Në 9 muaj, 550 infermierë të larguar

544
Sigal

Infermieria por edhe programe të tjera të Universitetit të Mjekësisë po zgjidhen nga të rinjtë me synimin për t`u larguar jashtë Shqipërisë dhe për t`u punësuar në ato vende që ofrojnë më shumë mundësi për ta.

“Në Gjermani, se atje kam të afërmit dhe më duket mundësi shumë e mirë.”

“Jam nga ata njerëz që kam pak besim te Shqipëria, por normal që më mirë është jashtë shtetit.”

Paga nuk është e vetmja arsye. Mungesa e kushteve të punës si dhe vlerësimit profesional përbëjnë shkak për largimin jashtë vendit.

Sipas të dhënave të Urdhrit të Infermierit vetëm përgjatë vitit 2019 janë lëshuar 554 dokumentacione për jashtë shtetit për të gjitha profesionet që përfshin ky institucion.

Po sipas Urdhrit të Infermierit këtë vit vihet re një rritje e lehtë e kërkesave për këto dokumentacione, në vitin 2018 janë lëshuar 529 të tilla për profesione si infermieri, mami, fizioterapi, logopedi etj.

Megjithatë Ministria e Shëndetësisë nuk e sheh me shqetësim këtë fluks lëvizjesh pasi sipas saj çdo vit licencohen mbi 2 mijë infermierë.

Interes të lartë për mjekët dhe infermierët shqiptarë kanë treguar kryesisht institucionet shëndetësore të shtetit gjerman.

Një muaj më parë ekipi i një prej spitaleve gjermane zhvilloi një takim me personelin e QSUT dhe mësohet se janë përzgjedhur afro 20 infermierë të cilët pritet të lënë Shqipërinë pasi të marrin certifikatën e gjuhës gjermane.