Sa i rëndësishëm është kremi i plazhit

497
ër të shmangur rreziqet që na kanosen nga temperaturat e larta, duhet të përdorim produktet mbrojtëse kundër rrezeve të forta të diellit, të cilat “premtojnë” mrekulli, mbrojtje maksimale dhe një nxirje uniforme. Por çështja është më e komplikuar nga ç‘duket, sepse faktorët në lojë për zgjedhjen e një kremi mbrojtës janë të shumtë. Është e rëndësishme që secili prej jush të ndjekë këshillat e vjetra të gjyshes për oraret e ekspozimit në diell, për të ndenjur nën çadër, për të mbajtur kapele, por edhe të lexoni me kujdes substancat të cilat përbëjnë kremin mbrojtës që do blini. Duke u ekspozuar gjatë gjithë kohës në diell, pa u mbrojtur, rrezikojmë të bëjmë gabime të vogla e të mëdha, me pasoja që ndikojnë menjëherë në lëkurë, apo rreziqe të tjera që shfaqen dalëngadalë me kalimin e kohës. 
Filtër i lartë, mbrojtje perfekte?
Mbrojtja e madhe me faktor mbi 50 nuk është sinonim i sigurisë absolute, sepse nëse nuk do të marrim parasysh faktorët e tjerë, mund të rrezikojmë të digjemi edhe duke aplikuar mbi trup një krem mbrojtës me faktor të lartë. “Nuk duhet të harroni ta lyeni trupin me sasinë e duhur të kremit kundër diellit, dhe të vazhdoni ta përsërisni veprimin të paktën çdo dy orë”, këshillon një dermatologe nga Universiteti i Nju Jorkut.  “Gjithashtu duhet të kini parasysh se shpesh filtrat janë të paqëndrueshëm: kur filtri ka thithur energjinë e fotonit, nuk është e thënë që më pas të mos lëshojë radikale të lira dhe të mos e dëmtojë trupin”, thekson një tjetër dermatologe. “Gjithsesi, të flasësh për kancerin është paksa e ekzagjeruar. Duhet të tregojmë kujdes që këto filtra të mos jenë të pranishme te produktet me bazë vazelinën, sepse këto produkte janë klasifikuar si substanca kancerogjene të nivelit 2. Për fat të mirë, studimet në Evropë janë më të përparuara se në Shtetet e Bashkuara. Në Evropë po zbulohen lloje të reja vazeline vegjetale dhe kanë filluar të përdoren filtrat natyrorë, si oksidi i zinkut dhe dyoksidi i titanit, edhe pse mes të dyjave më i sigurt është i pari”.  Nuk duhet të harrojmë se zgjedhja e filtrit është e rëndësishme jo vetëm për shëndetin e lëkurës, por edhe për atë të ambientit, sepse shumë substanca janë helmuese edhe për faunën ujore. Dermatologia këshillon që të bëni kujdes me kremrat e përbërë nga “mineral oil” dhe “paraffinum liquidum”, pra me vajin e famshëm të vazelinës. “Kur bëhet fjalë për një krem plazhi, duhet kontrolluar gjithçka, si filtri mbrojtës, ashtu edhe ambalazhi ku është futur. Kremi ideal duhet të qëndrojë mbi sipërfaqen e lëkurës”, shpjegon doktoresha. 
Këshilla të vlefshme 
“Këshillat e vjetra të gjyshes”, të kombinuara me kremin mbrojtës, mbeten gjithmonë mënyra më e mirë për të shmangur djegien: “Ideale është nëse jeni në barkë, ose në mal, të mbani kapele dhe të përdorni krem mbrojtës me faktor më të madh se 50. Fëmijët që shkojnë në plazh, duhet të mbrojnë shpatullat dhe mund të ekspozohen në diell, sepse ky i fundit ka shumë avantazhe, si në prodhimin e vitaminës D, ashtu edhe në mbrojtjen nga tumoret e ndryshme”, këshillon dermatologia. “Gjithsesi, janë shfaqur vetëm disa cilësi të efikasitetit të vitaminës D kundër kancerit, ndërkohë që lidhja mes ekspozimit në diell dhe tumoreve të lëkurës është forcuar. Gjithashtu, nuk duhet të qëndrojmë gjithë ditën në diell për të marrë një ngjyrë të bukur. Në ndihmë do t‘u vinin edhe 10 minuta, apo një dietë e shëndetshme me fruta e zarzavate”, thekson ajo.  Nëse dëshironi të ekspozoheni në diell, duhet ta bëni në mëngjes herët dhe pasdite, kur rrezet nuk janë shumë të forta (pra kur hija jonë është pak më e gjatë se ne). Është e këshillueshme që çdo dy orë trupi të lyhet me krem, pasi të dilni nga uji. Kremi duhet të qëndrojë në ambiente të freskëta. Për ata që ekspozohen në diell pa kremra mbrojtës, djegia nuk përbën ndonjë problem shqetësues, sepse janë mësuar kështu që të vegjël. Gjithashtu, kur zgjedhim një krem solar, duhet t‘i kushtojmë më shumë rëndësi fototipit, sesa fenotipit tonë (ngjyrës së flokëve dhe të syve), ose më saktë se si lëkura reagon ndaj diellit, nëse është e prirur të digjet, apo nxihet lehtë. Sa më i vogël të jetë fototipi, aq më i dëmshëm mund të jetë dielli. Por zgjidhja e vetme, duke shmangur ekspozimin në orët e drekës, është përdorimi korrekt i kremrave solarë. Edhe një këshillë të fundit: këshillohuni me dermatologun para se situata të rëndohet (kur jeni djegur nga dielli, ose kur ju janë shfaqur pulla të bardha mbi lëkurë), ose kur keni probleme konkrete, por pa e dramatizuar, sepse, siç thotë doktoresha: “Lëkura është ‘mikesha‘ jonë më e mirë dhe në çdo moment po ta kurojmë dhe ta trajtojmë me kujdes, arrijmë rezultate optimale”.
Sigal