PHD. Anila Kalleshi/ “Lifestyle Medicine” dhe sfidat e parandalimit të sëmundjeve kronike pa ilaçe. Kur dieta është e gabuar mjekësia nuk është e dobishme, kur është korrekte e nevojshme

1852
Sigal

PhD.Anila Kalleshi: Parandalimi i sëmundjeve kronike mund të arrihet pa ilaçe ose trajtime të shtrenjta mjekësore

 

“Lifestyle Medicine” mban konferencën për sfidat e parandalimit të sëmundjeve kronike

“Kur dieta është e gabuar, mjekësia nuk është e dobishme, por kur dieta është korrekte, mjekësia nuk është e nevojshme”

 

Më 3 maj 2019, u mbajt konferenca  e “Albanian Lifestyle Medicine”-Sfida e parandalimit të sëmundjeve kronike, në ambientet e “Hotel Mondial”.  “Lifestyle Medicine” është përcaktuar si një fushë ndërdisiplinore e mjekësisë, shkencave psiko-sociale, shëndetit publik dhe biologjisë. Parimet themelore përfshijnë strategjitë primare të parandalimit që përqendrohen në zakonet e jetesës, dhe në trajtimin e shkakut themelor dhe fiziopatologjisë të përbashkët me sëmundjet që lidhen me Stilin e Jetës.
“Lifestyle Medicine” është një qasje e re e prezantuar në Shqipëri vitet e fundit. “Albanian Lifestyle Medicine Association” themeluar nga Anila Kalleshi ka si qëllim të përcaktojë shtigje kulturore për të zhvilluar te çdo person ndërgjegjen për të jetuar harmonikisht, në tre dimensione thelbësore për njeriun: fizik, mendor, ndërgjegje. Një proverb thotë: “Kur dieta është e gabuar, mjekësia nuk është e dobishme, por kur dieta është korrekte, mjekësia nuk është e nevojshme.” Tema kryesore e kësaj konference ishte parandalimi i sëmundjeve kronike përmes një diete të shëndetshme dhe aktivitet  i rregullt fizik.Informacione të dobishme në lidhje me këtë temë u prezantuan nga folësit. Folësit ishin: Dr.Anila Kalleshi, Dr.Artan Isaraj, Dr Sofiela Telo, Grazzia Mazza dhe Oneda Reçi. Dr. Anila Kalleshi, njëkohësisht dhe presidentja  e “ALMA” foli për rëndësinë që Lifestyle Medicine ka për një shëndet optimal si dhe për ushqimet që mund të konsumojmë në funksion të një jete të shëndetshme. Gjatë prezantimit të saj ajo ndau dhe një sërë studimesh me të gjithë audiencën për të theksuar akoma dhe më shumë benefitet që kjo qasje e re sjell në jetët tona.  Parandalimi i sëmundjeve kronike mund të arrihet pa ilaçe ose trajtime të shtrenjta mjekësore. Lifestyle Medicine është një nga lëvizjet më popullore në botë në shëndet-një valë revolucionare që po përhapet kudo. Pas shumë vitesh studime, më në fund ka një ndërgjegjësim te njerëzit në lidhje me fuqinë që ndryshimet në stilin e jetesës kanë për të parandaluar dhe për të ndikuar në reduktimin e progresit të shumë prej sëmundjeve kronike, shpesh pa mjekime ose kirurgji dhe efektet anësore janë vetëm pozitive!
Folësi i dytë, Dr.Artan Isaraj (Pediatër), foli për një fenomen mjaft shqetësues siç është mbipesha te fëmijët. Ushqyerja e dobët mund të çojë në një sërë problemesh te fëmijët, duke përfshirë shtimin në peshë dhe obezitetin. Obeziteti i fëmijërisë mund të jetë një shkak për shumë probleme shëndetësore përfshirë tipin 2 të diabetit deri në sëmundjet e zemrës dhe sëmundje të mëlçisë yndyrore jo-alkoolike (NAFLD). Është esenciale t’i siguroni fëmijëve ushqyerjen e duhur dhe të ndihmoni ata të stabilizojë zakone të mira ushqimore që do të zgjasin përjetë. Dr.Isaraj prezantoi një studim të bërë në një nga qytetet e Shqipërisë, i cili pati një impakt goxha befasues te audienca.
Folësja e tretë, Dr.Sofiela Telo (Mjeke e shëndetit publik) preku një temë mjaft interesante, siç është diabeti dhe ndikimi që ka kjo sëmundje kronike në sëmundjet pulmonare. Në jetën e përditshme, të gjithë njohim dikë që është i diagnostikuar me diabet dhe shpesh ai/ajo krahas diabetit, mund të ketë dhe sëmundje të tjera qoftë pulmonare ose patologjish të ndryshme. Dr. Telo shprehu mendimet  e saj lidhur me një çështje që po diskutohet shumë dhe nga studiues në mbarë botën “Lidhja ndërmjet diabetit dhe sëmundjeve pulmonare”, mbështetur dhe me fakte bindëse nga ana e saj.
Folësja e katërt, Oneda Reci (Personal Trainer), foli për rëndësinë që ka aktiviteti fizik në parandalimin e sëmundjeve kronike. Aktiviteti fizik është një ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në shëndetin e secilit prej nesh. Një aktivitet fizik i rregullt përmirëson shëndetin fizik dhe mendor, por gjithashtu ul rrezikun për sëmundjet kronike të njerëzve.  Krahas prezantimit, ajo dha disa rekomandime lidhur me aktivitetin fizik që mosha të caktuara duhet të bëjnë si dhe kohën e mjaftueshme, bazuar në kushtet e tyre shëndetësore.
Folësja e fundit, Dr. Grazzia Mazza (Terapiste) foli për një temë mjaft delikate siç është stresi, ndikimin që ka në jetën tonë të përditshme dhe në shfaqjen e sëmundjeve kronike. Dr.Mazza gjithashtu tregoi për anët pozitive dhe negative që stresi sjell, duke bërë bashkëbisedim të vazhdueshëm dhe me audiencën në sallë. Përpos efekteve negative që stresi sjell, Dr.Mazza në fund prezantoi dhe disa metoda relaksuese e qetësuese për një jetë të shëndetshme dhe për një shëndet optimal.
Folësit kishin përgatitur disa prezantime mjaft interesante lidhur me fushat që “Lifestyle Medicine” përfaqëson. Temat ishin më së shumti të fokusuara në parandalimin e sëmundjeve kronike që ndikojnë shëndetin dhe jetën tonë të përditshme. Prezantimet ishin një kombinim ndërmjet teorisë+studimeve+statistikave. Ky kombinim pati një ndikim mjaft të fortë te vëmendja e audiencës. Në fund, pjesëmarrësit ndanë disa opinione si dhe dhanë një vlerësim pozitiv për konferencën, folësit dhe prezantimet. Nisur nga komentet pozitive, pjesëmarrja e shumtë si dhe kërkesat e shumta për një konferencë të dytë të këtij lloji, pritet që në muajt në vazhdim të organizohet një tjetër konferencë ku temat do të fokusohen kryesisht te një stil i shëndetshëm jete.