Spitali Amerikan: MASTEKTOMIA PROFILATIKE, një zgjedhje e mirë!

569
Sigal

MASTEKTOMIA
PROFILATIKE,


Një
zgjedhje e mirë!

 

OP.DR. REZARTA KAPAJ

 

Të gjithë e njohin Angelina Jolie
si një “sex symbol”, si një aktore e afirmuar dhe së fundmi si një nënë e përkushtuar.
Por, askush nuk e priste lëvizjen e saj të guximshme, veprimin që e bëri të
vlerësohej jo vetëm nga publiku i gjerë, nga media, por edhe nga rrethet mjekësore.
Kjo grua guximtare, tashmë në rrethet e kirurgëve plastike nuk njihet më vetëm si
fytyra më e zgjedhur për pacientë të kirurgjisë estetike, por shembulli më i njohur
i kirurgjisë rikonstruktive të gjirit.

           

Kanceri
i gjirit, duke qenë kanceri më i hasur shpesh tek gratë, tërheq vëmendjen tek
një koncept i rëndësishëm, konceptin e “gjirit me rrezik të lartë”. Interesi për
informacion të mëtejshëm në këtë temë ka ardhur duke u rritur, jo vetëm midis
mjekëve, por edhe midis pacientëve. Analiza gjenetike është kriteri më objektiv
për të mësuar rrezikun konkret. Rreziku i një gruaje që të zhvillojë kancer të
gjirit gjatë jetës së saj varion midis 10-13 %. Kjo përqindje alarmuese,
ngrihet në 50-80 % në gratë me gjenet BRCA pozitive. Faktorë të tjerë të
njohur, të cilët rrisin rrezikun janë të afërm të shkallës së parë të
diagnostikuar me kancer të gjirit, lezione atipike ose hiperplazike në gji,
carcinoma in situ duktale ose lobulare, mikrokacifikime në mamografi, mungesa e
fëmijëve, menarshe e herët dhe menopauzë e vonë.

Një
tjetër faktor i cili duhet konsideruar si indikacion për kirurgjinë
profilaktike, është dëshira e pacientes. Frika nga sëmundja, kontrollet e
shpeshta dhe biopsitë e njëpasnjëshme janë arsye që e shtyjnë pacienten dhe
mjekun të konsiderojnë opsionin e kirurgjisë. Një tjetër arsye që shtyn drejt
ndërhyrjes profilaktike në gji, është prania e sëmundjes në gjirin tjetër, faktor
i cili ngre rrezikun e sëmundjes në të ardhmen, edhe në gjirin e shëndetshëm.

Gjatë
mastektomisë profilaktike ruhet lëkura e gjirit dhe kompleksi nipple-areolar,
pra koka e gjirit dhe zona e ngjyrosur rreth saj. Pasi zbrazet indi i gjirit, për
ta zëvendësuar vendoset ose një protezë, ose ind i marrë nga një zonë tjetër e
trupit të vetë pacientes. Përpara operacionit, kirurgu plastik bën disa
llogaritje dhe vendos për masën e protezës që do të vendoset. Gjithashtu, në
konsultën paraoperatore, pacientja shpreh dëshirën për të patur të njëjtën madhësi
gjiri, ose ta zmadhojë ose ta zvogëlojë disi.

 

Konvaleshenca
nga operacioni zgjat 3 ditë deri në një javë, nga të cilat 3 netët e para
kalohen në spital. Pas javës së dytë lejohen ecjet dhe vrapimet e lehta; pas
javës së gjashtë lejohet palestra. Që në ditën e tretë pas operacionit vishen
recipeta të posaçme dhe në dukje nga jashtë, askush nuk e kupton që pacientja i
ka hequr të dy gjinjtë.

Ky
operacion mund të jetë një ndërhyrje për të ulur rrezikun e kancerit për
onkologët dhe kirurgët e përgjithshëm, por për kirurgët plastike ekziston
gjithashtu aspekti estetik i çështjes. Këshilla për heqjen e një gjiri të shëndetshëm
është mjaft traumatizues për pacientët dhe një rezultat jo estetik do ta
shtonte ndjeshëm këtë traumë. Por në shumicën dërrmuese të pacientëve, gjiri
pas operacionit ka një pamje më të bukur se gjiri paraoperator dhe pacientët
shprehin se janë të lumtura, jo vetëm se kanë ulur në minimum rrezikun e
kancerit, por edhe sepse kanë një gji më të ngritur dhe më rinor.

Ashtu
si personazhi jonë në këtë artikull, edhe unë si ajo, mendoj se parandalimi është
kura më e mirë; sensibilizimi dhe informacioni sa më i detajuar, janë armët më
të forta në luftën me këtë sëmundje agresive. Pra, mësoni opsionet tuaja deri në
detaje dhe kini parasysh që vendimet për trupin tuaj mund t’i merrni
vetëm Ju!