Lajm i mirë nga mjekësia, ndërtohen në Itali mikrogrimcat që përzënë qelizat tumorale

795
Grimca të vogla do të udhëtojnë në trupin e njeriut në gjueti të qelizave tumorale për t’i vrarë. Mikro ‘anijet’ janë ndërtuar në Itali, në Institutin e Teknologjisë të Genovas, në sajë të financimit nga Këshilli Evropian i Kërkimeve dhe do të jenë në gjendje të eliminojnë qelizat “e këqija” duke u dhënë atyre një ilaç të posaçëm.
Trajtimi nuk dëmton indet e shëndetshme. Siç shkruhet në revistën Acs Nano, grimcat e vogla u krijuan nga grupi ndërdisiplinor i koordinuar nga Paolo Decuzzi, drejtor i Laboratorit të nanomjekësisë precize të Institutit dhe në ekipin e studiuesve bën pjesë edhe kërkuesi Roberto Palomba.
Hulumtimi u krye në kuadër të projektit europian “Potent”, i cili synon të përdorë nanogrimcat për diagnozën e hershme dhe trajtimin e tumorit më agresiv të trurit, “glioblastoma multiforme”. Qëllimi është krijimi i një brezi të ri barnash të mençura, të afta për të kuruar indet e sëmura pa dëmtuar ato të shëndetshme
Ende në fazën eksperimentale në laborator mbi forma të ndryshme të kancerit (si glioblastoma dhe kanceri i gjirit), nanopjesëzat janë projektuar për të kombinuar kimioterapinë dhe imunoterapinë, apo për të luftuar tumoret me ilaçe dhe në të njëjtën kohë për të forcuar kundër tyre imunitetin. Për këtë arsye nanogrimcat janë prodhuar në mënyrë që të bëhen të buta si qeliza të gjakut ose të rënda si pjesë të eshtrave.
Butësia do i lejojë ato t’i ikin sulmeve të sistemit imunitar, i cili do t’i identifikonte ato si armiq, duke i asgjësuar. Në këtë mënyrë ato arrijnë të çojnë në destinacion ilaçin që transportojnë. Grimcat e ngurta, të njohura menjëherë nga qelizat imune që gëlltisin armiqtë (të quajtur makrofagë), në vend të kësaj bëhen “kuaj të Trojës” që sjellin ilaçin direkt në makrofagët, duke i rritur ato dhe duke i transformuar ato në armë të reja për t’u përdorur për të luftuar tumoret.
Sigal