Sigal

Të gjithë ne (kush më shumë e kush më pak), flasim për trupin tonë. Me miqtë, me prindërit, me veten tonë para pasqyrës. Për fat të keq, kur e bëjmë këtë, jo gjithmonë themi gjëra të mira, përkundrazi, në shumicën e rasteve, nuk bëjmë gjë tjetër veçse kritikojmë rëndë veten. Shumë shpesh pra, dalim para pasqyrës dhe nuk na pëlqen ajo që shohim: vithet e mëdha; barku i rrumbullakosur; krahu, këmba, fytyra… Por tek e fundit është normale që gjithsecili të kërkojë më të mirën e mundshme sa i takon pamjes fizike. Ama ajo që është jo normale, është kur kjo ndjenja e paaftësisë për ta pranuar veten bëhet aq e fortë, sa kthehet në obsesion, një ide fikse që të shtyn pafundësisht drejt përmirësimit të imazhit, drejt fshehjes së defekteve ose, akoma më keq, drejt të bërit keq vetes.

1- Mos kini frikë nga ajo që të tjerët mendojnë për ju, shumica e tyre bëjnë të njëjtën luftë çdo ditë

Kur ndjeni frikën dhe bezdinë e vazhdueshme për atë që të tjerët mund të mendojnë për ju, bëheni super të ndjeshëm, qoftë edhe për shakatë e pafajshme të një miku. Imazhi i një modeleje, e dobët, e buzëqeshur dhe e lumtur, ose edhe thjeshtë shikimi kalimtar i dikujt, rëndon shumë. Por ajo që nuk dini, ose që tentoni ta injoroni, është se shumica e njerëzve, ashtu si ju, janë shumë të zënë me mendimet për veten dhe defektet e tyre për tu marrë me ju. Kështu mund të ndodhë që kur shkoni në një festë ose darkë, dhe mendoni se të gjithë po ju shohin ju dhe po kritikojnë trupin tuaj, në fakt ata po mendojnë të njëjtën gjë si ju. Pastaj edhe sikur të ketë njerëz që ju kritikojnë për atë që jeni, nuk do të heqin dorë nga kjo, pavarësisht se ju, ju mërzit kjo gjë. Me siguri e bëjnë këtë sepse e urrejnë aq shumë veten, sa as që duan të mendojnë fare për të dhe kthehen dhe ju kritikojnë juve sepse aty shohin të gjitha defektet e tyre, të cilat pavetëdijshëm ose jo, janë të bindur që i kanë.

2- Jini vetvetja

Të jesh vetvetja do të thotë të jesh ajo që je, me pikat e tua të forta, me defektet e tua, që nuk jeton një jetë të diktuar nga të tjerët. Do të thotë të mos biesh në grackën e frikës imagjinare dhe zemërimit për pamjen tuaj. Kur të pranoni personin e mrekullueshëm që jeni, nuk do të keni më nevojë të fshihni apo të mbuloni defektet që mendoni se keni për tu dukur më mirë. Kjo, në të njëjtën kohë, do t’ju ndihmojë të dukeni me mirë në sytë e të tjerëve. Natyrisht vetëpranim nuk do të thotë ta lini veten pas dore. Për aq sa mundemi, duhet të kujdesemi për trupin, tempullin e shpirti tonë. Këshilla është: pranojeni veten siç jeni, është hapi i parë drejt çdo lloj përmirësimi. Një sfidë shumë interesante është ajo e Louise Hay (autorja e famshme e librave dhe kurseve mbi të menduarit pozitivisht), e cila këshillon të përsërisni çdo ditë (për 30 ditë), në mëngjes ose gjatë ditës, duke u parë në pasqyrë: “Unë e pranoj veten time, tani, pa kushte”. Shumëkush mund të mos besojë në efikasitetin e kësaj praktike, por me siguri kjo është më mirë sesa: “unë e urrej veten dhe trupin tim” ose “jam e shëndoshë si dosë” ose “jam shumë e dobët, askush nuk më do”, etj., etj.

3-Harxhoni kohë dhe energji për të dashur ata që ju duan ashtu siç jeni. Mos kërkoni “edhe kështu, edhe ashtu”

Trukimi, mundimi për tu dukur e dobët, stërmundimi në palestër për të skalitur trupin si personazhet që shikoni në televizor dhe shpresa se kështu i largoheni kërkimit për miqësi është njësoj si të shkoni ta kërkoni dashurinë e jetës në një bar të rëndomtë periferie. Duke bërë kështu do të tërhiqni rreth vetes persona që janë të interesuar më shumë për mënyrën sesi dukeni sesa si jeni në të vërtetë. A jeni të sigurt se i doni këta lloj njerëzish në jetën tuaj? A nuk do të ishte më mirë të rrethoheshit nga njerëz që pëlqejnë mënyrën si e mendoni jetën, me të cilët keni mendime dhe pritshmëri të përbashkëta? Vriteni pak mendjen… Në përgjithësi, ata që kërkojnë të përdorin pamjen fizike për të marrë miratimin e të tjerëve, e bëjnë këtë sepse mendojnë se kanë shumë defekte. Kjo ndodh edhe sepse shpesh, nuk jemi të vetëdijshëm se posedojmë cilësi dhe fuqi të jashtëzakonshme.

4- Jepuni fund kritikave për defektet e të tjerëve. Kur drejtoni gishtin mbi dikë tjetër, shumë të tjerë janë drejtuar drejt jush

Kur kritikoni trupin e dikujt, pavetëdijshëm bëni krahasim me fizikun perfekt, i cili, për ironi të fatit, është i njëjti fizik që mendoni edhe kur gjykoni veten apo jo? Por, për fat të keq, fiziku perfekt nuk ekziston, edhe pse ne mund të na duket ndokush perfekt – personazhe VIP, modele, vajza apo djali me të cilin jeni dashuruar. Me shumë mundësi ata që ju i merrni si shembullin e fizikut perfekt, nuk mendojnë si ju. Përkundrazi! Edhe ata e gjykojnë veten keq, më shumë se ç’mund ta marrim ne me mend. Për ta shpëtuar veten nga kurthi i “fizikut perfekt”, duhet të shpëtojmë nga të tjerët.

5-Kuptojeni se nuk jeni vetëm trupi juaj

Me siguri duhet ta keni dëgjuar këtë nga shumë guru shpirtërorë që thonë shpesh e më shpesh se ne nuk jemi vetëm trupi ynë dhe të ndihesh kështu, mbi dy këmbë, nuk ka shumë kuptim. Hapni sytë dhe shikoni realitetin, shikojeni veten si trup, mendje dhe shpirt, jo vetëm një copë mishi me tru. Mund të fitoni një prespektivë më të ekuilibruar mbi ekzistencën tuaj. Trupi nuk ekziston vetëm për t’i shërbyer vetes, dhe nëse e mendoni këtë, mendoni edhe se për t’i lexuar këto këshilla gjithçka duhet është një revistë ose edhe vetëm kompjuteri. Thënë më shkoqur, revista që keni në duar nuk është vetëm ky artikull, është shumë më tepër. Kështu ndodh edhe për trupin. Të gjithë ne duhet të mësojmë të vlerësojmë më mirë edhe detajet më të vogla të qenies tonë, ato përtej trupit dhe jetës së përditshme. Filloni pak nga pak të vlerësoni përtej pamjes fizike, kështu do të filloni të vlerësoni cilësitë e mira që keni.