“Receta elektronike në Tiranë, pacientët do pajisen me kod”

1178
Duke filluar nga data 1 shkurt 2017, nis në Tiranë aplikimi i recetës elektronike, duke eliminuar recetat në letër të përdorura deri më tani për barnat e rimbursueshme. Për pasojë, do të jetë mjeku i familjes ai që do të dërgojë pranë farmacive recetat me përshkrimin e ilaçeve, ndërkohë që pacienti do të pajiset me një kod 5-shifror, për të bërë identifikimin e saj.
Ndërkaq, përmes kësaj interviste, dhënë për suplementin “Life Pages” të “Gazeta Shqiptare”, drejtori i Përparimit Shëndetësor, Kontrollit të Cilësisë dhe Jetësimit të Prioriteteve, në Ministrinë e Shëndetësisë, Tomi Thomo shpjegon në detaje sesi do të funksionojë ky shërbim i ri për pacientët.
Z. Thomo, çfarë është receta elektronike?
Receta elektronike është një proces, por shkurtimisht mund të përkufizohet si informacioni, që i kalon mjeku i familjes farmacistit, në lidhje me trajtimin medikamentoz që pacienti duhet të marrë. Pra është kalimi i këtij informacioni në mënyrë elektronike, duke thjeshtuar procesin. Sot ky proces bëhet me letër: mjeku përshkuan mjekimin e pacientit në letër dhe me atë letër pacienti i drejtohet farmacisë. Me recetën elektronike funksionon ndryshe: mjeku do të pajisë pacientin me një kod të përbërë nga 5 karaktere dhe me këtë kod pacienti i drejtohet farmacisë. Receta e tij, pra çfarë përshkruan mjeku, identifikohet nga kodi 5-shifror që i paraqet pacienti, farmacistit. Sa herë që vizitoheni dhe merrni mjekim për atë sëmundje që ju keni, do të pajiseni me këtë kod, që përkthehet më pas në një recetë elektronike.
Pse është e domosdoshme receta elektronike: çfarë përfitohet me aplikimin e saj?
Me aplikimin e saj kemi përmirësim të shërbimit të trajtimit me medikamente të pacientëve, që do të jepen sipas një protokolli të caktuar. Pra, sigurohemi që pacienti për sëmundjen që ka të marrë barin e duhur, në dozën e duhur, në kohën e duhur. Pra, praktikisht rrit monitorimin për arsye të shëndetit publik dhe njëkohësisht rritet transparenca në të gjithë procesin e rimbursimit të medikamenteve. Në ditë lëshohen mbi 2000 receta me rimbursim dhe të 2000 recetat, kur sistemi të shtrihet në gjithë territorin e vendit, do të jenë të monitorueshme. Në këtë mënyrë sigurohemi, që sipas parimit të shëndetësisë universale, pacientët shqiptarë mjekohen mirë, sipas protokolleve të sakta, me barnat e duhura dhe në formën e duhur.
Kujt i shërben më tepër kjo recetë?
Në këtë fazë, është parashikuar që, recetat me rimbursim që i lëshon mjeku i familjes do të zbatohen vetëm nga farmacitë që kanë kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Sikurse ka funksionuar deri më tani, pacienti paraqitet te mjeku, sipas kategorisë së sigurimit që i takon, si për shembull: pensionisti, i punësuari, fëmija nën 18 vjeç etj. Ai identifikohet nga karta e shëndetit dhe përmes saj përcaktohet sesi do ta marrë rimbursimin. Në këtë moment përmendim që prej datës 28 janar, personat me aftësi të kufizuar, që trajtohen me pagesë paaftësie nga shteti, rimbursimin e marrin falas. Ndërkohë që, gjatë 2017- ës, sipas parimit të shëndetësisë të mbulimit universal, në skemën e rimbursimit shtohen edhe 600 mijë shqiptarë që janë të papunë dhe që janë të pasiguruar. Pra, receta elektronike është një instrument që do t’i shërbejë një grup-popullate shumë të madhe.
A ka ndryshim në përfitimin e recetës elektronike?
Receta elektronike do të aplikohet për të gjitha recetat që lëshohen sipas skemës së rimbursimit nga mjeku i familjes për pacientët që marrin mjekim sipas protokollit të fondit. Pra, sipas protokollit të fondit, merren barna me rimbursim të plotë, me rimbursim të pjesshëm ose pa rimbursim. Nuk ka ndryshim në përfitimin e recetës, çka do të thotë se, ashtu sikurse deri më tani, pacientët duhet të zbatojnë sistemin e referimit për të përfituar nga lista e barnave me rimbursim.
Kur pritet të shtrihet në gjithë vendin receta elektronike?
Gjatë vitit 2017 do të shtrihet në të gjithë vendin.
Sigal