Sëmundjet infektive, kur puthja shndërrohet në problem shëndetësor

959
Sigal

Nëse mendoni se puthja përcjell vetëm dashuri dhe përfitime duhet ta rimendoni, mund të jetë edhe e dëmshme për shëndetin.

Quhet “Sëmundja e puthjes”, sepse kjo është mënyra e përcjelljes së mikrobit.

Mjekët infeksionistë thonë se mononukleoza infektive apo sëmundja e puthjes është virale, e haset shpesh tek fëmijët dhe deri në moshat 25 vjeç, ku puthjet janë më të shpeshta dhe të shprehura.

Është sëmundje që paraqitet fillimisht me temperaturë 37 e gjysmë ose 38. Ekspertët shpjegojnë se nuk i lë bajamet të qelbëzuara, por të mbuluara me një cipë të bardhë në gri, që është shenjë e infeksionit viral.

Sipas mjekëve, ajo nuk kalon thjesht duke marrë antibiotikë, të cilët mund ta përkeqësojnë gjendjen; brenda 4 apo 6 javësh situata normalizohet vetë, por duhet të bëjnë shumë kujdes personat që kanë probleme me mëlçinë, sepse shkakton hepatitin mononukleozik.

Ai gjithashtu mund të shkaktojë probleme tek ata pacientë që kanë një sistem të dobët imunitar, siç janë ata me kimioterapi ose me HIV / AIDS. Njerëzit që preken mund të ndihen të lodhur dhe ndikon në aktivitetin e përditshëm.

Një analizë gjaku është e nevojshme për të ndihmuar në konfirmimin e diagnozës së mononukleozës.

Mbrojtja më e mirë? Meqenëse nuk ka vaksinë për virusin, është e rëndësishme të praktikohet një higjienë e mire.

Nëse jeni diagnostikuar me mononukleozë, mjekët rekomandojnë të mbani distance duke mos puthur, duke mos ndarë ushqim, pjata, gota dhe sende të tjera personale.

Dhe mbuloni gojën dhe hundën kur teshtitni ose kollitni. Kjo është e rëndësishme kur bëhet fjalë për parandalimin e përhapjes së të gjitha viruseve, përfshirë edhe mononukleozën.