OBSH: 2/3 e popullsisë botërore janë të prekur nga virusi i herpesit

446
Dy të tretat e popullsisë botërore nën moshën 50 vjeç janë të prekur nga virusi tepër infektiv i herpesit, i cili shkakton fshikëza (herpes) përreth buzës. Ky është përfundimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i bërë publik këtë të mërkurë pas vlerësimeve të para për mbizotërimin e kësaj sëmundjeje globalisht.
Më shumë se 3,7 miliardë njerëz nën të 50-at vuajnë nga virusi simpleks i herpesit të tipit 1 (HSV-1), të cilin zakonisht mund ta kenë marrë gjatë fëmijërisë, sipas studimit të OBSH-së. Gjithashtu janë rreth 417 milionë njerëz në botë, të grupmoshave 15-49 vjeç, të cilët janë të prekur nga forma të tjera të kësaj sëmundjeje (HSV-2), e cila shkakton të tilla fshikëza në organet gjenitale.
HSV-1 shkakton normalisht ulçera të gojës, më shumë sesa infeksione gjenitale, por shqetësim përbën fakti se po shtohen gjithnjë e më shumë këto të dytat, e shumica e të prekurve janë nga vendet e pasura.
Kjo ndodh për shkak të kujdesit higjienik tepër të lartë në vendet e pasura, gjë që po ul gjithnjë e më shumë normat e infeksioneve të tipit HSV-1 në fëmijëri, por po vendos gjithnjë e më shumë të rinjtë përballë riskut të të marrit të këtij virusi gjatë seksit oral, kur ata bëhen aktivë në aspektin seksual.
HSV-2, nga ana tjetër, mund të ndihmojë në rritjen e rrezikut të marrjes dhe shpërndarjes së HIV-it, virusi që shkakton sëmundjen e AIDS-SIDAs. Shumë pak dihet deri më tani për lidhjen mes HSV-1 dhe HIV/AIDS, ndërkohë që dihet mirë se ai mund të çojë drejt komplikacioneve të tjera serioze, siç është encefaliti (inflamacion i trurit).
“Duhet të përshpejtojmë në zhvillimin e vaksinave kundër virusit simpleks të herpesit dhe, nëse një vaksinë që do të mund të parandalojë infeksionet HSV-2 do të ngadalësojë gjithashtu edhe HSV-1, kjo gjë do të sillte përfitime shumë të mëdha”, tha Sami Gottlieb, kreu mjekësor i OBSH-së.
Sigal