Prof. Flamur Tartari/ Qazim Bakalli, mjeku dietolog i parë në Shqipëri

608
Nuk mund të rri pa shkruar disa fjalë për mjekun e “harruar”, si shumë të tjerë nga organizmat shtetërore dr. Qazim Bakallin. Ai i përket një familje të vjetër tiranase, që ka edhe ajo kontributin e saj në komunitetin e qytetarëve tiranas. Ai është dietologu i parë shqiptar që punoi 30 vite në Spitalin Shtetëror të Tiranës, si mjek patolog dhe dietolog. Këto ditë, së bashku me mikun tim tiranas dr. Safet Këlliçi i bëmë këtij mjeku të shquar një vizitë në shtëpi dhe biseduam gjerë e gjatë mbi jetën e tij, punën, familjen dhe u mahnitëm nga kujtesa e tij, tani në moshë madhore 90 vjeç, mbi tërë jetën e tij dhe marrëdhëniet në punë me kolegët. Ishte i lumtur që i kishte dy fëmijët e tij shumë mirë me punë dhe zanat: djali violinist në Francë dhe vajza pianiste. Gëzimi i tij shprehej në fotot e shumta që kishte me fëmijët, po ashtu edhe në fotot e familjes së babës dhe të vëllezërve, të varura në dhomë.
Jetëshkrimi
Qazim Bakalli lindi në Tiranë, më 11 maj 1921 në një familje tiranase e vjetër me tradita të mëdha atdhetare. Babai i tij Hasan Bakalli kishte mbaruar shkollën në Stamboll, bashkëkohës i Ismail Ndroqit dhe i familjes së Toptanëvë, Bimbashëve, etj. U mundua që fëmijët që lindi, t’i shkollonte në dobi të vendit për tu shërbyer me nder qytetarëve tiranas. Pasi mbaroi shkollën plotore dhe gjimnazin në Tiranë, ku doli me rezultate të shkëlqyera, Hasani e dërgoi djalin e tij në Itali, në Bolonja në Universitetin më të vjetër në Fakultetin e Mjekësisë, në vitet 1941-43 kur ai u kthye në Tiranë. 

Dëshira e madhe për tu bërë mjek
Dëshira e tij ishte e madhe për tu bërë mjek dhe me të drejtë e mori doktori tiranas Sabri Tefiku, që ishte një ndër themeluesit e sëmundjeve të brendshme të vendit tonë, i cili e ndihmoi për 4 vite të punojë pranë tij, duke përfituar shumë në patologji. Meqenëse ai i kishte lënë studimet përgjysmë, Qazimin dhe shumë studentë të tjerë shteti i dërgoi për të vazhduar studimet më 1946, në disa vende të kampit socialist dhe kryesisht më shumë në Jugosllavi. Qazimin e dërguan në Zagreb më 1946, së bashku me Petro Canin, Faik Turdiun e të tjerë, të cilët ndenjën deri në vitin 1948, vit kur marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi u ndërprenë. Ai kthye në Shqipëri ku punoi disa kohë, gati një vit me dr. Hysni Rusin dhe më 1949 e dërguan në Bukuresht të Rumanisë, ku nuk qëndroi shumë sepse shumica u transferua në Sofje të Bullgarisë ku Babai i tij Hasan Bakalli me djemtë i mbaroi studimet për mjekësi më 1949. Mjekun e ri tashmë e caktojnë në Tiranë në Spitalin nr.1 ku punoi shumë pak sepse u transferua në spitalin e Vlorës, ku u prit në një mjedis shumë të mirë mjekësh si doktori i shquar Pavli Flloko, Mihal Angjeli etj, të cilët e ndihmuan dhe e respektuan mjekun nga Tirana. Më pas më 1951, Qazim Bakalli përsëri transferohet tashmë në veri, në spitalin e Burrelit ku punoi rreth 4 vite duke ndihmuar shumë popullin matjan për të cilin kishte një simpati meqë familja e tij kishte marrëdhënie shumë të mira me familjen e Zogut dhe këtë simpati Qazimi e vazhdoi edhe kur erdhi dhe u instalua në Shqipëri demokracia dhe ai shumë shpesh e vizitonte djalin e mbretit Zog, Leken, kur ai erdhi në Tiranë. Më 1959 dr. Qazimin e veshin ushtarak dhe ai punoi në Shkodër si mjek ushtarak dhe përsëri pas një viti e dërgojnë në Burrel dhe më pas mjek në Llixhat e Elbasanit për 2 vite, dhe përsëri në Burrel dhe më në fund transferohet në spitalin e Tiranës në pavijonin 15 ,ku punoi rreth 30 vite deri sa doli në pension. Në spitalin e Tiranës ai krahas punës që bënte si mjek patolog, së bashku me dr. Ylli Popën u dha pas dietologjisë të cilën e kish dashur shumë që kur ishte në Bullgari.

 Dëshira e tij u plotësua kur erdhi nga B.S.(Rusia). Mjekja e shquar ruse me përvojë 25 vjeçare si dietologe në spitalin e Moskës Ekaterina Borinskaja e përgatiti vetë dr. Qazimin, i cili me të drejtë mund të quhet dietologu i parë shqiptar në spitalin nr. 1 të Tiranës. Bashkë me mjeken ruse ai studioi nga ana dietologjike shumicën e sëmundjeve të brendshme dhe shumë shpesh jepte këshilla në televizion dhe radio për dietat përkatëse. Dietologjia ishte një punë shumë e vështirë sidomos në patologji sepse pas largimit të mjekes ruse që e specializoi dhe e ndihmoi dr. Qazim Bakallin, ky ishte vetëm, prandaj me të drejtë zgjodhi një pediatre të re dr. Bafturi Matin e cila kishte shumë dëshirë të bëhej dietologe dhe me propozimin e tij, pasi i kishte mësuar diçka për dietologjinë e fëmijëve, e dërguan në Bullgari për një vit ku u specializua për dietologji, sidomos atë pediatrike, gjë kjo që e ndihmoi shumë dr. Qazimin në këtë specialitet për të gjithë spitalet. Ishte ai i pari që në kohën kur ishte mjekja ruse që thyen konceptet në shumë mjekë duke ngritur shumë rolin e dietoterapisë në shumë sëmundje. Ai përgatiti shumë kuadro të mesëm me kurset e shumta në dietologji për të gjithë spitalet e vendit . Gjatë punës ishte shumë serioz dhe pedant në hartimin dhe zbatimin e dietës për të sëmurët, duke thënë shpesh se ushqimi është antibiotiku natyral për mbarëvajtjen dhe shërimin e shumë sëmundjeve si për të rritur ashtu edhe për fëmijët. Në të gjithë spitalet e Tiranës së bashku dhe me pediatren tashmë dietologe, dr. Qazimi arriti shumë suksese duke bërë një kuzhinë dietologjike sipas parametrave bashkëkohore, duke nxjerrë në pah një rregullore të veçantë me dietat përkatëse për të gjithë spitalet jo vetëm të Tiranës por të gjithë Republikës. Në kujtimet e saja infermierja e vjetër Donika Agolli kujton me respekt te madhe mësuesin e saje te anatomisë te kursit te infermiereve ne vinin 1961 duke thënë se dr. Qazimi ishte jo vetëm një mjek i shquar por dhe një mësues i madhe për ne infermieret e reja. Me gjithë streset që i krijoheshin nga dashakeqësit ose të paaftët që kishte edhe në spital si dhe biografia e tij, sepse njeri vëlla, Emini, kishte mbaruar shkollën e Fullcit dhe regjimi komunist e dënoi 2 herë me vdekje por e falën dhe kjo gjë bëri që dr. Qazimi të punonte pa u lodhur 10-12 orë në ditë dhe e kishte zakon që të vinte në darkë në spital e të qëndronte pasi të ndahej darka dhe në disa raste të kontrollonte dhe t’i pyeste të sëmurët për ushqimin si ishte etj. Ishte një mjek i përkushtuar shumë për të sëmurët dhe që punoi tërë jetën me humanizëm dhe ndërgjegje të lartë. Edhe këto ditë kur i bëmë me dr. Safet Këllicin një vizitë në shtëpi, rregullsia, edukata dhe etika mjekësore megjithëse është në moshën 95-vjeçare, me një kujtesë të ruajtur shumë , nuk i kishin humbur këtij mjeku tiranas që mendoi tërë jetën për dietologjinë shqiptare. Ai së bashku me shumë mjekë të tjerë shkonte çdo muaj në spitalet rurale të Tiranës, si Kërrabë etj, duke dhënë një kontribut në kurimin dhe dietën e shumë pacientëve. Ai është i pasionuar edhe pas muzikës dhe fëmijët e tij janë bërë muzikantë shumë të aftë dhe e çojnë muzikën shqiptare në Evropë në vendet ku punojnë. 
Qazim Bakalli është një poliglot
Qazim Bakalli është një poliglot, di shumë gjuhë që e ndihmuan shumë (nga vëllai i tij Emini mësoi anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht), ndërsa italishten dhe gjuhët sllave i mësoi në shkollën ku studioi. Për këtë mjek janë shkruar shumë rreshta, por mendoj se ky i takon plejadës së mjekëve që rindërtuan dhe vunë në baza shkencore mjekësinë shqiptare, sipas specialiteteve përkatëse dhe Qazim Bakalli mbetet për mua një mjek i shquar nga Tirana, që brezat e sotëm ta marrin shembull, sepse në procesin e shërimit të sëmundjes një rol të madh luan edhe dietoterapia, specialitet që e themeloi ky mjek që pothuajse organizmat qeveritare, ashtu si shumë të tjerë i kanë harruar fare. Më në fund dua të theksoj se një rol shumë të madh për këta njerëz të shquar, këto vite po luan Shoqata e Tiranës, që vazhdon t’i vlerësojë jo vetëm tiranasit, por njerëzit që kanë kontribuar në dobi të vendit dhe jetës së njerëzve.