Prof. Flamur Tartari/ Dr. Sabri Tefiku, patolog dhe organizator i shquar (1886-1954)

1466
Lindi në Tiranë, më 13 mars 1886. Me mbarimin e shkollës fillore, në moshën 14-vjeçare, i vdiq i ati. Me ndihmën e familjes vazhdoi gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Në vitin 1911 kryen studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Stamboll. Po atë vit, në një konkurs të shpallur për asistent, po në atë fakultet fiton çmimin e parë dhe fillon punë po aty. Në vitin 1922, si atdhetar i madh që ishte, nga Stambolli kthehet në Shqipëri, në Tiranë, ku dhe fillon punën si mjek privat. Kështu vazhdon deri në vitin 1926, vit kur i propozohet dhe fillon punë në spitalin e vjetër të Tiranës. Në vitin 1928 shkon për specializim në Paris në Institutin “Cochin”. Në vitin 1932 kur u hap Spitali i ri i Përgjithshëm Civil i Tiranës, fillon punë patolog (gjë për të cilën ishte specializuar në Institutin “Cochin”). Duke qenë një personalitet i shquar në të gjitha drejtimet: profesionale, etikomorale, njerëzore, etj. (kjo sipas pohimeve të të gjithë atyre që e kanë njohur, që dhe sot e kësaj dite e kujtojnë me respekt e nderim të thellë), në vitin 1937, emërohet drejtor i Spitalit Civil të Tiranës. Nga viti 1945 e deri kur vdiq me 1954, pëson zhgënjimin e madh. Duke qenë shqiptar i madh (duke lënë Stambollin me të gjitha komoditetet dhe duke u kthyer në atdhe), punoi me vetëmohim dhe përkushtim duke qenë një personalitet i shquar në mjekësi (kjo dëshmohet edhe sot nga ish nxënësit e tij si prof. Ndroqi, prof. Bekteshi, dr. B. Agalliu, dr. Bakalli, dr. Bylyku etj.) përfundon viktimë absurde e luftës famëkeqe të klasave në mjek ambulance, pasi i merren të gjitha pronat e trashëguara dhe të vëna me pu-nën e tij të ndershme, nxirret nga shtëpia dhe vdes i dëshpëruar, por duke na edukuar megjithatë, si atdhetar i madh, me frymën e atdhedashurisë.

Cili ishte Sabri Tefiku?

Me fillimin e Luftës së Parë Botërore mobilizohet deri në mbarim të saj. Nuk mund të vazhdojë punën në fakultet, pasi shqiptarët aso kohe diskriminoheshin. Punon në Edirre në fillim mjek privat dhe pastaj, pasi fiton një konkurs punon po aty mjek legjist, i specializuar në mjekësinë ligjore. Aso kohe në Edirre kishte më tepër se 6 mijë shqiptarë të ardhur nga vise të ndryshme si dhe ushtarë të ushtrisë turke. Aty formohet “Komiteti I ndihmës për shqiptarët” dhe zgjidhet kryetar i tij. Në vitin 1922 mundi më në fund të kthehet në Shqipëri, në Tiranë. Nuk i jepet punë duke qenë se vëllai i tij ishte kundërshtar i deklaruar i Zogut. Fillon punë si mjek privat. Ndërkohë bën pjesë aktive në partinë “Xhoka”, formuar kundër klikës zogiste me bejlerë e çifligarë; kështu vazhdon deri në vitin 1926 kur i propozohet vendi i një mjeku të dytë në spital. “Duke marrë parasysh se për një mjek është një gjë e domosdoshme që të jetë gjithmonë në kontakt me të sëmurët, – shkruan ai në autobiografinë e tij në tetor 1951, dhe se kjo gjë bëhet vetëm në kushtet e spitaleve, u detyrova të pranoj vendin e mjekut të dytë në spitalin e shtetit në Tiranë.” Në vitin 1928 shkon për specializim në Paris. Kur kthehet pas një viti, megjithëse vendi ishte vakant, nuk e fusin në punë menjëherë, por vetëm në vitin 1932, kur u hap Spitali i Përgjithshëm Civil. Duke qenë se kishin nevojë, merret përsëri në shërbim si patolog (për të cilën ishte specializuar në Institutin “Cochin” në Paris). Por përsëri pas një viti pushohet zyrtarisht nga ana e Zogut. Rimerret në shërbim përsëri në vitin 1935, si patolog. Duke qenë një personalitet i shquar në të gjitha drejtimet: profesionale, etiko-morale, njerëzore etj., (kjo, sipas pohimit të gjithë atyre që e kanë njohur, që edhe sot e kësaj dite e kujtojnë me nderim të thellë), në vitin 1937, për shkak të çrregullimeve që kishin ndodhur në spital, detyrohen ta emërojnë drejtor të Spitalit Civil të Tiranës. Sigurisht, duke qenë një atdhetar i flaktë, me parime të thella morale dhe me ndershmërinë e burrërinë e lartë nga të cilat karakterizohej, nuk merrte pjesë në asnjë lloj organizate politike, duke punuar dhe vepruar deri në fund të jetës së tij i udhëhequr nga ato parime, duke ndihmuar në mënyra aktive dhe me vetëmohim Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Gjatë luftës për çlirimin e Tiranës, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, caktohet drejtor i të dy spitaleve, atij civil dhe ushtarak. “Duke vënë gjithë përpjekjet e mia dhe duke nxitur të tjerët me një punë të pandërprerë, u përpoqa si e si të ndihmoj dhe të lehtësoj vuajtjet e luftëtarëve të lirisë dhe të popullit, duke mjekuar dhe duke u kujdesur për gjendjen e të sëmurëve dhe të të plagosurve”, – shkruan ai në biografinë e vet. Nga viti 1945, duke qenë në moshën 60-vjeçare, tërhiqet dhe punon përsëri si patolog në spital deri në vitin 1954, kur vdiq.


Kujtime nga dr. Qazim Bakalli

E kam për nder të madh të shkruaj këto pak rreshta për të palodhurin, shkencëtarin, atdhetarin dhe njeriun e rrallë, mësuesin e pakrahasueshëm dr. Sabri Tefikun. Figura e këtij njeriu të pastër ishte gëzim e nxitje pune për cilindo që kishte fatin ta njihte dhe sidomos të punonte nën drejtimin e tij. Ishte personifikimi i pastërtisë fizike dhe morale, që merrej si shembull prej nesh, nxënësve të tij. Gëzonte admirimin e atyre që e njihnin, me pamjen aq tërheqëse, aq fisnike, që të impononte respekt dhe dashuri prindërore. Thjeshtësia në kuvendime, mendime për punët e ditës në Spital apo jashtë tij, diskutimet e problemeve të jetës dhe të njerëzve, kishin vetëm vulën e tij. Regjimi ditor për të gjithë problemet e ditës ishte aq i përpiktë, sa njeriu mund të “rregullonte” sahatin me etapat e ditës apo të natës kur ai bënte roje në Spitalin e Përgjithshëm Civil të Tiranës. Kam qenë nxënës i dr. Sabriut prej vitit 1940, deri në vitin 1945, kohë në të cilën u largova për të plotësuar studimet universitare në Bolonjë. E kujtoj me mallëngjim të thellë mësuesin tim të madh dhe plot nderim prindëror për gjithë atë kohë aq të vlefshme për mua, si njeri i ardhshëm i mjekësisë. Gjithçka që di sot, ia detyroj atij. Të gjitha ç’kam mësuar në fushën e diagnostikës, diagnozës diferenciale (për të cilën nuk ka ende shembull në vendin tonë), biokiminë, anatominë patologjike, laboratorin, mjekimin e përpiktë dhe profilaksinë.

 Dr. Sabriu ishte bir i një familje tiranase atdhetare, vëllai i atdhetarit të madh Haki Tefiku, burrë shteti i Qeverisë së Nolit. Dr. Sabriu vijoi pa asnjë luhatje në rrugën e ndershme dhe patriotike të familjes, madje në kushte tepër të rrezikshme për jetën e vet. Pata fatin ta njoh gjigandin e patologjisë sonë gjatë viteve të pushtimit të atdheut. Çdo mëngjes, në orën tetë, hapej dera e pavijonit të katërt dhe hynte shefi i madh. Me hapin e tij rinor, pasi na përshëndeste me një “Mirëmjes” gazmor hidhte sytë prej klinicisti të paafrueshëm te të gjithë të shtruarit në pavijon (që, kur ishte drejtor spitali, ia vuri emrin shatore). Unë e prisja si ujin e pakët, bashkë me dr. Rusin, dr. Turdiun, dr. Kallfën, Margarita Kadian, të gjithë studentë në mjekësi. Motra italiane – Esterina, i jepte bluzën e bardhë si bora, të hekurosur çdo ditë, i raportonte ndryshimet dhe problemet e ndryshme të pavijonit. Me të dalë infermierja nga pavijoni, mjeshtri më thoshte: “Fillo” dhe unë i lexoja komunikatën. Kur lajmet ishin të mira – dhe kjo ndodhte përditë – fytyra e mësuesit ndriste si dielli. Niste atëherë një kuvendim prej atdhetari të papërkulur. Dr. Sabriu besonte pa luhatje në të mirën dhe drejtësinë e gjithanshme, e nderonte këtë dhe punonte për të, nxiste edhe të tjerët që të shkonin kësaj rruge. Ishte familjar shembullor, qytetar i drejtë dhe i butë, i edukuar dhe i dhimbshëm, ashtu sikurse e kishim traditë këtu në Tiranë.

 Ishte përparimtar në çdo drejtim, me shpirtin dhe besimin e patundur te e mira, e drejta, tek e pastra e përjetshme. Ishte modest dhe i thjeshtë në gjykimin mjekësor, veçanërisht i durueshëm me mua, që disa herë bëja diagnoza të pasakta. Pasi vizitoja të sëmurët, mbaja shënimet në fletoren time dhe, kur vinte profesori im, dr. Sabriu, më pyeste hollësisht për secilin, shihte të metat në të gjitha hallkat e anamnezës dhe veçanërisht të mënyrës së inspektimit, palpacionit (për të cilin ishte mjeshtër i paarritshëm), dëgjimit, etj. Në fund të çdo vizite për cilindo të sëmurë, më pyeste për diagnozën diferenciale, biokiminë etj., për të cilat nuk i afrohej mjek tjetër dhe, si përfundim, për diagnozën e mundshme apo të saktë. Në qoftë se unë gaboja (dhe ndodhte shpesh) ai më thoshte: “Qazim! Shko e merr Paul Savy-n në bibliotekë” (Spitali kishte bibliotekë të pasur me libra autoritetesh botërore). Kur kthehesha me librin, më thoshte: “Hape në filan faqe dhe lexoje.” Frëngjishten e kisha mësuar në gjimnaz me Fred Marchandin dhe italishten me Inglettin. Menjëherë e kuptoja gabimin diagnostik, ndërsa mjeshtri më korrigjonte në gjuhën franceze, që e zotëronte shkëlqyeshëm që të mos më lëndonte në praninë e të sëmurëve. Ndodhte nganjëherë që t’i bija në të diagnozës. Nuk mund të përshkruhet gëzimi dhe krenaria e mjeshtrit të madh. I qeshte gjithë fytyra. Hidhte vështrimin rrotull se mos gjente ndonjë koleg apo motrën Esterina për t’i thënë: “Motër, motër… apo Gjata, Gjata apo Fric, Fric, hajdeni këtu! Ky (d.m.th unë) asht doktor, asht doktor…”! Mua gati sa s’më binte të fikët, prej turpit dhe gëzimit, plot mirënjohje të pakufishme për këtë mjeshtër të mjekësisë sonë, këtë shkencëtar, këtë mësues të rrallë… Me kalimin e kohës, unë bëhesha çdo ditë e më modest në gjykimet e mia dhe veçanërisht në diagnozën diferenciale dhe atë përfundimtaren. Cili mësues tjetër ka vepruar kështu me nxënësit e tij, pa asnjë shenjë lodhjeje apo mërzitjeje gjatë pesë vjetëve?
Sigal