Ricertifikimi i mjekëve, kreditet që fitohen nga botimet në revista shkencore

505
Pas publikimit të kritereve të reja të ciklit të dytë të edukimit në vazhdim për mjekët, farmacistët, stomatologët, infermierët, mamitë dhe ndihmësfarmacistët, zbardhet numri i krediteve, me të cilat do të vlerësohen aktivitetet e paakredituara paraprakisht nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Bëhet fjalë për regjistrimin e krediteve nga botimet në revista shkencore, botimi i teksteve mësimore, recensimi i botimeve, udhëheqje e oponenca shkencore, ndjekje e praktikave profesionale, stafet profesionale, shkencore në shërbimet klinike të QSUT-së si dhe postera e abstrakte. Për secilin prej tyre, Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon një numër të caktuar kreditesh që mund të sigurohen, të cilin e gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Ndërkaq, sa i takon procedurës së regjistrimit të këtyre krediteve, saktësohet se kërkesa për njohjen e tyre duhet bërë individualisht nga profesionisti, pranë QKEV-së. Dokumentet që duhet të paraqiten në rastet e botimit të artikujve, kapitujve të librave ose librave, janë fotokopje të kapakut të revistës ose librit, si dhe fotokopja e faqes së parë të artikullit ose kapitullit. Në rastet kur profesionisti ka hartuar kurrikula universitare ose pasuniversitare, dokumentet që duhet të paraqiten janë një vërtetim nga fakulteti përkatës dhe një fotokopje e faqes së parë të tyre.

Aktivitetet e vetëraportuara
Po ashtu, VKM-ja saktëson edhe numrin e krediteve që do të sigurohet nga profesionisti i shëndetësisë për aktivitetet e vetëraportuara, që sipas tij kryhet në mënyrë individuale nga profesionisti pranë QKEV-së. Profesionisti duhet të deklarojë programet e multimedias, të studimit të literaturës profesionale ose vizitat studimore që ka kryer gjatë një viti kalendarik në funksion të përmbushjes së nevojave të tij profesionale, si dhe orët aktive të përfshirjes së tij në këto aktivitete. Përllogaritja e krediteve për aktivitete të kësaj kategorie bëhet sipas një ndarjeje të veçantë, të cilën gjithashtu, e gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit.
Kushtet
Cikli i dytë i edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë do të zgjasë 4 vjet, ndërkohë që numri i krediteve që duhet të grumbullojnë gjatë kësaj periudhe ka pësuar ulje në krahasim me ciklin e parë. Sipas rregullave të reja, detyrimin për të mbledhur kredite, përveç mjekëve, farmacistëve dhe stomatologëve do e kenë edhe infermierët, ndihmësfarmacistët dhe mamitë. Gjithashtu, vendimi i qeverisë saktëson se brenda një cikli 4-vjeçar, mjekët duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 120 kredite të edukimit në vazhdim, stomatologët dhe farmacistët e ndihmësfarmacistët 60 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite. Deri më tani, detyrimi për mjekët ishte 150 kredite, ndërsa për farmacistët dhe stomatologët nga 100 kredite, përgjatë ciklit 5-vjeçar. Sipas vendimit të qeverisë, procesi i certifikimit të ndihmësfarmacistëve, infermierëve dhe mamive do të fillojë nga data 1 janar 2016. Ndërkaq, ashtu sikurse ishte përcaktuar gjatë ciklit të parë, profesionistët e shëndetësisë, të cilët nuk mbledhin numrin e kërkuar të krediteve, do t’i nënshtrohen provimit të certifikimit, e nëse nuk e kalojnë me sukses, humbasin të drejtën e ushtrimit të profesionit.
Sigal