Mos përdorni lugë metali për mjaltin

105
Ekspertët shprehen se disa enzima të mira tek mjalti shkatërrohen nga kontakti me bakrin dhe hekurin. Madje këto metale mund të prodhojnë edhe disa kripëra toksike të dëmshme. Ndaj ata janë kundër përdorimit të lugëve metalike për mjaltin. Në këtë mënyrë shmanget ndryshimi i shijes apo transferimi i substancave të padëshiruara metalike.
Ky paralajmërim ngjall habi për vetë faktin se shumica e bletërritësve përdorin mjete inoksi. Kjo do të thotë se kontakti minimal mes mjaltit dhe lugëve metalike ka shumë pak gjasa të shkaktojë probleme. Mjetet metalike të përftimit të mjaltit nga bletërritësit janë të inoksiduara prandaj problemi nuk ekziston në prodhim.
Të gjithë mund të biem dakord se lugët e drurit janë më të mirat në kuzhinë, por ngrënia e mjaltit me një lugë inoksi, porcelani, qeramike apo plastike nuk duhet t’ju shqetësojë. Megjithatë, jo të gjitha mjetet e kuzhinës janë inoksi ndaj nëse në etiketën e tyre nuk lexohet një gjë e tillë, atëherë më mirë mos e përdorni për mjaltin.
Nëse keni lugë ose pirunj, sipërfaqja e të cilave ka gërvishtje, këto nuk duhet t’i përdorni për mjaltin, madje për asnjë ushqim tjetër. Të vetmet metale të cilët nuk kanë asnjë lloj problemi me mjaltin janë ari dhe argjendi i pastër. Nëse pjesa e pasme e dorezës së lugëve, pirunjve dhe thikave tuaja shkruan “Stainless Steel” tregon se metali i përdorur është material inoksi.