Shqipëria pa mjekë specialistë, 530 të ikur në Gjermani me urdhër të “Urdhrit të Mjekut”

80

Përparim HALILI

Ndërkohë që bëhet bujë për shtimin e mjekëve të familjes, “Rilindja” po lë pa mjekë fshatra e qytete

Ndërkohë që prej afro 4 vitesh, po bëhet bujë për shtimin e mjekëve të familjes, “Rilindja” po lë pa mjekë fshatra e qytete, ku flitet se ka shëndetësi falas. Por realisht, në 70% të zonave rurale nuk ka shërbim shëndetësor, ndërsa në 36 qytete, spitalet janë kthyer në qendra shëndetësore, në rrethe nuk ka mjekë specialistë, në qarqe mungojnë afro 40% e mjekëve specialistë, mbasi ka mjekë për veshët, por jo për sytë, ka për stomakun, por jo për zemrën, ka për kokën, por jo për këmbët, ka për thyerjet, por jo për ngjitjet, ka për veshkat, por jo për urologjinë! Ish-spitalet në qytete janë kthyer në godina bosh me një dhomë shërbim, ku bëhen vizita, gjilpëra kur ka dhe matje tensioni për të moshuarit që kanë mbetur në këto qendra banimi. Kështu e konceptoi “rilindja” reformën në mjekësi, duke mbyllur edhe maternitetet. Por ka një shqetësim më të madh që po merr përmasa të frikshme me shpejtësi. Një letër e ardhur në redaksinë e gazetës “Telegraf”, na informon se shërbimi mjekësor shtetëror në Shqipëri është pa mjekë specialistë, madje edhe pa mjekë të përgjithshëm, mbasi këta po ikin përditë jashtë vendit. Ndërsa ata që nuk ikin, vazhdojnë paguhen në shtet, por 80% të kohës zyrtare të punës, shërbejnë në spitalet private ku janë 2-3 punësuar, por edhe në klinikat e tyre private! Sipas letërshkruesit, i cili është mjek në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Fier, deri tani, nga Shqipëria kanë 530 mjekë specialist, të cilët janë punësuar në shërbimin mjekësor në Gjermani. Pse? Sepse atje ku paguhen shumë herë më tepër se në shëndetësinë shqiptare të “Rilindjes”. Sepse punojnë në kushte tepër komode, të pa denigruar, të pa kërcënuar e të pa përdorur nga politika, por edhe të pa shqetësuar nga dhuna e familjarëve të pacientëve. Për këtë shqetësim, ka dhënë alarmin edhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë Tiranë, A. Gjata, duke deklaruar se mjekët specialistë, por edhe të shërbimeve të tjera të mjekësisë shqiptare, po braktisin vendin duke kërkuar dhe marrë prej këtij universiteti, “CV”-të që u kërkohen atje ku shkojnë! Destinacioni i mjekëve shqiptarë që largohen “natën” nga “moçali” i mjekësisë së qelbur shqiptare të krijuar nga “çeta” e tenderxhiut koncesionar Ilir Beqja, dihet që është Gjermania, mbasi atje janë lehtësuar procedurat dhe janë liberalizuar kriteret e pranimit të mjekëve të huaj. Mjafton të marrin një vërtetim që janë specializuar në Universitetin e Mjekësisë Shqiptare, një vërtetim nga zyrat e burimeve njerëzore ku kanë punuar dhe një vërtetim, leje e rekomandim nga “Urdhri i Mjekut” (që ua ka dhënë), mjafton të japin edhe një provim licencimi mjekësor në Gjermani dhe pranohen lehtësisht në punë pa pagesa në dorë, pa “letra” e deputetësh, ministrash, politikanësh, kryetarësh bashkie, prefektësh, pa tesera partie, pa fotografi me udhëheqësit e partisë, pa kupon financiar që kanë ndihmuar fushatën elektorale!