Si të biesh në peshë në mënyrë afatgjatë dhe të qëndrueshme

87
Gjithmonë kur bëhet fjala për rënien në peshë, njerëzit mobilizohen dhe përgatiten për rrugë sa më të shpejta që t’i çojnë menjëherë në destinacionin e duhur. Për këtë ata janë gati të marrin masa drastike, si shtrëngesa në dieta jo të shëndetshme dhe stërmundime në ushtrime fizike, duke shkaktuar hera-herës pasoja shkatërrimtare për organizmin.
Këto lloj programesh janë të destinuara të dështojnë. Njerëzit lodhen shpejt dhe kthehen sërisht në zakonet e mëparshme. Organizmi ka pësuar dëme, ndonjëherë të pariparueshme. Çfarë duhet bërë?
Një program i suksesshëm për kontrollin e peshës duhet të jetë domosdoshmërisht afatgjatë dhe në përputhje me mënyrën e funksionimit të organizmit. Por si funksionon organizmi? Organizmi njerëzor ka prirje për homeostazë, d.mth. të ruajë gjendjen e tij të prehjes dhe ekuilibrit. Kjo do të thotë që çdo ndryshim i menjëhershëm kundërshtohet nga ai dhe shkakton pasoja. Kështu, sipas kësaj teorie, të quajtur “set point theory” – “teoria e vetive strukturore” (G. W. Wade, 2004; Hallschmid, Benedict, Born, Fehm & Kern, 2004), nëse merrni më shumë kalori sesa keni nevojë për atë peshë, për ta kundërshtuar ndryshimin (rritjen) në peshë, organizmi do të rrisë shkallën e metabolizmit të tij. Ju do të ndieni një shtim të energjive dhe do të jeni i stimuluar për të harxhuar sa më shumë energji për të ruajtur gjendjen (masën aktuale të trupit). E njëjta dukuri e ruajtjes ndodh edhe kur merrni kalori më pak se sa duhen për të mbajtur peshën tuaj. Organizmi e ul shkallën e metabolizmit të tij. Ju do të ndiheni të lodhur dhe më pak të motivuar për lëvizje dhe aktivitet. Në këtë mënyrë do të harxhoni më pak kalori dhe pesha egzistuese ruhet.
Duke e njohur këtë tendencë – papajtueshmërinë e organizmit me ndryshimet e menjëhershme, – ju nuk duhet të krijoni një konflikt mes organizmit dhe programeve për ta ndryshuar atë, pasi organizmi reagon me “dhunë”. Ndryshimet gjithmonë bëhen në mënyrë graduale dhe afatgjatë. Programi për humbjen e peshës duhet të këtë si qëllim primar moscënimin e shëndetit dhe ndryshime që “pranohen” nga organizmi.
Ja cilat janë hapat për një kontroll të peshës në mënyrë të shëndetshme dhe afatgjatë:
Kryeni seanca aerobie dhe ushtrimesh fizike disa herë në javë për rreth 20-30 minuta. Ushtrimet e fizike me ngarkesë mesatare janë një nxitës mjaft efektiv për rritjen e metabolizmit të organizmit. Edhe pse gjatë këtyre seancave nuk harxhohen më shumë se 300-400 kalori, ushtrimet rrisin shkallën e metabolizmit edhe në gjendje qetësie. Kjo do të thotë që ju do të harxhoni më shumë kalori se më parë edhe kur jeni në gjendje qetësie. Tashmë, organizmi funksionon më mirë, shkëmbimi i lëndëve kryhet lehtësisht, trupi largohet nga toksinat dhe sistemi imunitar forcohet më shumë.
Ekuilibroni dietën. Është i nevojshëm një pakësim i kalorive të marra. Eleminoni marrjen e yndyrave (sidomos yndyrat e ngopura) dhe sheqernat. Përveçse shtojnë kaloritë e marra, sheqernat nxisin prodhimin dhe hedhjen e insulinës në organizëm. Nivelet e larta të yndyrave dhe insulinës në organizëm stimulojnë urinë.
Shmangni ngacmuesit e jashtëm që iu nxisin drejt konsumit të ushqimeve të padëshirueshme. Thjesht, shikimi i ushqimeve të tilla, aroma e përgatitjes së tyre apo bërja e pazarit ndërkohë kur jeni i uritur, shtojnë prodhimin e insulinës në organizëm, duke nxitur në këtë mënyrë urinë. Mënyra më e mirë është të mos ekspozoheni ndaj ngacmuesve të tillë që për ju përbëjnë realisht një sprovë.
Nëse filloi të bini në peshë, përqëndrohuni më tepër në ruajtjen e peshës egzistuese sesa në rënien e mëtejshme të saj. Pasi të qetësoheni dhe të krijoni një gjendje të qëndrueshme të peshës tuaj, atëherë filloni të merrni masa për rënien përsëri nga pesha. Është e këshillueshme se çdo rënie të jetë në një interval prej 2-3 muaj dhe rënia të jetë 0,5 deri 1 kg. Në këtë mënyrë keni siguruar një rënie të shëndetshme dhe jo të mundimshme nga pesha.