Sëmundjet që përkeqësohen në dimër dhe si t’i parandalojmë

621
Sigal

 

Ushqehuni më mirë dhe me sa më shumë lëng mishi, fruta,
perime, duke mos harruar edhe shtimin e lëngjeve.

 

Gjatë dimrit
organizmi dhe zemra punojnë më shumë për të përballuar të ftohtin. Kjo mund të
jetë veçanërisht e rrezikshme për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Disa nga
sëmundjet që shfaqin më shumë probleme në këtë stinë janë: sëmundjet e rrugëve
të sipërme të frymëmarrjes: skuqje apo dhimbje deri në infeksion të bajameve,
veshëve, hundës dhe sinuseve (sinuzite); sëmundje të rrugëve të poshtme të
frymëmarrjes: gripi dhe viroza të ndryshme, acarim i astmës deri në infeksione
të mushkërisë; dhimbje koke si pasojë e spazmave/ngushtimit të enëve të gjakut
në kokë; rritje e tensionit arterial dhe përkeqësim të tij te të sëmurët
kronikë; shtrëngime deri në infarkte të zemrës; probleme të qarkullimit të
gjakut, si: morthi, scleroderma etj; fraktura, ndrydhje dhe dëmtime të tjera si
pasojë e rrëshqitjeve në akull. Ndaj këshillohet të ecni me kujdes e hapa të
vegjël dhe duart duhet të mbahen jashtë xhepave; ngrirjet e ekstremiteteve
(koka, këmbët e duart) deri në amputime të tyre.

Parandalimi

Nëse sëmureni me
grip apo një nga virozat e stinës, përdorni medikamente për të ulur
temperaturën, Paracetamol kur ajo të rritet mbi 38-38,5°C. Nëse temperatura
zgjat për më shumë se 5 ditë dhe është mjaft rebele, atëherë drejtohuni te
mjeku i familjes. Për të qetësuar kollën, përdorni qumësht me mjaltë, çaj me
sherebelë, dafinë, bli etj. dhe ajrosni herë pas here ambientet. Ushqehuni më
mirë dhe me sa më shumë lëng mishi, fruta, perime, duke mos harruar edhe
shtimin e lëngjeve. Futini këmbët në ujë të ngrohtë për 10 minuta në darkë, mos
përdorni antibiotikë, pa këshillën e mjekut. Në rastet kur temperatura e pacientit
vazhdon të mos bjerë, fillon të shfaqet vështirësia në frymëmarrje, dhimbje
veshi, fyti, koke, apo kraharori dhe gjendja e përgjithshme rëndohet, atëherë
mund të keni një infeksion të rrugëve të sipërme apo të poshtme të
frymëmarrjes, të cilat kërkojnë trajtim me antibiotikë, bronkodilatatorë etj.,
ndaj duhet të konsultoheni patjetër me mjekun tuaj. Nëse ju shfaqet apo vuani
me rritje të tensionit arterial (hipertension mbi 140/90 mmHg) apo shtrëngim në
zemër drejtohuni menjëherë te mjeku dhe këshillohuni për dozat dhe llojin e
medikamenteve. Qëndroni në ambiente të ngrohta. Evitoni daljet në orët më të
ftohta të ditës, pasi sa më e ftohtë temperatura e ambientit, aq më shumë
vështirësohet puna e zemrës. Mos përdorni pije alkoolike për t’u ngrohur, por
çajëra, apo ushqime të ngrohta. Alkooli ul vigjilencën dhe pengon aftësinë për
t’u mbrojtur nga i ftohti. Nëse keni probleme të qarkullimit të gjakut, si:
morthi, scleroderma etj. nuk duhet të dilni nga shtëpia pa përdorur kremrat e
këshilluar nga mjeku dhe duhet të mbani sa më ngrohtë pjesët e ekspozuara, duke
përdorur dorashka leshi, shall, kapuç etj. Nëse qëndroni gjatë në të ftohtë,
organizmi juaj nuk arrin të prodhojë aq nxehtësi sa harxhon dhe ju do të
filloni të vuani nga hypothermia ose ulja e temperaturës dhe me kalimin e kohës
do të ndiheni të lodhur, të mpirë dhe konfuzë. Kjo pasi si pasojë e ngushtimit
të enëve të gjakut në tru, ai fillon të mos mendojë qartë dhe pastaj lëvizjet
fillojnë të ngadalësohen deri kur temperatura e trupit të bjerë nën 35° C deri
në ngrirje. Shenjat e para të ngrirjes janë mungesa e ndjeshmërisë, skuqja dhe
dhimbjet në indet e lëkurës dhe nënlëkurës në ekstremitete (kokë, këmbë e duar)
dhe zonat më të ekspozuara si fytyra, veshët etj. Në raste të tilla nuk duhet
të masazhohen pjesët e ngrira, por duhet të futeni menjëherë në një ambient të
ngrohtë dhe të pini pije të ngrohta që të rrisin temperaturën e trupit, duke
evituar përdorimin e alkoolit. Kujdes nëse lëkura merr ngjyrë të zbehtë deri në
të verdhë-jeshile, pasi mund të shkojë deri në gangrenizim që kërkon dhe
amputimin e tyre. Nëse rrëzoheni në ngrica dhe pësoni ndrydhje apo fraktura,
thërrisni menjëherë ambulancën dhe drejtohuni në spital për ndihmë të
specializuar.

Ilaçet

Duhet të
konsultoheni me mjekun për ndryshimin e dozave nëse merrni medikamente për: a. sëmundjet kardio-vaskulare (tension
të lartë gjaku, sëmundje të zemrës, apo enëve të gjakut), pasi gjatë të ftohtit
këto sëmundje përkeqësohen ndjeshëm;

b. por edhe për
sëmundje si epilepsia, pagjumësia, ankthi, hipotiroidizmi etj. (qetësues,
antiepileptikë, hormone etj.), pasi këto medikamente ndërhyjnë në qendrën e
rregullimit të temperaturës në tru dhe ju mund të mos jeni më vigjilent ndaj të
ftohtit dhe të mos e ndjeni që tashmë po ngrini.

Sëmundjet që shfaqin probleme

1. Sëmundje të
rrugëve të sipërme të frymëmarrjes: skuqje apo dhimbje deri në infeksion të
bajameve, veshëve, hundës dhe sinuseve (sinuzite).

2. Sëmundje të
rrugëve të poshtme të frymëmarrjes: gripi dhe viroza të ndryshme, acarim i
astmës deri në infeksione të mushkërisë.

3. Dhimbje koke si
pasojë e spazmave/ngushtimit të enëve të gjakut në kokë.

4. Rritje e
tensionit arterial dhe përkeqësim të tij te të sëmurët kronikë.

5. Shtrëngime deri
në infarkte të zemrës.

6. Problem të
qarkullimit të gjakut, si: morthi, scleroderma etj.

7. Fraktura,
ndrydhje dhe dëmtime të tjera si pasojë e rrëshqitjeve në akull.

8. Ngrirjet e
ekstremiteteve deri në amputime të tyre.

Kategoritë më të rrezikuara nga i ftohti

Fëmijët: Sa më të vegjël ata, aq
më shumë rrezikojnë nga uljet e temperaturës dhe sëmundjet, ndaj evitoni në
maksimum daljet dhe siguroni një temperaturë konstante në shtëpi. Për bebet nën
6 muaj, nëse sëmuren, drejtohuni menjëherë te mjeku. Të moshuarit që rrezikojnë
të pësojnë fraktura kockore dhe të kenë vështirësi në frymëmarrje, rritje të
tensionit apo shtrëngim në zemër dhe pjesën e prapme të kraharorit. Të sëmurët
kronikë, sidomos ata me sëmundje të zemrës dhe hipertension, apo me sëmundje
pulmonare.

Shtatzënat kërkojnë gjithashtu përkujdesje të veçantë
gjatë ditëve të ngricave.

Të gjithë këta
persona (përveç foshnjave nën 6 muajsh) për t‘u mbrojtur nga virozat e ndryshme
të stinës së ftohtë, duhet të vaksinohen me vaksinën antigrip vit pas viti.