Reklamat e ilaçeve që po dëmtojnë shqiptarët

10416
A DUHET TË REKLAMOHEN NGA MEDIAT VIZIVE REKLAMAT PËR ILAÇET?

Shpesh herë në shtypin viziv gjatë shfaqjes së ndonjë filmi, dhënies së kohës etj. vëmë re që spikerja thotë që ky film u mundësua nga filan ilaç. Për mendimin tim nuk duhet të reklamohet në popull kjo gjë, mbasi ilaçet nuk janë karamele me shije të ndryshme që duhet t’i shijojmë, por janë ilaçe dhe si të tilla ato përdoren nga ne. Është e vërtetë që ato shërojnë kollën, reumatizmin, dhimbjet etj., por mos harrojmë që në të njëjtën kohë ato kanë edhe kundër-ndikime. Ilaçet në të vërtetë janë si ajo thika me dy presa, e cila nga njëra anë pret, por po nuk dite ta përdorësh nga ana tjetër të dëmton. Ato shërojnë sëmundjet, por po nuk dite si dhe kur duhet t’i përdorësh të presin në besë dhe të hapin mjaft probleme të tjera. Prandaj sot ka ardhur koha që këto ilaçe mos propagandohen në popull duke përmendur vetëm anën e mire të tyre (e vetmja gjë që u intereson firmave farmaceutike), por duhen propaganduar dhe ku ato dëmtojnë, ndërsa për mua më e mira është që propagandimi i tyre të ndalohet krejtësisht në RTV dhe për efektin e tyre të vihen në dijeni vetëm mjekët dhe farmacistët. Po pse duhet bërë kjo mund të pyesë dikush. Ja pse: 

Po marrim disa shembuj: 
I. Le të shikojmë një reklamë që jepet shpesh: TYLOL* HOT-i 
Mund të themi shpesh ose disa herë në ditë reklamohet TYLOL* HOT-i si një ilaç shumë i mirë kundra dhimbjeve, gripit, ftohjes, temperaturës etj. Edhe unë jam dakort që i tillë është e, po të përdoret me kujdes sipas porosisë së firmës prodhuëse dhe këshillës së mjekut jep efekt shëruës. Por a ka kondra-indikime? Kush duhet ta përdorë dhe kush jo? A e thonë këtë RTV? Jo asnjëherë. Le të shikojmë cilët janë përbërësit kryesorë të TYLOL * HOT: 

1. Rp/ Paracetamol 500mgr.
2. Chlorpheniraminë maleat 4 mgr;. 
3. Pseudoefedrinë 60 mgr. etj;
Duke i shikuar veçmas këta përbërës dallojmë se: 
1 – Paracetamoli: Është lënda kryesore në shumë ilaçe, por jepet edhe veçmas në formë tabletash 500 mgr.për të rritur, ndërsa për fëmijë me doza të reduktuara sipas moshës. Është përdorur që nga viti 1955 dhe ka gjetur një përdorim shumë të gjerë, por mjerisht sot janë zbuluar edhe shumë dëntime shëndetësore te përdoruesit e tij. Kështu një studim nga Hulumtuesit e Universitetit të Edinburgut dhe Oslos, si dhe Shërbimi Kombëtar Skocez për Tranfuzionin e Gjakut dolën me konkluzionin se analgjezikët (i tillë është edhe paracetamoli) shkaktojnë dëmtime të mëlçisë në nivel të cirozës dhe hepatitit. Përdorimi i tepërt i këtij medikamenti, përfundojnë ata, është shkaktari kryesoi i inflamacionit akut të mëlçisë në botën perëndimore. I dëmtimit të veshkave, të palcës kurrizore, i alergjisë dhe astmës. Paracetamoli nuk duhet të përdoret në personat e alkoolizuar, në ata me keq ushqyerje apo hidratim të dobët. Dikush mund të thotë se, të gjitha këto që po na thua janë të përshkruara në fletën shoqëruese, e cila gjëndet në kutinë ku është ambalazhuar medikamenti. Dakord jam, por halli që vetëm në shqipëri lejohet që të gjithë barnat mund të shiten edhe jashtë ambalazhit të tyre edhe vetëm 10 apo 5 tabl. Gjë, e cila nuk duhet lejuar për shumë arsye, dhe kështu përdoruesi nuk ka ku ta gjejë fletën shoqëruese, pra nuk mund të marrë as të dhënat e kundra-ndikimeve. Sot shkencëtarët po përpiqen ta heqin nga përdorimi këtë paracetamol dhe ta zëvëndësojnë me një formë tjetër të tij pa i patur këto kondra-indikime. 

2 – Le të shikojmë përbërësin tjetër të TYLOL* HOT-it që është Chlorpheniramin maleat (4 mgr.), i cili jep veç dobisë edhe pagjumësi, marrje mensh, konfuzion,kapsllëk, ankth, të vjella, vizion të pa qartë, shqetësime të ndryshme tharje goje, halucinacione, frymëmarrje të cekët, urinime të pavetëdijshëm etj. 

3 – Po përbërësi i tretë: Pseudoefedrina (60 mgr.) edhe ai nuk duhet përdorur në të sëmurët me diabet mellitus, në ata me sëmundje kardiake, hypertension të rëndë ose të pa kontrolluar, në ata me hipertrofi prostate, hyperthyroidizëm, glaukomë, nga gratë shtatzëna etj. Po ashtu ai nuk duhet të përdoret me anti-acide etj. Ja pra: Me gjithë këto kondra-indikime të rëndësishme rekllamat televizive nuk japin asnjë të dhënë apo porosi ku mos përdoret TYLOL*HOT-i . 

II. Le të shikojmë edhe një reklamë tjetër: Rapidol S 400mgr. 
Lënda e parë në të cilën është ibuprofeni, që ashtu si dhe aspirina e paracetamoli ka gjetur një përdorim të gjerë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Sot ibuprofeni përgatitet nga mjaft firma farmaceutike me emra të ndryshme si Rapidol, Advil, Brufen, Montril, Eudoran etj. Përdoret në dhembje, për rënie temp. etj. Duke pasur një përdorim të shpeshtë. Profesor Tomas Straford thotë se ibuprofeni është ilaç i mirë kundër temp. dhe dhembjeve, por ai ka edhe efekte të padëshiruara më shumë se sa njerëzit mendojnë. 

Ja disa të meta të mjekimit me të: 
1)Në qoftë se meret me doza të mëdha ose për një kohë të gjatë mund të dëmtojë veshkat. 
2)Nëse pacienti përpara ka pasur ulcera të stomakut ose probleme gastrike nuk duhet ta përdorë. 
3)Nëse vuan nga astma mund të dëmtojë pacientin. 
4) Nëse vuan nga sëmundje të rënda të mëlçisë, veshkave dhe zëmrës. 
5) Gratë shtatzëna në 3 muajt e fundit të shtatzënisë, absolutisht e ndaluar. 
6) Mos përdoret nga persona me presion të lartë të gjakut, diabet, kolesterol të lartë, nga duhanpirës ose që kanë pasur përpara goditje në zemër pa u këshilluar me mjekun.
7) Mund të shkaktojë insuficiencë renale akute të pa prapsueshme, sidomos në të sëmurët me dëmtime të mëparëshme të funksionit të veshkave dhe, në raste të rralla, mund të japë nekrozë papilare ose isuficiencë renale. 

Si`përfundim, për të dy këta shëmbuj mund të themi se, reklamat e grupit të barnave jo steroide; (NSAID) ku përfshihen paracetamoli dhe ibuprofeni nuk janë aq të parrezikshëm për shëndetin e popullit, dhe se sipas Straford, vetëm në Britaninë e Madhe ato shkaktojnë mbi 2000 vdekje në vit. Gjithashtu mund të shtojmë se, barnat me përmbajtje ibuprofen mund të bashkëlidhen me rritjen e rezikut për atakë në zemër (infarkt të miokardit) ose goditjeve në tru dhe ky rrezik shtohet po të merret në doza të larta ose për një kohë të gjatë. 

Farmacist Maksi Bratko
Farmaciste Alba Bratko 

Sigal