Temperaturat e larta ndryshojnë humorin e njerëzve, ja pse

466
Studime të ndryshme kanë arritur në përfundimin se temperaturat e larta, zgjatja e ditës, pushimet jo mjaftueshmërisht të gjata, ndikojnë negativisht në gjendjen shpirtërore të shumë njerëzve. Një grup studiuesish europianë, pas një studimi të kryer pak kohë më parë, arritën në përfundimin se në gjendjen psikologjike të njerëzve ndikojnë gjashtë faktorë të ndryshëm si, temperatura, era, rrezet e diellit, reshjet, presioni i ajrit dhe kohëzgjatja e ditës. Kjo ndjesi e krijuar prej stinës, që në psikologji njihet si “S.A.D” (Seasonal Affective Disorder. Shqetësime ndjesore sezonale), shfaqet më së shumti në fillim të stinës, pasi trupi i njeriut e ka më të vështirë përshtatjen. Gjatë një bisede me sociologen Vezuela Sanxhaku, lidhur me shqetësimet që shfaqen në humorin e njerëzve gjatë stinës së verës, ajo shpjegon se “këto shqetësime lidhen kryesisht me pushimet verore. Asnjëherë njerëzit nuk ndihen të shlodhur mjaftueshëm”. Sipas saj, ndikim të madh ka presioni që vjen në këtë periudhë. “Tema më e rrahur gjatë verës, që e bisedojmë në çdo ambient shoqëror, është si dhe ku do të kalojmë pushimet. Në këtë situatë, shumë njerëz, të cilët për arsye të ndryshme, nuk kanë mundësi të pushojnë diku, ndjehen të frustruar nga bisedat e të tjerëve”. Madje, psikologia tregon dhe një rast të lexuar prej saj së fundmi, ku një familje amerikane ishte mbyllur për rreth dy javë në garazhdin e shtëpisë së tyre, që të linte fqinjët të mendonin se ata kishin shkuar diku për të pushuar. Raste të tilla ka pafund, të cilat tregojnë se sa ndikim ka shoqëria që na rrethon, sidomos në këtë periudhë të vitit. Sociologia thotë se ndryshimi i humorit varet dhe nga ndryshimi i përditshmërisë. Ajo shton më tej se “një studim tregon edhe varësi mes gjendjes shpirtërore dhe vitaminës D, e cila është pjesë e rëndësishme e një diete të shëndetshme dhe mënyrës së jetesës. Kjo vitaminë mund të merret nga ekspozimi në diell”. Njerëzit të cilët ekspozohen jo mjaftueshëm në diell mund të përjetojnë edhe ndjesi depresioni, ndërsa ata që ekspozohen mjaftueshëm mund të ndjehen të lumtur. Por, asnjeherë nuk duhet të marrim për të mirëqenë lidhjen e motit dhe humorin tonë. 
Sigal