Shënohet rasti i parë i malarjes në Shqipëri

494
Në Shqipëri është shënuar rasti i parë me malarje, por mjekët saktësojnë se i sëmuri është infektuar në Greqi dhe jo në vendin tonë. I infektuari nga Librazhdi mësohet se është punonjës sezonal në shtetin fqinj dhe sapo ka mbërritur në vendlindje ka shfaqur edhe shenjat e para të sëmundjes. Pas analizave, u verifikua se ai ishte prekur nga malarja. Ai ndodhet i shtruar prej disa ditësh në repartin e Infektivit në QSUT nën kujdesin e mjekëve.
Autoritetet shëndetësore raportojnë se ky është një rast i izoluar dhe se nuk ka të prekur të tjerë nga sëmundja. Në Shqipëri nuk ka malarje autoktone prej disa vitesh. Ndërkohë në Greqi këtë vit janë regjistruar 65 raste me malarje ndërsa vitin e shkuar numri i të prekurve në total ishte 85. Malarja transmetohet nga mushkonja anofele kur ajo pickon një të prekur dhe më pas injekton virusin tek personat e tjerë. Paraziti i malarjes fillimisht fshihet në mëlçi, para se të shkojë në gjak dhe infektojë qelizat e kuqe të gjakut. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, të dridhura, djersitje, dhembje koke e muskujsh, të përziera dhe të vjella. Ndonjëherë simptomat mund të përsëriten çdo 48 deri në 72 orë, në varësi të llojit të parazitit dhe të periudhës së infektimit.
Sigal