Studimi: Duhanpirja sjell më shumë dëme se ç’mendohet

232
Shëndeti – Rezultatet e një studimi të kohëve të fundit në Gjermani e thellojnë edhe më shumë idenë mbi dëmet që sjell konsumimi i duhanit, duke u përqendruar sidomos te dëmet e tij në shëndetin e dhëmbëve
Kanceri, infarkti kardiak, apopleksia – duhanpirja favorizon shumë vuajtje e sëmundje dhe kjo është tashmë e njohur. Por një rrezik tjetër të shtuar shumëkush duket se e ka neglizhuar dhe nuk e ka marrë shumë parasysh: duhanpirja sjell me vete edhe probleme për dhëmbët e i hedh ato – në kuptimin e plotë të kësaj fjale – në tokë.
Ky nuk është një problem vetëm kozmetik, por dëshmon edhe ekzistencën e shumë problemeve të tjera brenda tij. Pasi:
Ata që pinë shumë duhan e që e kanë kaluar moshën mbi 60 vjetëve, normalisht nuk kanë më shumë se shtatë dhëmbë.
Duhanpirësit vuajnë shumë më shpesh nga acarimet dhe dëmtimet e mishit të dhëmbëve, krahasuar me ata që nuk e pinë.
Njerëzit që i japin fund duhanpirjes e ulin rrezikun për paradontozën në një kohë relativisht të shkurtër.
Duhanpirësve mbi 60-vjeçarë u mbesin shpesh vetëm shtatë dhëmbë, ndërsa bashkëmoshatarëve të tyre që nuk pinë duhan, sigurisht, nëse sillen siç duhet me higjienën orale, u mbeten më shumë se tri herë më shumë dhëmbë, pra 22 të tillë.
Një duhanpirës i fortë konsumon çdo ditë më shumë se 15 cigare. Si rrjedhojë, ai ka qartazi shumë më shpejt boshllëqe në dhëmballë sesa ai që pi duhan më rrallë apo që nuk e ka vënë kurrë buzën në llullë apo cigare.
U studiuan më shumë se 23 000 vetë
Duhanpirëset femra nuk preken aq shpesh nga rënia e dhëmbëve sa meshkujt. Sidoqoftë, rreziku në krahasim me gratë që nuk pinë duhan, është gjithnjë më shumë se dyfish më i lartë në këtë aspekt, (saktësisht 2,5 herë më shumë). Gratë mbi 60 vjeç që nuk kanë pirë kurrë duhan, kanë mesatarisht 18 dhëmbë, ndërsa bashkëmoshatareve të tyre që kanë pirë e vijojnë të pinë duhan, u kanë mbetur mesatarisht në këtë periudhë vetëm 11 syresh.
Këto janë në fakt rezultatet e studimit (nën emrin EPIC) të fundit të ndërmarrë nga Instituti Gjerman për Kërkimet mbi Ushqimin (DIfE). Kërkuesit e tij analizuan të dhënat e 23 376 personave mes moshës 20 dhe 70-vjeçare, duke e thelluar edhe më tej e detajuar spektrin e dëmeve të njohura tashmë mbi duhanpirjen. Të dhënat bazë të pjesëmarrësve në testim, shkencëtarët i mblodhën e i analizuan në periudhën kohore mes viteve 1994-1998. Studimi në fjalë u publikua në muajin gusht në revistën shkencore të fushës së mjekësisë dentare “Journal of Dental Research”.
Parodontoza, shenja e parë e dëmit të madh
“Arsyet kryesore për rënien e parakohshme të dhëmbëve janë kariesi dhe irritimi i mishit të dhëmbëve”, shpjegon bashkautori i studimit, Kolade Oluwagbemigun. Duhanpirja është një ndër rreziqet kryesore të riskut për paradontozën, e cila më vonë sjell edhe rënien e dhëmbëve. Dhe bëni kujdes gjithashtu: irritimi i mishrave të dhëmbëve është edhe shenja e parë e qartë se duhanpirësit, ndërkaq, i janë shkaktuar tashmë dëme të pariparueshme shëndetësore. “Lidhja mes rrezikut të shtuar të kariesit dhe duhanpirjes, përkundrazi nuk është sqaruar ende plotësisht”, thotë bashkautori tjetër, Thomas Dietrich nga Universiteti i Birmingamit në Angli.
Rreziku ulet kur duhani braktiset 
Gjatë kohës së pjesëmarrjes në këtë testim shkencor, gjithsej 3843 duhanpirës meshkuj dhe 5707 gra, humbën të paktën nga një dhëmb. Lajmi i mirë megjithatë, në këtë mes është se: njerëzit që e braktisin zakonin e duhanpirjes, mund ta reduktojnë ndjeshëm rrezikun e prishjes së dhëmbëve. Kjo, sidoqoftë, do të duhej të zgjaste shpesh deri në dhjetë vjet pas lënies së duhanit.
Pasojat e ditura të duhanpirjes
Ndër pasojat më të moçme të ditura gjerësisht mbi duhanpirjen, rezulton se është ajo e vitit 1950, sipas së cilës duhanpirja e rrit shumë riskun e kancerit të mushkërive dhe se ajo mund të shkaktojë kancer të mushkërive. Nga ky studim rezultoi se personat që pinë 15-24 cigare në ditë, e kanë 26 herë më të lartë riskun për t’u diagnostikuar me kancer të mushkërive gjatë jetës së tyre krahasuar me joduhanpirësit. Ndërkaq, sipas një studimi të vitit 2011, rezultoi se në pesë persona me kancer të mushkërive të diagnostikuar, kishin si shkaktar duhanpirjen.
Duhanpirja “pasive”
Ndërkaq, një fenomen shumë i përhapur që ka kontribuuar në aplikimin dhe forcimin e masave antiduhan kudo nëpër botë, ka qenë ai i “duhanpirjes pasive”. Ajo shkakton gjithashtu kancer dhe vret mijëra njerëz çdo vit. Shumë studime kanë treguar që të thithësh tymin e duhanit të personave të tjerë, shkakton kancer te joduhanpirësit. Një studim i para pak viteve, analizoi 55 raste nga e gjithë bota dhe zbuloi që çiftet që pinë duhan në shtëpi kanë 27% risk më të lartë për kancer të mushkërive. Një rivlerësim i 22 rasteve zbuloi se personat e ekspozuar ndaj duhanpirjes pasive në vendet e punës, kanë 24% risk më të lartë për kancer të mushkërive. Fëmijët janë veçanërisht të ekspozuar ndaj rrezikut të duhanpirjes pasive.