Vazhdon programi i implantit koklear në Spitalin Amerikan

523
Sigal

Gazeta Telegraf/


Spitali Amerikan, në bashkëpunim me
Fondacionin Liechtenstein-Medel në partneritet me Universitetin e Vjenës,
Austri, kanë nënshkruar marrëveshjen e rëndësishme për t’i ardhur në ndihmë pacientëve
me probleme dëgjimi. 

 

Këta pacientë do të përfitojnë falas
këtë mundësi të shumëpritur për t’ju rikthyer sërish jetës normale dhe dëgjimit
të plotë. Ekipi i specializuar i mjekëve në Spitalin Amerikan, në bashkëpunim
me kirurgët e shquar të Universitetit të Vjenës do të realizojnë implantet
kokleare në pacientët me ulje degjimi te grades se rende. Këto ndërhyrje do të
realizohen falas nga mjekët dhe nga spitali, gjithashtu nga fondacioni i
familjes mbretërore së Liechtenstein, i cili do të dhurojë implantet. 

 

Sipas Dr. Edlir Shytaj, kirurg otorinolaringolog
pranë Spitalit Amerikan, pacientët kandidatë për të përfituar këtë implant
koklear duhet të jenë në përputhje të plotë me kushtet e kërkuara nga
protokolli ndërkombëtar i implantimit të caktuara  nga mjekët specialist ORL dhe audiologë.

 

Implanti koklear, i cilësuar si
mrekullia që sjell “tingullin” në veshin e paaftë, prej vitesh nuk është më
utopi. 

 

Spitali Amerikan, i pari në vend, që
prej 6 vitesh realizon implantet kokleare, të cilat kanë rezultuar të gjitha të
suksesshme, në pacientë fëmijë e të rritur. 

Kjo marrëveshje, do të sjellë
rilindjen edhe njëherë të shpresës për ata pacientë me probleme të dëgjimit; të
diagnostikuar me ulje dëgjimi (hipoakuzi) të lindur, nga shkaqe gjenetike,
traumatike ose infeksione të ndryshme.

 

Spitali Amerikan, provon dhe dëshmon
sërish që ka një ndjeshmëri të madhe për zgjidhjen e problemeve të shëndetit,
gjithashtu mbetet në pararojë të zhvillimeve të reja dhe më të rëndësishme jo
vetëm në historinë e mjekësisë në vend, por edhe në rajon.