PhD. Anila Kalleshi: Si të kuroni nervin shiatik dhe pasojat në trupin e njeriut. Trajtimi i artrozës së kockave të legenit dhe shkaqet e infeksioneve urinare

3594
Sigal

PhD. Anila Kalleshi: Rreziqet, shkaktarët dhe si mund të trajtoni nervin shiatik, artrozën e kockave dhe infeksionet urinare. Ja pse nuk duhet të pini ujë në shishe plastike

 

Si të kuroni nervin shiatik dhe pasojat në trupin e njeriut

Nervi shiatik apo iskiatik është nervi më voluminoz dhe problematik i trupit të njeriut. Ai shtrihet deri te këmba poshtë duke u degëzuar nga kurrizi, rrjedh mes vertebrave, pjesës së legenit dhe baçinit. Ky nerv garanton ndjeshmërinë dhe lëvizshmërinë e këmbëve: Për këtë një dëmtim i tij mund të shkaktojë edhe një problem serioz në të ecurën.

Shkaqet
Dhimbja që shkakton dëmtimi i nervit shiatik është e ndryshme në situata të ndryshme të shkaktuara nga faktorë të ndryshëm.
Në përgjithësi shiatalgjia shkaktohet pas një shtypje të fortë/ngjeshje e nervave të zonës lombare (të mesit) mes L4 – L5 ose sacrale (pak më poshtë) S1, S2, S3.
Në raste të tjera shiatiku vjen si pasojë e dëmtimit të nervit pas një traume.
Shpesh e gjejmë të shprehur si radikulopati lombare që do të thotë dëmtim nga një shtypje/ngjeshje e rrënjës së nervit.
Disa nga shkaqet më fragrante janë:
• Hernie diskale e përgjegjshme për 15% të rasteve
• Ngushtim i kanalit foraminal dhe spinal (përcjellës në shtyllën kurrizore në brendësi të të cilëve rrjedhin rrënjët e nervave spinale dhe palca kurrizore)
• Enjtje e diskut spinal
• Sindroma e muskulit piriform, rrjedhojë e hipertrofisë dhe enjtjes së këtij muskuli
• Spondilolisteza
• Tumor spinal që shtyp rrënjët e nervit ose palcën kurrizore në atë nivel

Gjithashtu shiatiku kap shpesh gratë në fazë të avancuar të shtatzanisë nga presioni i mitrës mbi këtë nerv.

Faktorët që ndikojnë:
Disa individë janë më të ekspozuar ndaj shiatalgjisë, pasi ndikojnë një sërë faktorësh prezentë tek ata:
• Artriti rheumatoid
• Punë që kërkojnë zhvendosjen e peshave të rënda, drejtimi i automjeteve për periudha të gjata dhe shtrembërim i herë pas hershëm i kurrizit
• Diabeti: rrit rrezikun e dëmtimit të nervave periferikë
• Mosha e tretë që shoqërohet me ndryshimin fiziologjik të formës së shtyllës kurrizore
• Infeksione të shtyllës kurrizore
• Obezitet
• Osteoporozë
• Patologji të shtyllës kurrizore
• Jetë sedentare (jo aktive)
• Sforcim i madh muskulor
• Trauma direkte në vithe, kofshë, këmbë

Simptomat
Lind shpesh me një dhimbje të pakëndshme që ka intensitet dhe zgjat në varësi të shkakut nga është krijuar. Dhimbja mund të shprehet si djegie, si e thellë, si therrëse, që nuk pushon ose mund të jetë e lehtë dhe të bëhet e thellë në rrethana të caktuara. Shpesh si dhimbje manifestohet pas një sforcimi të menjëhershëm, si kollitje apo teshtima. Edhe stresi, ankthi dhe tensioni i përditshëm mund të influencojnë negativisht në shiatalgji duke rënduar dhimbjen.
Disa pacientë e perceptojnë dhimbjen në formë mpirje me “miza” dhe përshkruajnë një alteracion në ndjeshmërinë e këmbëve. Një dëmtim i rëndë i shiatikut mund të sjellë një dhimbje invalidante, dhe mund të influencojë mënyrën e ecjes.
Në përgjithësi të pacienti vërehet:
• Çrregullim i aftësisë së të ecurit normal
• Dhimbje e thellë
• Dhimbje “elektrike” në formë korrenti
• Dhimbje që përshkon një zonë precize të këmbës (pulpën, gjurin, vithet) ose dhimbje që përhapet nga zona lombare deri te këmba.
• Dobësim muskulor i këmbës së prekur
• Mpirje e këmbës
• Humbje e kontrollit të sfinkterëve analë dhe veshikalë
• Dhimbja bëhet më e thellë në vazhdimësi
• Sensacion sikur ngulen gjilpëra në lëkurën e këmbëve
Në përgjithësi kap vetëm njërën anë të trupit, por nuk mungojnë rastet kur i kap të dyja anët.

Trajtimi 
Është normale që trajtimi lidhet me shkakun që e provokon dhe rrethanat në të cilat ndodhet pacienti.
Trajtimi mund të jetë farmakologjik, ku përshkruhen ilaçe antiinflamatore dhe antalgjike (kundër dhimbjes);
Rihabilitativ ku korrigjohet postura dhe përforcohen muskujt e kurrizit dhe këmbëve me anën e ushtrimeve specifike dhe terapisë fizike;
Në rast hernie diskale apo situate të rënda mund të jetë e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale.

Çfarë është artroza e kockave të legenit dhe metodat e trajtimit

Artroza e artikulacionit që lidh femurin me kockat e legenit çon në ngurtësimin dhe inflamacionin e kësaj nyjeje, çka çon në dhimbje e cila ndonjëherë nuk qetësohet as nga pushimi. Dhimbja provokohet nga dëmtimi i kërcit artikular duke shkaktuar fërkimin e kockave midis tyre. Në një pjesë të rasteve, në buzët e artikulacionit dalin osteofite (zgjatime kockore). Ju mund të humbisni aftësinë për të rrotulluar, mbledhur apo shtrirë artikulacionin koksofemoral. Shpesh, për të lehtësuar dhimbjen, individët nuk ruajnë një ritëm aktiv dhe muskujt të cilët kontrollojnë artikulacionin dobësohen. Kjo mund të çojë në çalim.
Simptoma e parë e artrozës mund të jetë një farë parehatie apo ngurtësim në rrëzë të kofshës, në vithe apo në kofshë kur zgjoheni në mëngjes. Dhimbja rritet gjatë aktivitetit fizik dhe lehtësohet në qetësi. Në rast se nuk e kuroni këtë gjendje patologjike, atëherë ajo do të shkojë drejt përkeqësimit deri sa të arrijë në pikën ku do të jetë shumë e vështirë të ketë momente pa dhimbje, qoftë edhe në qetësi.
Pavarësisht se efektet e artrozës nuk janë të rikthyeshme, trajtimi i hershëm i saj mund të të ndihmojë në shmangien e dhimbjes dhe në ngadalësim të përparimit të sëmundjes. Në rast se jeni në etapat e para të zhvillimit të artrozës së artikulacionit koksofemoral, atëherë alternativat tuaja për trajtim mund të përfshijnë:

  1. Shmangia e përdorimit të tepërt të artikulacionit koksofemoral.
    2. Një program fizioterapie me ushtrime të lehta, të rregullta, si për shembull ushtrime aerobike në ujë, not, biçikletë në mënyrë që të ruhet funksioni i artikulacioni dhe të rritet forca dhe amplituda e lëvizjes.
    3. Përdorimi i medikamenteve anti inflamatore për dhimbjen të tilla si ibuprofeni.
    4. Fjetje e mjaftueshme gjatë natës.

Në rast se gjendja është e rëndë, atëherë vjen në ndihmë kirurgjia. Artikulacioni koksofemoral është një mekanizëm i përbërë nga një sferë dhe një kavitet. Sfera ndodhet në pjesën e sipërme të kockës së kofshës (femur). Kirurgjia me zëvendësim të plotë të artikulacionit koksofemoral zëvendëson pjesën sferike të dëmtuar të kockës me një sferë metalike. Kaviteti i artikulacionit zëvendësohet me një kornizë metalike me veshje plastike.

Faktorët ndikues të infeksioneve urinare

Infeksionet urinare janë infeksione që mund të prekin çdo pjesë të sistemit urinar duke filluar nga veshkat, ureterët, fshikëza e urinës dhe uretra. Femrat preken më shpesh se meshkujt, kjo për shkak të anatomisë së pjesës së poshtme të traktit urinar.

Shkaktarët më të shpeshtë të infeksioneve urinare janë bakteriet që kanë si portë hyrje uretrën dhe pastaj vendosen në vezike që është dhe vendi më i shpeshtë ku zhvillohen infeksionet urinare.

Faktorët ndikues

Faktorët predispozues për infeksionet urinare janë: Diabeti i sheqerit, çrregullime të vezikes urinare që nuk lejojnë urinimin e plotë, sëmundjet degjenerative, kateteret urinare, patologji të prostatës, gurët në veshka, shtatzënia.

Diagnoza vendoset me anë të ekzaminimeve:
• laboratorike si analizë urine, urokulturë dhe analizë gjaku
• imazherike si ekografi e traktit urinar, radiografi direkte, pielografi intravenoze etj
Trajtimi

Trajtimi konsiston në antibiotikoterapi në varësi të shkaktarit dhe lokalizimit të infeksionit që në shumicën e rasteve trajtohen me sukses. Por, në disa raste ato mund të komplikohen me sepsis (infeksion në gjak), infeksion të veshkave, dëmtime permanente renale.

Pse nuk duhet të pini ujë në shishe plastike?

Uji në një shishe plastike ka shumë pasoja për shëndetin sidomos për mushkëritë, probleme me zemrën dhe probleme gastro-intestinale.

Uji që ndodhet në shishe plastike mund të përmbajë antinomi, një lloj metali i rëndë, i cili sjell probleme me mushkëritë, probleme me zemrën dhe probleme gastro-intestinale. Nga ana tjetër, bisphenoli A që ndodhet në shishe ngacmon sistemin hormonal.

Sa më nxehtë të bëjë aq më i ndotur bëhet uji.

Shkencëtarët kanë zbuluar gjithashtu se sa më e lartë të jetë temperatura e ambientit aq më shumë rritet përqëndrimi i antinomit (dyfishohet) dhe në këtë mënyrë rritet edhe rreziku për organizmin.

Mënyra më e mirë për të mbrojtur shëndetin tuaj është që të hidhni shishet qe kanë qëndruar për shumë kohë në të ngrohtë

Studiuesit tregojnë se nëse një shishe ujë qëndron për një kohe te gjatë në të ngrohtë apo në diell ai mund të bëhet më i rrezikshëm, sidomos për fëmijët. Ruajini gjithmonë shishet në frigorifer apo nëpër vendet e freskëta të kuzhinës. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që një gllënjkë ujë i ndenjur shkakton problem, mjafton që mesazhi të kuptohet.