Maksimi Tufa: 4445 vaksinat anti-grip mbeten stok

634
Sigal

Infermieret e Qendrave Shëndetësore “Nuk kemi shiringa, ministria nuk na furnizon”, qytetarët porositen t’i blejnë vetë në farmaci

Edhe pse Ministria e Shëndetësisë ka sjellë prej afro 1 jave, 4445 vaksina anti-grip në Qendrat Shëndetësore të Elbasanit, ato kanë mbetur stok, për një shkak fare qesharak. Kjo për faktin sepse Qendrat Shëndetësore, nuk kanë gjendje në magazina asnjë copë shiringë, duke kthyer mbrapsht qindra qytetarë hallexhinj, të sëmurë kronikë, kryesisht pensionistë dhe të papunë që u janë drejtuar atyre, për të bërë “falas” vaksinën e dyshimtë. Por, veç faktit, se vaksinat e ardhura nuk kanë as fletë shoqëruese, madje edhe data e skandencës shihet me lupë, me shumë vështirësi, duket se problem për infermieret e Qendrave Shëndetësore, mbetet mungesa e shiringave. Një infermiere e Qendrës Shëndetësore të lagjes “Vullnetari” në Elbasan i tha “Telegraf”, se “kemi gjithë javën që kthejmë qytetarët, i porositim të shkojnë dhe blejnë shiringat në farmaci, sepse ne nuk kemi gjendje asnjë copë, por tek ne paraqiten më shumë të papunët apo edhe pensionistët, të sëmurët kronikë, por edhe ata duket se nuk e kanë mundësinë të vijnë 2-3 herë dhe të blejnë 200 lekë të vjetra një shiringë, ndërkohë që kërkesës tonë shefat i përgjigjen se “vaksinën po ja bëjmë falas, duan edhe shiringën, le ta blejnë në farmaci”. Nën zë infermierja tha se “ndoshta ka edhe ndonjë marrëveshje mes tyre dhe farmacive për t’i shitur kolitë e shiringave që kanë mbetur pa shitur prej vitesh, por është e dhimbshme të kthesh nga rruga në këto ditë të ftohta të sëmurët kronikë, pensionistët dhe të papunët, dhe t’u kërkosh të blejnë me lekë, atë që shteti duhej t’ua siguronte falas”. E njëjta situatë ka ndodhur edhe në Librazhd, ku në tre Qendrat Shëndetësore të qytetit, (pasi në fshatra nuk ka të tilla prej 4 vitesh) mungonin deri dje shiringat dhe ku alarmin e kanë dhënë, jo vetëm personeli, por edhe drejtuesit e shëndetësisë. Të ndodhur në një situatë të tillë dramatike, shpesh përgjegjësit e Qendrave Shëndetësore në Elbasan, po u drejtohen për ndihmë për t’u pajisur me shiringa kolegëve të tyre në spitale, por duket se edhe atje situata mbetet jo e mirë. Në një kohë që Ministria e Shëndetësisë, çdo ditë po flet akoma për “shëndetësi falas” dhe po u kërkon qytetarëve të vaksinohen “falas”, duket se e gjithë kjo propagandë falas, po dështon, dhe shpesh po injorohet edhe nga vetë qytetarët. Në disa Qendra Shëndetësore, ku shiringat sigurohen nga personeli, kjo vaksinë po bëhet kundrejt një vlere prej 1 mijë lekësh të reja, duke kompromentuar gjithë procesin dhe propagandën e Ministrisë Shëndetësisë. Nga ana tjetër hije dyshimi është hedhur edhe mbi efektshmërinë e vaksinës. Në Ambulancën Qendrore dhe Qendrat Shëndetësore të Elbasanit, çdo ditë kryhen mbi 1250 vizita të moshave nga 10 deri 71 vjeç, dhe është konstatuar një përhapje e madhe e virusit tek këto mosha, kurse moshat 0 deri 9 vjeç po trajtohen në Pediatrinë e qytetit, ku mbingarkesa edhe me trajtimet ambulatore dhe shtrimet mbetet e madhe. Ndërkohë mësohet se në fshatra, vaksina as që bëhet fjalë, se mund t’u bëhet banorëve, fëmijëve apo edhe të sëmurëve kronikë, të cilët janë lënë në mëshirën e fatit.

1000 sahate matës në Cërrik dhe 2000 mijë në Elbasan jashtë pune
Ngricat dëmtojnë linjat dhe sahatet-matës të ujit në dy qytete, banorët nuk marrin shërbimin e duhur
E ndërsa reshjet e dëborës kanë pushuar, radha u ka ardhur ngricave, pasi termometri ka shënuar në Qarkun e Elbasanit, një temperaturë të paparë që arrin në -10 gradë. Kjo situatë e cila i ka gjetur të papërgatitur qytetarët dhe banorët e zonave fushore dhe malore, ka sjellë edhe problemet e veta. Veç faktit se rrugët kanë akoma probleme në qarkullimin e makinave dhe mjeteve motorike, duket se shqetësim për banorët e Elbasanit dhe Cërrikut, mbetet ngrirja dhe çarja e tubacioneve dhe sahateve të ujit, që kanë dale jashtë përdorimit. Mbi 1 mijë sahate në Cërrik, dhe mbi 2 mijë të tillë në Elbasan, kanë dalë jashtë përdorimit pasi ngricat kanë shkatërruar gjithçka. Banorët e lagjeve në këto dy qytete, ankohen sepse nuk marrin në kohën e duhur shërbimin nga Ujësjellësit e qyteteve, pasi sipas tyre “hidraulikët dhe grupet e avarisë nuk vijnë, por edhe kur njoftohen, por edhe kur vijnë ose kur komunikojmë në telefona, na thonë se duhet të presim rritjen e temperaturave të riparojmë defektet, kurse për sahatet e rinj bisedoni me shefat”. Ndërkohë situata në oborret e pallateve në pothuajse gjithë qytetin e Elbasanit dhe Cërrikut, mbetet e rrezikshme, sepse ka pasur raste kur nga ngricat me trashësi 5 deri 10 cm, ka pasur edhe persona të plagosur, apo edhe aksidente. Në Urgjencën e Elbasanit janë paraqitur mbi 32 persona që kanë rrëshqitur në rrugë dhe trotuaret e mbuluara nga ngricat dhe akulli, dhe kanë përfunduar me fraktura dhe dëmtime të tjera serioze. Por shqetësimi qytetarëve mbetet edhe për sahatet e dëmtuar nga ngricat. Ata shprehen se “ashtu si në Tiranë, ku shpenzimet për të gjithë sahatet e dëmtuar do ti paguajë UKT, edhe tek ne shpenzimet duhet ti paguajë UKE, dhe jo xhepat tanë të shpuar, sahatet nuk i prishëm ne por kushtet e motit”. Pothuajse të gjitha lagjet e qyteteve Elbasan dhe Cërrik, pas çarjes së tubacioneve dhe depozitave të ujit të pijshëm, gjenden nën pushtetin e ngricave. Gjithë sasia e ujit e cila derdhet nga tubacionet dhe depozitat e pallateve dhe banesave, kthehet në akullnajë në rrugë, trotuare dhe rrugicat e lagjeve. Por sikur të mos mjaftonte kjo, tashmë qytetarët duhet të përballen edhe me mungesën e shërbimeve nga Ujësjellësit, dhe ndoshta edhe pagesën e vendosjes për çdo sahat të ri, të dëmtuar nga kushtet e rënduara atmosferike. Ky mot kaq i acartë kishte dekada që nuk bënte në Qarkun e Elbasanit, dhe ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja e mungesës së masave dhe vëmendjes edhe nga vetë qytetarët. Por gjithsesi kjo nuk duhet të jetë arsyeja e mungesës së shërbimit në kohën e duhur nga Ujësjellësit, të cilët duhet të justifikojnë me vepra dhe në praktikë faturat e kripura që u vjelin çdo muaj nga xhepat e tyre qytetarëve, pavarësisht mungesës së investimeve në rrjet.