Sëmundjet e rrezikshme që parandalon bamja

7446
Bamja, një perime kjo shumë e rekomandueshme për mjekimin e sëmundjeve të mëlçisë së zezë dhe tëmthit, pasi favorizon eliminimin e lëndëve toksike me aparatin hepato-biliar dhe me aparatin uro-genital. Lëngu i bamjes së freskët ose të thatë përdoret gjerësisht si lëndë ushqimore-dietike dhe mjekësore me veti zbutëse si dhe në rregullimin e disa ndërlikimeve të aparatit respirator si faringitin, laringitin, ngjirjet e zërit, bronkitin dhe madje edhe tuberkulozin (TBC) që shoqërohet me kollë, gëlbazë dhe me shtrëngime e spazma të traktit respirator. Lëngu i bamjes në të gjithë rastet përdoret 3 herë në ditë nga 1-3 lugë gjelle dhe ai mund të shoqërohet sipas dëshirës me pak kripë, me pak sheqer ose me pak mjaltë.
Konsumimi i saj ka efekt kundër diabetit, ndikon tek të sëmurët me reumatizma të ndryshme, kundër kapsllëkut, tek problemet me frymëmarrjen, fshikëzën urinare, në arterie etj. Bamja është një nga ushqimet më të shëndetshme dhe është përdorur për shekuj me radhë edhe për qëllime shëruese. Bamja është një nga ushqimet më të vjetra, ku sipas disa burimeve ajo është përdorur në ushqim rreth 3500 vjet më parë, veçanërisht nga egjiptianët që e adhuronin këtë perime. Edhe sot ajo përdoret në mbarë botën si për shkak të shijes unike, metodës së gjerë të aplikimit, ashtu edhe për shkak të vetive shëruese. Kjo bimë është në vendin e parë për vitaminë C, vitaminë K dhe folate. Përveç kësaj, ajo përmban një sasi të theksuar të fibrave që janë me rëndësi të madhe për një tretje të mirë, stabilizim të sheqerit në gjak dhe kontrollin e absorbimit të sheqerit në organizëm.
Sigal

Po çfarë të mirash sjell bamja?

Për shkak se bamja është shumë e pasur me minerale dhe vitamina, ajo ka rëndësi të madhe për shëndetin e përgjithshëm të organizmit. Me bamje mund të luftoni sëmundje të caktuara dhe ta parandaloni shfaqjen e tyre. Disa prej vlerave të saj po i përmendim më poshtë:

1. Ajo ndihmon për një shtatzëni të sigurt dhe të shëndetshme.

Vitamina B e cila është përgjegjëse për prodhimin e qelizave të reja dhe folateve, ka rëndësi të madhe për një shtatzëni të shëndetshme. Kjo vitaminë i parandalon defektet e lindjes tek foshnja dhe e ndihmon atë të rritet dhe zhvillohet. Përveç folateve një rëndësi të madhe ka edhe vitamina C, të cilën bamja e ka me shumicë.

2.Bamja ndihmon në parandalimin e diabetit.

Falë fibrave dhe ushqyesve të tjerë, bamja është shumë efektive kur bëhet fjalë për normalizimin e niveleve të sheqerit në gjak dhe nxit uljen e simptomave të diabetit.

3. Bamja gjithashtu ndihmon në funksionimin normal të veshkave.

Studimet kanë zbuluar se konsumimi i rregullt i bamjeve ul rrezikun e sëmundjeve të veshkave, veçanërisht ato të shkaktuara nga diabeti.

4.Mund të ndihmojë me problemet e frymëmarrjes si astma.

Bamjet përmbajnë vitaminë C e cila është vërtetuar se ndihmon tek sëmundjet respiratore si astma. Një studim ka treguar se përmes konsumit të rregullt të ushqimeve të pasura me vitaminë C, madje edhe në sasi të vogla, reduktohen simptomat e astmës tek fëmijët.

5.Bamja ndihmon për shëndetin e lëkurës

Vitamina C ndikon në shëndet dhe pamjen rinore të lëkurës, nxit rritjen dhe rigjenerimin e indeve gjë që ndikon në prodhimin e përmirësuar të kolagjenit. Nga bamja mund të bëni një maskë të shkëlqyeshme për fytyrë duke e zier në ujë derisa të zbutet plotësisht, pastaj e shtypni dhe e aplikoni në fytyrë. Pas pesë minutash, fytyrën shpëlajeni, ndërsa rezultatet do të jenë të dukshme menjëherë.
Këto ishin disa nga vlerat ushqyese dhe mjekësore të bamjes dhe konsumimi i saj do të ishte ideal në këtë stinë, sepse është edhe stina e këtyre perimeve. Me anë të tyre ju do të shtonit cilësinë e dietës tuaj dhe do të ishit në gjendje të mirë shëndetësore.