gjithë fshatrat e Sarandë=Delvinës, e bëri doktor Vedatin shumë të njohur dhe të respektuar në të gjitha krahinat duke u dhënë me përkushtimin e tij dhe shërbimin profesional gëzimin e lindjes së një fëmije dhe fituar nga ata mirënjohjen e përjetshme, dashurinë dhe respektin, vlerësimin, besën dhe miqësinë e tyre. Kjo punë e palodhur e profesionale , talenti dhe këmbëngulja e tij bënë që të shpëtonte nga kthetrat e vdekjes qindra gra. Të shumta janë çiftet që sot e kujtojnë me respekt dhe admirim për të vetmen arsye madhore, kur pas një terapie të vazhdueshme, janë bërë prindër. Si mjek dhe drejtues nga më jetëgjatët e këtij institucioni ai dallohej në punë për korrektësi, durim, saktësi në diagnostikim dhe besimi profesional në të, nga vendosmëria dhe guximi për ti parë problemet me përparësi dhe për ti çuar ato deri në fund. Operacionet e kryera prej tij falë aftësive të lartpërmendura, aplikimi për herë të parë në Sarandë i seksio/cezaret, në procesin e qepjes ishin pothuajse të padukshme deri sa mori edhe vlerësime nëpër qarqe dhe konventa shkencore si brenda ashtu edhe jashtë vendit. 35 vet mjek nga të cilat 13 drejtues, Vedat Beqi zë vendin e mjekut dhe drejtuesit më jetëgjatë të maternitetit të Sarandës dhe gur themeli i tij. Një punë e lodhshme, e cila u shpërblye dhe po shpërblehet me mirënjohjen dhe respektin e qytetarëve të cilëve u shërbeu, si dhe nga harresa institucionale ku ndoshta drejtues të tyre sot janë pritur dje nga duart e mjekut Vedat Beqi në ditën dhe momentet e para të ardhjes së tyre në jetë. Dhe njëherë që u fol se do të vlerësohej si qytetar Nderi dhe mori vendim këshilli bashkiak , kjo certifikatë nuk përfundoi kurrë tek familjarët, por u la në heshtje të pakuptimtë. Forcën e madhe për gjithë këtë punë dhe kontribut e merrte nga sadisfaksioni që kishte për profesionin dhe punën e tij të suksesshme dhe humane, pasi primare në jetën e tij ishte shërbimi ndaj pacientit. Por mbështetje të fuqishme pati edhe bashkëshorten e tij, Hasie Beqi me të cilën u martua në vitin 1970 në kohën kur Hasia punonte si mësuese e gjuhës ruse në shkollën bujqësore të Delvinës dhe Vedati shkonte në Delvinë për konsulta. Më pas kjo zonjë e nderuar për shumë vite drejtoi në mënyrë të suksesshme Hotel “Butrinti”, turizmi i asaj kohe. Hasia në kujtimet e saj kujton ato momente dhe net pa gjumë në maternitet tek pacientët e tij duke u privuar në njëfarë mënyre edhe nga disa të drejta shoqërore dhe familjare, aq sa edhe dy vajzat e tij të vogla qenë të dëshiruara për babanë. Krijimi i familjes nuk ia tkurri dëshirën dhe forcën për punë. Dhe kështu, me këtë vitalitet , shërbeu në maternitetin e Sarandës deri në vitin 1994, vit ku pas largimit të papritur nga puna, licencohet dhe punon privat me shumë kufizime për një fushë të gjerë siç është mjekësia dhe për këtë dukej se ndjehej fajtor, pavarësisht se kërkoi disa herë të qe konsulent dhe të kryente vizita në maternitet për të dhënë maksimalen tek pacientët, kjo nga ish kolegët të cilët i kishte propozuar vet për specializim, nuk ju pranua. ju refuzua ashpër duke treguar mosmirënjohjen e tyre për ish kolegun dhe drejtorin e tyre.. Kjo e dëshpëroi pa masë, por nuk e mposhti. Si mjek i dalluar dhe i vlerësuar nuk e meritonte këtë veprim arrogant nga organet e shëndetësisë së rrethit të Sarandës. Largohet krejt papritur nga jeta në këto rrethana. Po ka ende kohë për tu reflektuar në korrigjimin e gabimit karshi tij për ta bërë të pavdekshme punën dhe emrin e tij, sidomos nga kolegët dhe institucionet. Të paktën të bëjnë atë që kërkojnë qytetarët
Sigal