Përdorimi i ilaçeve gjatë shtatzënisë shkakton astmë te fëmijët

Përdorimi i medikamenteve për aciditetin e lartë gjatë shtatzënisë shkakton astmë te fëmijët. Një studim i cili ka grumbulluar të dhëna nga tetë studime vëzhguese ka arritur në përfundimin se rreziku i astmës në fëmijëri u rrit me 34 për qind kur nëna përdorte frenuesit e pompës proton dhe 57 për qind me përdorimin e antagonistëve të receptorit të histamine-2. Këto medikamente konsiderohen të sigurta për trajtimin e sëmundjes së refluksit, një ndërlikim i zakonshëm ky gjatë shtatzënisë. Por studimi zbuloi se përdorimi i tyre lidhet direkt me astmën që shfaqet tek fëmija. Autorët e studimit nga Universiteti i Mjekësisë në Kinë kanë bërë të ditur se studime të mëtejshme klinike të vëzhgimit janë të nevojshme për të konfirmuar këto rezultate, përpara se të jepen rekomandime për kufizimin e këtyre barnave gjatë shtatzënisë. Por sipas tyre ky studim "mund të ndihmojë mjekët dhe prindërit që të përdorin kujdes kur të vendosin nëse duhet të marrin mjekim për uljen e acidit në stomak gjatë shtatzënisë për shkak të rrezikut të astmës te fëmijët".