Maksim Tufa: Alarm në spital: 4 muaj pa ilaçe

457
Shërbimi i mangët spitalor, pason atë shëndetësor nëpër lagjet dhe zonat e tjera të qytetit, ankesat e banorëve nuk përfillen
Ministria e Shëndetësisë lë Elbasanin 4 muaj pa ilaçe, kur bëhen qindra tenderë në miliarda lekë
• Infermierët: “Nuk kemi as mjekime, depot janë bosh”
• Reanimacioni: Kemi mbetur edhe pa gjilpëra, një copë shitet 170 mijë lekë
Nga Maksim TUFA
Ministria e Shëndetësisë ka prej muajit shtator 2016 që pothuajse nuk e furnizon fare me ilaçe depon e Spitaleve të Elbasanit. Kjo situatë ka krijuar probleme serioze lidhur me mjekimin apo dhe trajtimin e të plagosurve në aksidente, si dhe të sëmurëve akutë dhe kronikë, që paraqiten kryesisht në pavionin e Reanimacionit. Një infermier nga ky pavion tha, se “kurrë nuk ka qenë kështu, po përballemi me një situatë skandaloze, Ministria e Shëndetësisë pothuajse i ka lënë depot bosh, nuk kemi as mjekime dhe as ilaçe, një gjilpërë po shitet 170 mijë lekë për rastet urgjente kur rrezikohet jeta e ndonjë pacienti, sepse dollapët tanë dhe depot janë bosh. kërkesat nuk kanë munguar nga ne dhe shefat, por duket se ministria sjell vetëm ilaçe pa vlerë dhe që nuk na hyjnë në punë, ose ndonjë koli me doreza plastike të skaduara, kurse shpesh aksidentet mjekohen nga ato që sigurojmë vetë, ose nga ilaçet që blejnë familjarët”. Sikur të mos mungonte ngrohja dhe kushtet e tjera, sikur të mos mungonte investimi që Ilir Beqja ka premtuar qysh në vitin 2015 se “Spitali Rajonal Elbasan do të ketë një sistem modern ngrohjeje”, tashmë personalit i duhet të përballet edhe me mungesën e ilaçeve, madje sipas infermierit “nuk kemi as betadinë, e blejmë në farmaci dhe e mbajmë për rastet urgjente, kryesisht aksidentet”. Sipas të njëjtit burim “rasti më i fundit ka qenë kur një të sëmuri kronik i rrezikohej jeta, ishte fukara dhe duhej të bënte një gjilpërë e cila kushtonte në farmaci plot 170 mijë lekë të vjetra, nuk ju besohet por kemi nxjerrë gjithë personeli lekë nga xhepat tanë dhe dërguam dhe e blemë, sepse atij i rrezikohej jeta, kjo është shëndetësia falas e Ilir Beqajt”. Mungesat e theksuara me ilaçe dhe pajisje të tjera, mungesa e ngrohjes dhe kushteve të tjera për personalin dhe pacientët, tashmë kanë vulosur përfundimisht degradimin e sistemit mjekësor por dhe kanë diskredituar plotësisht propagandën bajate të Rilindjes se “do të realizojmë premtimin për shëndetësi falas”. Shërbimi i mangët spitalor, pason atë shëndetësor në lagjet dhe zonat e tjera të banuara të Elbasanit, atje ku mungojnë Qendrat Shëndetësore, atje ku mungon mjeku dhe infermierja, dhe ku propaganda e Ministrisë Shëndetësisë ka kohë që ka mbetur në fjalimet e fushatës së kaluar elektorale. Në afro 4 vjet të mandatit qeverisës të Rilindjes, qytetarët e Elbasanit veç shtrenjtimit të vizitave, shtrenjtimit të ilaçeve dhe shërbimeve të tjera mjekësore, nuk kanë përfituar asgjë tjetër. Ata u mashtruan, dhe u zhgënjyen nga premtimet e 2013, pasi provuan mbi xhepat dhe shëndetin e tyre, jo vetëm rritjen e çmimeve, por edhe mungesën e ilaçeve të nevojshme në spitale. Mungesa të tilla ilaçesh apo dhe pajisjesh për ngrohje, ka mundësi të mos kenë as spitalet e Irakut, por ja që kanë spitalet në Shqipëri. Kjo pasi paratë e ndërtimit dhe funksionimit të kaldajave bashkëkohore të premtuara, janë përdorur dhe po përdoren për dorovitjen dhe qokat e radhës, kurse blerjet e ilaçeve për shërbimet spitalore në shkallë vendi, janë kthyer në të drejtë të pazëvendësueshme e një ministri që edhe kur të mos jetë më i tillë, do ti duhet të japë llogari jo vetëm për gjendjen në të cilën e katandisi shëndetësinë në Shqipëri, por edhe për miliona euro të zhvatura. 
Sigal