San Francisco ndalon cigaret elektronike

480
Sigal

San Francisco do të bëhet qyteti i parë i madh në SHBA që ndalon shitjen e cigareve elektronike, ndërkohë që autoritetet kërkojnë të kontrollojnë rritjen e shpejtë të përdorimit te adoleshentët të aparateve të nikotinës, të prodhuara nga kompani si Juul. Bordi i Mbikqyrësve të San Francisco miratoi urdhëresën këtë Javë, që ndalon shitjen dhe shpërndarjen e cigareve elektronike, deri sa të miratohen nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në SHBA.

Shtetet dhe qytetet në SHBA,  kanë ndaluar cigaret elektronike të aromatizuara dhe kanë rritur moshën ligjore për blerjen e produkteve në 21, por asnjë urdhër nuk ka qenë kaq i ashpër sa i San Francisco.  Juul, që është themeluar në San Francisco dhe është kthyer në prodhuesin kryesor të cigareve elektronike në SHBA, ka qenë në qendër të debatit të autoriteteve. Ndërkohë që shitjet janë rritur ndjeshëm,  marka është bërë e famshme te adoleshentët.   Të dhënat federale vitin e kaluar, treguan një rritje me 78% të përdorimit të cigareve elektronike te gjimnazistët në SHBA. Cigaret elektronike kanë ekzistuar në zona gri rregullatore prej vitesh.  Prodhuesit e tyre janë përballur me afatin e 2018-ës për të dërguar aplikimet te Administrata e Ushqimit dhe Barnave, por ky afat u shty në vitin 2022.

Zëdhënësi i Juul, Ted Kwong, u kundërpërgjigj duke thënë se kjo do të bëjë që duhanpirësit e rritur të kthehen përsëri te cigaret vdekjeprurëse. Juul, ku prodhuesi i Marlboro Altria Group ka 35% të aksioneve, ka hequr aromat e famshme si mango dhe kastraveci nga dyqanet dhe ka mbyllur kanalet në Instagram dhe Facebook.   Cigaret elektronike mendohet se janë më të sigurta se ato tradicionale, që vrasin thuajse gjysmën e përdoruesve sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Megjithatë, efektet afat-gjata në shëndet janë ende të paditura