Të dobësohesh në mënyrën e duhur

81
Të mbash dietë nuk është e thjeshtë dhe këtë e dinë të gjithë, sidomos ata që të hënave apo në fillim të muajit kanë vendosur të rregullojnë regjimin e ushqimit dhe pas disa ditësh kanë hequr dorë. Megjithëse të shumta janë reklamat që premtojnë mrekulli pa asnjë sakrificë, është e kotë të gënjejmë veten. Për të humbur kilet e tepërta, duhet të bëhet ndonjë sakrificë dhe të heqim dorë nga ushqimi apo ëmbëlsira e preferuar. Atëherë si t’ia arrijmë qëllimit kur gjendemi përballë mijë tundimesh që shqetësojnë atë që po mban dietë?
Ja një listë me këshilla për të gjithë ata që kanë vendosur të nisin një dietë:
Fillimi i mbarë gjysma e punës. Është e kotë të nisësh dietën në një ditë jo të mirë apo në një periudhë stresi. Të ndjekësh një regjim apo një dietë kërkon shumë energji, për këtë arsye është shumë e rëndësishme të nisësh dietën në një moment pozitiv.
7 kg në 7 ditë. Përcaktojini vetes një objektiv të arritshëm. Një dietë shumë e fortë, përveçse nuk është e ekuilibruar nga pikëpamja e ushqimit, por do të nxisë të biesh më shpejt pre e tundimeve.
Pazari. Jeni në treg dhe sytë ju mbeten te një sërë produktesh që për ju janë të ndaluara? Ekspertët e dietave ju këshillojnë që sa herë shihni ndonjë produkt të ndaluar ta lidhni me ndonjë gjë jo të pëlqyeshme për ju, dhe në këtë mënyrë do të arrini të mos tundoheni. Dhe një sugjerim tjetër, asnjëherë mos bëni pazar me stomakun bosh.

Syri bën punën e tij. E keni dëgjuar shprehjen “të ngopet syri”. Është e rëndësishme që gjithmonë para se të hani vaktet ta përgatisni tavolinën më së miri, me fantazi, dhe po të jetë e mundur edhe me ndonjë vazo të bukur me lule. Vendosni të gjitha gjërat që keni përgatitur dhe më pas uluni për të ngrënë. Do të vini re që kështu nuk do të keni aq shumë uri.
Keni kujdes me ritmin e ngrënies. Mos nxitoni, por përtypni ngadalë çdo kafshatë. Kjo është mënyra më e mirë për t´u ndjerë të ngopur dhe për të mos tentuar të marrim edhe një pjatë të dytë.
Lamtumirë peshore. Të fiksoheni pas peshores nuk ju ndihmon aspak për t´u dobësuar, madje ju fut në një gjendje ankthi. Është mirë që të merreni me ushtrime fizike, pasi në këtë mënyrë dhjamërat zëvendësohen me muskuj. Fillimisht pesha nuk do të ndryshojë, por mos u shqetësoni.

Shija e kufizimeve. Është e vërtetë se për t´u dobësuar duhet të angazhoheni plotësisht. Por, nëse ndonjë herë ju ftojnë në ndonjë festë, martesë, apo për një darkë në restorant, ju mos e kufizoni veten. Por, sigurisht pa abuzuar si duke ngrënë shumë, ashtu edhe duke porositur ndonjë sallatë.