Kujdesi për sëmundjet e shpeshta që dëmtojnë sytë

2250
Simptomat se si shfaqen: glaukoma, katarakti, degjenerimi makular, retinopatia diabetike, alergjitë e rënda, infeksionet e qepallave dhe konjunktivitet. Kategoritë që rrezikojnë më tepër për të zhvilluar këto sëmundje, si dhe masat që duhet të merren për zbulimin e tyre të hershëm
Problemet me sytë janë nga më të ndryshmet, por që ne shpesh nuk u kushtojmë vëmendjen e duhur dhe kujtohemi të shkojmë te mjeku, vetëm kur nuk lexojmë dot gazetën, apo nuk shohim qartë programet në televizor.
“Syri është një organ kompleks dhe i ndërlikuar. Ai përbëhet nga kornea që është dhe pjesa më e madhe, irisi (pjesa me ngjyrë e syrit), retina, e cila krijon impulse elektrike që udhëtojnë për në tru nëpërmjet nervit optik (nervi i shikimit), si edhe shumë struktura të tjera të ndërlikuara.
Kështu, edhe problemet, apo dëmtimet mund të ndodhin në struktura të veçanta, ose të grupuara, shoqëruar me simptomatologjinë klinike përkatëse”, vë në dukje mjekja Ilda Xhelili.
Në vijim të shkrimit mjekja detajon llojet më të shpeshta të ndërlikimeve që prekin sytë dhe dëmtojnë shikimin.
Sigal

Simptomat dhe kujdesi për glaukomën

Një ndër sëmundjet më problematike mbetet glaukoma, që është një grup i sëmundjeve të syrit që zhvillohet për shkak të presionit të rritur intra-okular (presioni brenda syrit).
Presioni i lartë dëmton nervin optik dhe mund të çojë deri në humbje të plotë të shikimit. Forma më e zakonshme e glaukomës është pa dhimbje dhe pa shenja të tjera klinike. Por, mund të ndodhë edhe në mënyrë të menjëhershme, me dhimbje dhe skuqje të syrit.
Dëmi që ndodh është i pakthyeshëm. Por, nëse kapet në fazat e hershme, progresi i glaukomës mund të ngadalësohet nëpërmjet mjekimeve përkatëse, si edhe ndërhyrjet kirurgjikale, si dhe përdorimit të terapisë me lazer. Më të predispozuar për këtë patologji janë të moshuarit, si edhe ata që kanë familjarë të tyre me glaukomë.

Katarakti, ja si formohet perdja e syrit

Problem tjetër mjaft i shpeshtë, sidomos për të moshuarit është katarakti (ose siç njihet në gjuhën e përditshme formimi i perdes), i cili zhvillohet ngadalë në moshën e tretë, pa dhimbje, duke sjellë një turbullim gradual të shikimit.
Përveç moshës, shkaktarë të tjerë përmendim sëmundjen e diabetit, traumat, disa medikamente, apo edhe ekspozimi i tepruar dhe pa mbrojtës ndaj rrezeve të diellit. Ekzaminimi për katarakt është mjaft i thjeshtë në praktikën e përditshme dhe trajtimi përfshin kirurgji, lente zmadhuese, ose syze. Perdja mund të paraqitet në njërin, ose në të dy sytë.
Ndërkohë që nuk mund të shpërndahet nga njëri sy tek tjetri. Simptomat përfshijnë:
Pamje e mjegullt, ose e turbullt, ngjyra që duken si të zbehura, shkëlqim verbues. Dritat e dhomës, llambat, ose dhe drita e diellit mund të duket shumë e fuqishme. Një tjetër simptomë është ajo e pamjes së dobët gjatë natës. Pacienti mund të ndjejë edhe pamje të dyfishtë, ose shumëfishim të objekteve në njërin sy. Kjo simptomë mund të largohet derisa katarakti bëhet më i madh, etj.
Për ta diagnostikuar kataraktin juve do t’ju bëhet një kontroll i syrit për të testuar se deri në ç’gjendje mund të jetë dëmtuar shikimi.
Në varësi të rezultateve që do të dalin nga vizita, mjeku do të përcaktojë nëse shikimi juaj mund të korrigjohet deri në një nivel të pranueshëm nëpërmjet vendosjes së syzeve, apo nëse do të jetë e nevojshme ndërhyrja me operacion.

Simptomat e degjenerimit makular

Me rritjen e moshës, sidomos pas moshës 60 vjeç mund të zhvillohet degjenerimi makular. Makula që ndihmon në fokusimin e shikimit shkatërrohet progresivisht pasi dëmtohen enët e gjakut që ndodhen prapa retinës, të cilat më pas rrjedhin dhe dëmtojnë shikimin me kalimin e kohës. Retina (indi në pjesën e pasme të syrit) ndahet nga një sasi lëngjesh nga strukturat e tjera themelore.
Jo rrallë mund të ndodhë që retina të shkëputet nga këto struktura, gjë e cila ndodh pa dhimbje dhe mund të perceptohet si ndezje e dritës, apo një perde e tërhequr në fushën tonë vizuale.
Kjo ndodh më shpesh në moshat 25-50 vjeç, por edhe tek më të vjetrit më shpesh si ndërlikim i ndërhyrjes kirurgjikale për kataraktin. Kjo sëmundje konsiderohet si shkaktari kryesor i humbjes së rëndë të shikimit.
Edhe kjo sëmundje shpesh neglizhohet për shkak të mungesës së shenjave të dukshme klinike që në stadet më të hershme të shfaqjes së saj.
Ndër simptomat e dukshme pohohen të jetë shfaqja e një njolle të turbullt në mes të shikimit, e cila mund të bëhet më e madhe dhe më e errët me kalimin e kohës. Gjithashtu, pacienti ndjen edhe një perceptim të dobësuar, ose të ndryshuar të ngjyrave.
Pavarësisht përpjekjeve të bëra në këtë drejtim, nuk ka ende shërim të plotë për këtë sëmundje, por me anë të mjekimeve mund të bëhet i mundur parandalimi i humbjes së plotë të shikimit, duke ngadalësuar dukshëm përparimin e sëmundjes.

Infeksioni i njohur si konjunktivit, kujdes është ngjitës 

Ndërsa, patologjia më e shpeshtë e syrit që nuk njeh moshë është konjunktiviti (sytë e kuq). Konjuktiviti është inflamacioni (infeksion i indeve që mbulojnë syrin dhe pjesën e brendshme të qepallave). Kjo zakonisht shkaktohet nga infeksione virale, apo bakteriale, por mund të vijë edhe si rezultat i faktorëve irritues (detergjente të ndryshëm, ndotësit, pluhurat, ose alergenë të ndryshëm).
Shumica e konjunktiviteve janë virale dhe nuk kanë nevojë për trajtime me antibiotikë. Klinikisht konjunktiviti paraqitet me kruajtje dhe skuqje të syve, sekrecione, të cilat vështirësojnë shpesh hapjen e qepallave. Në këtë rast rekomandohen kompresa me ujë të ngrohtë për pastrimin e tyre.
Gjithashtu, në këto raste duhet shumë kujdes, pasi infeksioni është shumë ngjitës nga njeri sy tek tjetri, prandaj pastrimi duhet bërë me peceta të veçanta.
Për të reduktuar përhapjen e konjunktivitit edhe tek personat e tjerë të familjes, duhet të bëni shumë kujdes me përdorimin e peshqirit, si dhe sendeve të tjera personale që bien në kontakt me sytë.
Peshqiri duhet të jetë personal, i veçantë për duart dhe për fytyrën, të ndërrohet shpesh. Kujdes maksimal duhet treguar me larjen e shpeshtë të duarve, sepse ato shërbejnë si burim infeksioni.

Uveiti (dëmtimi i shtresave të mesme të syrit)

Në vazhdim të situatave infalamatore të syrit përmendim uveitin që është inflamacion i shtresave të mesme të syrit.
Uvea është shtresa e syrit që përmban arteriet dhe venat që ushqejnë strukturat e rëndësishme të shikimit. Shkaqet e uveitis përfshijnë traumat, ose dëmtimet e syrit, sëmundje inflamatore (kryesisht reumatologjike) që prekin pjesë të tjera të trupit.
Simptoma kryesore e uveitit është dhimbja shoqëruar me skuqje të syve, ndjeshmëri të lehta, por edhe vizion jo të qartë. Trajtimi varet shumë nga shkaku, i cili në shumicën e rasteve ka karakter inflamator.

Shfaqja e alergjive të rënda të syrit

Mjaft shpesh ndeshen në praktikën e përditshme edhe alergjitë e rënda, të cilat mund të kërcënojnë shikimin. Alergjia mund të shkaktojë infeksion kronik, i cili mund të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme kornenë.
Shkaqet kryesore të alergjive janë ato sezonale (sidomos kur ndodh lulëzimi i bimëve), ndjeshmëria ndaj preparateve kozmetike, medikamenteve të ndryshme, ose pluhurave. Gjithmonë duhet të konsultoheni me mjekun specialist për simptomat klinike që paraqiten.

Trajtimi për infektimin e qepallave

Infeksionet shpesh mund të prekin edhe rrënjët e qerpikëve dhe paraqiten si një puçërr e kuqe, e dhimbshme, me majën me qelb që pulson.
Kur është shumë e madhe, ajo pulson dhe ndikon në pamje. Në rast se inflamohen (infektohen) qepallat, qoftë në sipërfaqen e jashtme, qoftë në sipërfaqen e brendshme, atëherë kemi të bëjmë me blefaritis. Simptomat përfshijnë djegie, kruarje, marrje mendsh, turbullim i shikimit, sekrecione purulente të trasha(me qelb) që ngjisin qepallat.
Trajtimi përfshin higjienë të lartë dhe mjekim lokal. Në rastet e rënda mund të përdoren antibiotikë dhe kortizonikë të përgjithshëm.

Kujdesi për retinopatinë diabetike

Nuk duhet të lemë pa përmendur edhe retinopatinë diabetike. Njerëzit që vuajnë nga diabeti shpesh kanë problem me enët e gjakut dhe syri nuk bën përjashtim të preket. Diabeti dëmton në këtë rast enët e gjakut që furnizojnë retinën, pra në pjesën e pasme të syrit.
Si rezultat i këtyre dëmtimeve mund të kemi rrjedhje gjaku dhe grumbullim të tij në qendër të syrit në formë peltesh duke shkaktuar edhe problem vizuale. Trajtimi përfshin edhe kirurgjinë e avancuar me lazer, por dëmtimet mund të jenë të përhershme.
Mënyra më e mirë për të parandaluar retinopatinë diabetike është kontrolli i rreptë i glukozës (niveli i glicemisë, sheqeri në gjak) dhe një mënyre jetese e shëndetshme (humbje në peshë, kufizime në dietë dhe aktivitete fizike).

Këshilla parandaluese

Gjithsesi për çdo shqetësim në lidhje më sytë duhet të konsultohemi me mjekun specialist okulist. Gjithmonë duhet të përdorim syze mbrojtëse për të mbrojtur sytë nga rrezet UV. Edhe kur përdorim kompjuterin, ai duhet të jetë i pajisur me ekran mbrojtës.
Natyrisht që higjiena e lartë është faktor i rëndësishëm. Personat 40-60 vjeç duhet të bëjnë çdo dy vjet kontrolle të rregullta tek mjeku okulist, ndërsa mbi moshën 60 vjeç është e këshillueshme një herë në vit.

Pse është e domosdoshme vitamina A për shikimin? 

Mjekët thonë se një dietë e varfër me vitaminë A, sjell efekte të shumta negative për shikimin që mund të çojnë deri në verbërim. Një nga shenjat e para të mungesës së vitaminës A është ulja e aftësisë shikuese pas perëndimit të diellit.
Prindërit mund ta kuptojnë që fëmija ka këtë sëmundje pasi në muzg, po qe se ka pak dritë fëmija nuk është në gjendje të njohë personat, nuk luan dhe lëviz me vështirësi.
Fëmija, ose i rrituri, me këto simptoma duhet t’i drejtohet mjekut. Për të parandaluar mungesën e vitaminës A duhet të konsumohen disa lloje ushqimesh që përmbajnë këtë vitaminë.
Më të përdorshmet janë: “Qumështi i gjirit dhe ushqimet me origjinë shtazore si mëlçia, e kuqja e vezës, qumështi i lopës, zarzavatet me gjethe me ngjyrë jeshile të errët si spinaqi, dhe perimet me ngjyrë të verdhë e të kuqe (karrotat, specat, domatet).
Duhet të theksojmë se edhe frutat e freskëta përmbajnë vitaminën A. Në vijim gjeni të detajuara katër format më të shpeshta të sëmundjeve të syrit.