Nëse bëhet “Vetting” në administratë, 11 mijë zyrtarë dalin më dosje krimi, 43 mijë drejtues me pasuri krimi

627
Përparim HALILI
Krahas sektorit të drejtësisë, ndërkombëtarët po kërkojnë që dekriminalizimi të zbatohet edhe ndaj nëpunësve të shtetit
Kufizimi i procesit të “Vetting”-ut, vetëm në sektorin e pastrim-vetëpastrimit të drejtësisë shqiptare është cilësuar nga ndërkombëtarët dhe grupet e interesit brenda vendit, si i pamjaftueshëm, si jo dekriminalizim total i strukturave të krejt bazës dhe piramidës shtetërore, mbasi realisht “pastrimi” i krimit dhe korrupsionit po bëhet vetëm në një “parcelë” të një pushteti të “shigjetuar”. Nuk themi, që ky proces të ndalet në drejtësi, gjersa nuk po bëhet edhe në sektorët e tjerë, përkundrazi, themi që “Vetting” u të veproj në çdo sektor të administratës dhe shërbimeve shtetërore. Pse? Sepse procesi “Vetting”-ut po zbatohet vetëm ndaj gjyqtarëve e prokurorëve që kanë detyrim kushtetues e funksional të ndëshkojnë krimin, korrupsionin, cenimin e të drejtave sociale etj. Por, nuk po bëhet “Vetting”-u për “lëndën e parë” me të cilën “punon” drejtësia. Pra, po pastrohet ajo strukturë që ka detyrë të ndëshkoj krimin, por nuk ka nisur të pastrohet pjesa e inkriminuar! Këtë qëndrim me dy standarde, kanë menduar e kanë nisur ta unifikojnë ndërkombëtarët, për ta aplikuar “Vetting”-un edhe në pushtetin ekzekutiv, pra në administratën publike. Një urdhër i formës së prerë i dhënë prej diplomacisë dhe agjencive investiguese ndërkombëtare është çuar disa ditë më parë tek kryeministri Edi Rama, për të nisur urgjent procesin e “Vetting”-ut edhe në administratën shtetërore në çdo nivel të saj! Sipas projektit, tri do të jenë pistat e procesit të “Vetting”-ut, që pritet të nis ndaj drejtuesve dhe nëpunësve të administratës publike: 
1. Verifikimi i pasurive fizike e financiare. 
2. Verifikimi i gjendjes penale. 
3. Verifikimi i vendqëndrimeve dhe aktiviteteve jashtë Shqipërisë, pas vitit 1992. 
Siç kuptohet nga tre pistat e hetimit, të cilat do të nisin me vetë deklarime ashtu si edhe deputetët dhe të zgjedhurit e pushtetit lokal, duket se ndërkombëtarët disponojnë dosje konkrete për çdo drejtues dhe zyrtar të administratës publike, ndaj po i diktojnë kryeministrit Rama aplikimin e procesit të “Veting”-ut edhe për ta, duke e nisur prej nëpunësve të zyrës së tij. Nuk e dimë, nëse kryeministri do të çojë ndonjë projekt-ligj në parlament, apo nëse do të nxjerr ndonjë urdhër administrativ për ekzekutim direkt, për të hapur “letrat” e zyrtarëve të institucioneve shtetërore, por kemi informacion të detajuar, se hapja e këtyre “letrave”, do të “boshatis” administratën publike nga nëpunësit e do të largoj nga detyra, shumë drejtorë dhe funksionarë të lartë të shtetit, që nga kryeministria e deri tek drejtoritë e institucioneve dhe shërbimeve publike në qarqe, rrethe e qytete! Sipas informacionit që ka gazeta “Telegraf”, mendohet se nëse bëhet “Vetting”-u në administratën publike, zyrat do të boshatisen nga 11 mijë zyrtarë me dosje krimi me skedë brenda e jashtë vendit dhe nga 43 mijë drejtues shtetërorë të çdo niveli, të cilët figurojnë me pasuri të vëna me rrugë krimi e korrupsioni jashtë detyrës dhe gjatë detyrës zyrtare. Shërbimet e specializuara të huaja, në bashkëveprim me shërbimet e specializuara shqiptare, kanë hartuar listat e nëpunësve dhe drejtuesve të administratës publike në çdo sektorë dhe pritet t’i dorëzojnë ato pranë çdo ministrie përkatëse, për të nisur procesin e “Vetting”-ut. Kujtojmë që afro 1 vit më parë, gjithë drejtorët e institucioneve dhe zyrtarët e nivelit të dytë në qendër, në qarqe e në rrethe, bën vetëdeklarime pranë institucioneve të tyre eprore, lidhur me gjendjen penale që ata kishin për aktivitetin e tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë. U tha se brenda muajit maj 2016, këto vetë deklarime, do të verifikoheshin nga institucionet eprore dhe në shtator do të niste “pastrimi” i drejtuesve dhe zyrtarëve të inkriminuar, të dënuar me vendim të formës së prerë, të atyre me diploma false dhe të atyre që kanë krijuar pasuri me burim aktivitetin e krimit e korrupsionit. Ky proces nuk vazhdoi më tej, duke u lënë në harresë prej ministrive, me pasojë mbajtjen në zyra e në krye të zyrave të mijëra individëve me rekorde kriminale e me diploma false. Siç duket, ky mos zbatim detyrimi ligjor, ka detyruara faktorin ndërkombëtar, që krahas procesit të “Vetting”-ut në drejtësi, të kërkoj me urdhër edhe “Vetting”-un në administratën shtetërore e cila siç dihet është kthyer në një “ushtri” shtetarësh, drejtorësh e nëpunësish që e kanë tjetërsuar administratën publike në moçal krimi e korrupsioni masiv, ekstrem e të shfrenuar. 
Sigal