Dhimbja e shpinës që shfaqet gjatë natës zakonisht është rezultat i qëndrimit jo korrekt të trupit gjatë ditës ose gjatë gjumit. Këtu përfshihet edhe veshja e takave të larta ditën, ose përdorimi i një dysheku tepër të butë ose tepër të fortë gjatë natës. Megjithatë, dhimbja e papritur e shpinës gjatë natës mund të tregojë një sërë problemesh ose shqetësimesh serioze shëndetësore.

Dysheku i gabuar

Nëse ju dhemb shpina sa herë që çoheni natën, atëherë fajin e ka dysheku. Kur ai është tepër i butë ose shumë i fortë, dysheku mund të jetë shumë problematik për kurrizin tuaj. Dysheku i butë nuk i ofron shpinës mbështetjen e duhur  dhe pengon qetësimin e muskujve.

Pozicioni i fjetjes

Nëse flini me shpinën në dyshek, atëherë mbani nën gjunjë një jastëk për t’i dhënë shpinës mbështetjen e duhur. Nëse flini përmbys, përpiquni të mbani një jastëk të sheshtë në pjesën e legenit dhe një po aq të sheshtë për kokën. Nëse flini në anë, atëherë mbani jastëk mes gjunjëve ndërkohë që njërën këmbë e mbani të peshuar në të. Shpina kështu do jetë më pak e stresuar.

Qëndrimi i gabuar gjatë ditës

Qëndrimi i keq në tryezë, kërrusja përpara kompjuterit ndryshon dalëngadalë të gjithë strukturën e trupit, duke u shoqëruar me dhimbje. Mundohuni të qëndroni drejt që të shmangni dhimbjet. Shpatullat nuk duhen tendosur, këmbët duhen mbështetur në dysheme ndërkohë që shpina duhet të qëndrojë drejt.

Takat e larta

Takat e larta shkaktojnë probleme me ligamentet e këmbëve dhe kanë tendencën ta kërrusin trupin e një gruaje. Për shkak të takave, dhimbjet e shpinës tek një grua janë të forta. Mundohuni t’i mbani vetëm në rastet kur e keni të nevojshme.

Shtatzania

Dhimbja e shpinës është shumë e përhapur tek gratë shtatzëna. Ajo shkaktohet nga zgjerimi i zonës së legenit gjë që pasohet me vështirësi në furnizimin e dobët të zemrës me gjak të oksigjenuar. Gratë shtatzëna këshillohen të flenë në anën e majtë.

Gurët në Veshka

Akumulimi i gurëve në veshka shkakton dhimbje të shpinës sidomos gjatë natës  dhe herët në mëngjes. Kjo ndodh sepse gurët në veshka vështirësojnë urinimin dhe shtojnë presionin në organizëm.

Tumoret

Dhimbja e shpinës, e cila ka një pikënisje jo të qartë, mund të jetë simptomë e një tumori në disa prej organeve të brendshme si për shembull pankreasi, zorra e trashë, vezoret dhe mitra. Shqetësimi është konkret kur dhimbja nuk largohet pavarësisht medikamenteve qetësuese.

Grupmoshat më të rrezikuara

Grupi më i rrezikuar janë meshkujt e moshës 40 dhe 60 vjeç the femrat 30 dhe 65 vjeç. Ekzistojnë disa metoda të trajtimit të dhimbjes në pjesën e poshtme të shtyllës kurrizore si barnat, terapia etj.