Ky është qyteti shqiptar ku konsumohet më shumë alkooli

767
Në Dibër shpenzohet më shumë se në çdo qytet tjetër të Shqipërisë për pije alkoolike dhe duhan.
Sipas të dhënave të INSTAT për 2015, të publikuara në raportin e fundit të “Vjetari Statistikor 2012-2016”, në shpenzimet e përllogaritura për secilin qytet, Dibra rezulton qarku që shpenzon më shumë për produkte konsumi si duhani dhe pijet alkoolike, me pikësim 10.6.
Qytetet që e ndjekin më pas për shpenzim, janë Korça me 4.9 dhe Kukësi me 4.7, më pas Berati me 4.4. 
Konsumatorët më të pakët të duhanit dhe alkoolit rezultojnë shkodranët dhe më pas, durrsakët.
Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetit dhe Eurobarometrit për vitin 2016, konsumi i alkoolit për frymë në Shqipëri është rreth 5 litra në vit, duke qenë i dyti më i ulët në Europë.
Të dhënat e tjera po të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se konsumi i paregjistruar i alkoolit në Shqipëri është 2.1 litra, duke e çuar në total në 7 litra, që ende mbetet shumë më i ulët se i vendeve të tjera të Europës. Nga vendet e rajonit, konsumatorët më të mëdhenj të alkoolit janë serbët, me gati 10 litra.
Sipas OBSH, në Shqipëri 30% të konsumit të alkoolit e zë birra, 20% vera dhe 50% pijet e tjera alkoolike. Ndërsa nuk konsumojnë alkool, shqiptarët janë ndër pirësit më të mëdhenj të duhanit në Europë.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria renditet në vendin e katërt në Europë për sa u përket shitjeve të cigareve për frymë për moshën mbi 15 vjeç, me rreth 2 mijë fije cigare në vit të shitura për frymë, sipas të dhënave të Project Sun, të kryer nga firma audituese KPMG.
Të dhënat e konsumit, tregon INSTAT, llogariten bazuar në Anketën e Buxhetit të Familjes, i cili është një vrojtim statistikor që kryhet pranë NjEF me vendbanim të zakonshëm në Shqipëri dhe jep një panoramë të qartë të situatës socio-ekonomike të tyre.
Sigal