Paralajmërimi i ISHP: Kujdes nga gripi! Viroza rikthehet çdo mars

705
Sigal

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik për tre vitet e fundit 2016, 2017 dhe 2018, duket se në periudhën e marsit është koha kur duhet të kemi kujdes të shtuar ndaj gripit, pasi virozat rikthehen.
Në vitin 2016, fundi i dhjetorit ishte koha kur u shënua edhe numri më të lartë i njerëzve të prekur nga gripi. Në vitin 2017, periudha e janarit ka shënuar numrin më të lartë të personave të prekur nga gripi në vendin tonë. Ndërsa viti 2018, gripi ka pasur rritje drastike në muajin janar dhe shkurt.

Por në të tre këto vite, ashtu siç edhe tregojnë grafikët, kurba e virozave ka një ringritje gjatë marsit. Pikërisht për këtë arsye Instituti i Shëndetit Publik, në njoftimet e fundit publike, ka bërë thirrje që personat me rrezik të shtuar dhe ata me sëmundje kronike, duhet të tregojnë më shumë kujdes.

Gripi në rënie, por i rrezikshëm
Mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë shprehen se megjithëse kurba e pacientëve me grip është në rënie, viroza përsëri mbetet e rrezikshme. Sipas tyre, në spitalin infektiv pranë kësaj qendre paraqiten 30 deri në 40 raste në ditë. Mjekët shprehen se gjatë virozës së gripit të këtij vitit, kanë hasur problematikë të shtuar sidomos te të sëmurët kronikë, ku komplikacionet kanë qenë edhe më të shpeshta. Vetëm para pak ditësh, një 36-vjeçare e prekur nga virusi i gripit AH1N1, u nda nga jeta, pasi solli në jetë dy fëmijë binjakë, një prej të cilëve nuk mundi të mbijetonte për shkak të lindjes së parakohshme.

Gripi, një sëmundje serioze
Gripi mund të jetë një sëmundje serioze që mund të çojë në gjendje të rëndë shëndetësore, me shtrime në spital dhe ndonjëherë deri në vdekje. Për shumicën e njerëzve gripi është një sëmundje kalimtare, por në disa raste, shkakton ndërlikime të rënda dhe vdekje. Një individ i infektuar mund të infektojë të tjerët, 1 ditë përpara se simptomat të shfaqen. Ai vazhdon të jetë infektues për 5-7 ditë pasi është sëmurur. Simptomat shfaqen 1-4 ditë, pasi virusi është futur në organizëm.
Kjo do të thotë që mund t’a transmetoni virusin dikujt tjetër, përpara se ta kuptoni që jeni sëmurë, si dhe e transmetoni atë edhe kur jeni të sëmurë.