Prof. Tritan Kalo: Grip apo Z-Grip dilema Hamletiane e Mantelbardhëve

665
“GRIP” apo “Z-GRIP”, një situatë e tillë të përngjason më një dilemë hamletiane :”Të kapesh” pas jetës dhe të vërtetës apo “të pësosh theqafje” të dëshirave për to dhe për profesionin tënd fisnik të MANTELBARDHIT???…Një dilemë e tillë më lindi ndërkohë që kam ndjekur këto javët e fundit me shumë vëmendje dhe interes profesional e social, zhurmën marramendëse të Epidemisë së Gripit “Stinor, Amerikan apo atij AH3N2”, quajeni si të doni dhe personalisht besoj, se nuk jam i vetëm, kam mbetur shumë-shumë i zhgënjyer nga të gjitha hallkat qeverisëse, të cilat u morën me “menaxhimin e opinionit publik”, për këtë stisje të radhës të pa bazuar si duhet objektivisht në aspektin Epidemiologjiko-Klinik, të një epidemie të vërtetë të kësaj sëmundjeje. Mendimin tim e bazoj si më poshtë:
(A) Mjediset publike të Arsimit nga ato parashkollor e deri në ato universitarë kanë njohur vetëm një rast në këto 50 vitet e fundit mbylljen e tyre për arsye të GRIPIT, dhe kjo ka ndodhur vetëm në PANDEMINË e theksoj Pandeminë (një epidemi Gripi me shtrirje globale), në dimrin e largët 1968 kur virusi AH3N2, apo Virusi Aziatik ai i Hong-Kongut, sikundër u cilësua fillimisht, dhe që është ende në qarkullim edhe sot si bazë e gripit stinor, në kohën e shfaqjes së tij përfshiu me miliona të sëmurë në mbarë Botën dhe shkaktoi dhjetëra mijëra të vdekur, pa kursyer edhe Shqipërinë, POR më pas asnjëherë nuk ka pasur mbyllje të tyre edhe në epidemitë e përvitshme të Gripit Stinor apo atij AH3N2, AH4N2 etj., të ngjashme me këtë të këtij viti??? 
(B) Informacionet profesionale për Gripin kahmote janë dhënë vetëm nga profesionistë të fushës: Epidemiologë, Kliniçistë (Mjekë të familjes, Pediatër, Infeksionistë, Pneumologë), dhe në asnjë rast sikundër kësaj here, që ato në më të shumtën e rasteve jepeshin nga kushdo, përfshirë edhe stafin e Piramidës së Ekzekutivit të Ministrisë së Shëndetësisë, nga maja në bazë, por shumë më pak se kurdoherë nga vetë profesionistët e vërtetë, ata që përballen me rastet. Një risi apo një idiotësi???
(C) Menaxhimi në terren kurdoherë në rast EPIDEMIE reale të Gripit apo edhe PANDEMIJE të tij, përforcohej me rritjen e kapaciteteve si në shtretër edhe në burime njerëzore, aq sa para viteve 90-të ishte projektuar të ndërtohej pranë Spitalit Nr. 4 (sot Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në QSUT) edhe një spital modern, Spitali i Epidemive me 80 shtretër, i cili kurrë nuk u ngrit dhe që do të shërbente mjaft mirë më pas edhe në përballimin e Epidemisë së Kolerës (1994), të Poliomyelitit (1996), të Gripit të Derrit AH1N1 (2009), etj. Më e keqja qëndron në faktin, se struktura në Shërbimin Kombëtar të Sëmundjeve Infektivë është cunguar në hapësirën funksionalë të saj pas Reformave profesionalisht jo të bëra mirë dhe të jo mirë justifikuara në QSUT pas 28.03.1992 e në vijim, dhe sa herë ne ndeshemi me probleme të rritjes së sëmundshmërisë në Sëmundjet Infektive/Ngjitëse, na zë paniku Institucional i Shëndetësisë Publike dhe për të maskuar këtë makth, VIHET në funksion logoreja, jo fort profesionale për menaxhimin e situatave të tilla. Meqenëse menaxhimi i kësaj Epidemie të zhurmshme Gripi nuk njohu as shtim të kapaciteteve spitalore, po ashtu as edhe të burimeve njerëzore, kjo gjë flet për mos njohje apo për mos dije të menaxhimit të situatave të ngjashme??? 
(D) Qershia mbi “tortën e gripit stinor” ishte zhurma e madhe në fillim të këtij muaji për vaksinimin kundër tij. “Parandalimi është kurdoherë më i efektshëm dhe më dobiprurës se mjekimi i një sëmundje” – thuhet prej shekujsh. Me urgjencë u importuan 93.000 doza vaksine (pak rëndësi është nëse ishin kineze, franceze, amerikane, përderisa na thuhet që ato ishin të njohura nga OBSH-ja si të efektshme dhe të lejuara nga Bashkimi Europian të përdoren, të më mirëkuptoni, gjithmonë, në qoftë se ishin të tilla) si dhe shpërndarja me urgjencë të tyre me tam-tame televizive dhe shtypi nëpër spitalet e rretheve të ndryshme. Si një specialist jo pak i mirëformuar dhe i mirëinformuar i fushës së Sëmundjeve Infektive dhe Tropikale u kam sugjeruar gjithmonë studentëve dhe mjekëve, si dhe publikut të gjerë në kontaktet audio e televizive, si dhe në shtypin e shkruar për RËNDËSINË e PARANDALIMIT të GRIPIT, sidomos në të sëmurët e grupeve të riskut: moshat nën 5 vjeç dhe mbi 65 vjeç, të sëmurët me sëmundje kronike të zemrës, të veshkave, të mëlçisë, të mushkërive, të sëmurët me Diabet, ata që përdorin Kortizonikë dhe nën Kimioterapi, QË ATA/ATO të vaksinohen jo më vonë se data 15 NËNTOR (duke pasur parasysh edhe 10-14 ditët pas vaksinimit) në mënyrë, të tillë që trupi i tyre të fitojë aftësitë imunitare të mos infektohet (50-70% të rasteve të të vaksinuarve), ose të kalojë një formë më të lehtë të sëmundjes (në 30-50% të rasteve). ARËSYEJA e një këshille të tillë bazohet në evolucionin/ecurinë e gripit stinor: fillimin e rritjes së rasteve sporadike në Nëntor, rritjen e mëtejshme të tyre në Dhjetor, mbërritjen e kulmit në Janar, si dhe stabilizimin e rasteve në fillim Shkurt e ne vijim si dhe më pas rënien progresive të tyre nga fundi këtij muaji deri në 15-20 Mars, që shënon në përgjithësi fundin e një shpërthimi epidemik të gripit stinor. Rastet e gripit që vrojtohen pas kësaj periudhe janë më shumë forma sporadike të sëmundjes, përgjegjëse për qarkullimin në natyrë, në organizmat humanë të vetë virusit. VAKSINIMI në mes të epidemisë është shumë pak i vlefshëm, në mos më keq në pritje të hapësirës 10-14 ditore që ajo të shfaq efektshmërinë e saj. Rivaksinimi në këtë periudhë kohe këshillohet shkencërisht vetëm, nëse dyshohet apo vërehet se në grupet e rriskut ka shtim të morbozitetit të formave të rënda të sëmundjes apo shtim të rasteve të vdekjeve. Atëherë me të drejtë lind pyetja se PSE gjithë kjo zhurmë për Epideminë e Gripit stinor dhe të Vaksinimit, në mesin e kësaj Epidemie në këtë fillim Janari 2017???
1- A bëhet fjalë për KOMERCIALIZËM, tenderi i rrallës apo
2- ËSHTË në të vërtetë një FSHEHJE e problemeve reale të lidhura me kushtet atmosferike dhe shqetësimet që ato krijojnë në lidhje me ngrohjen e mjediseve të infrastrukturës arsimore apo në lëvizjen normale të nxënësve për frekuentimin e tyre?
Ajo që koha tregoi dhe mbështetur në kurbën bashkëngjitur, të marrë nga Buletini i fundit informativ i Njësisë “ALERT” të ISHP-së, mbështet supozimet e mësipërme dhe nuk flet për REALIZËM e PROFESIONALIZËM në trajtimin e menaxhimin e këtyre situatave epidemiologjike. VETËM në këtë rast e mirëkuptoj autorin e thënies se: “Punë ka por mungojnë Profesionistët/Specialistët”, por nuk mundem ta “përtyp dot atë” që tek ne mungojnë profesionistët e mirëformuar, të cilët mundet suksesshëm të përballen me situata të tilla. Fatkeqësia qëndron në faktin se PROFESIONISTË të tillë të vërtetë nuk janë “pa shtyllë kurrizore”, ata “nuk janë të delezuar”, ata “nuk janë pjesëmarrës të tenderëve” apo ata “nuk janë hosanëbërës” të atyre që edhe publikisht dikur edhe i kanë kritikuar për keq menaxhim të Shëndetësisë Publike. “Muri luan por burri nuk luan” – thotë një fjalë e urtë e jona, POR këtu i pagabueshmi Popull nuk kishte parasysh personat pa shtyllë kurrizore e me profesionalizëm të cenueshëm, “ndoshta” edhe ish konsumatorë të “ndonjë luge çorbe të qelbur”, të cilët luajnë që ç’ke me të, sipas erës, sipas porosive të kujtdo, të cilët i ofrojnë atyre më shumë karrierë, më shumë përftime financiare, ANI PSE kjo mos qëndrueshmëri profesionale dhe karakteri e tyre i bën të baltosin veten dhe “MANTELIN e BARDHË” që mbanin mbi supe kur betoheshin në diplomimin e tyre se: “Unë do të mbaj me të gjitha mundësitë e fuqisë time, nderin dhe traditat fisnike të profesionit të mjekësisë”…..Në Shëndetësinë tonë Falas, të tilla janë edhe mos të vërtetat e gënjeshtrat!!!…Quo vadis Shqipëria ime?????
Sigal