Konfirmohen foshnjat me gjene të modfikuara, fajësohet shkencëtari

423
Sigal

Kina raporton se shkencëtari, që pretendoi krijimin e foshnjave të para në botë me gjene të modifikuara, ka vepruar në mënyrë të paligjshme për të fituar famë dhe pasuri.

Pretendimi i He Jiankui se ndryshoi gjenet e vajzave binjake në mënyrë që ato të mos merrnin virusin HIV u prit me skepticizëm dhe zemërim. Hetuesit thonë se shkencëtari përballet me një dënim të rëndë për shkak të veprimit të tij dhe për falsifikim dokumentesh.

Jiankui, i cili thuhet se është në arrest shtëpiak, mbrojti punën e tij.

Në nëntor, në një samit në Hong Kong, ai tha se ishte krenar për modifikimin e gjeneve, një praktikë e ndaluar në shumicën e vendeve, përfshirë Kinën.

Puna e tij u prit me zemërim nga qindra shkencëtarë kinezë dhe ndërkombëtarë, që thanë se aplikimi i modifikimit të gjeneve në embrionet njerëzore për qëllime riprodhuese ishte jo etike.

Pretendimet e He nuk janë verifikuar por hetuesit konfirmuan të hënën se puna e tij rezultoi me lindjen e foshnjave binjake dhe se një grua tjetër është aktualisht shtatzënë.

Hetuesit nga qeveria provinciale Guangdong thanë se mjeku kishte përdorur financat e veta, duke shmangur qëllimisht mbikëqyrjen.

Gjithashtu raportohet se përdori teknologji me nivel sigurie të dyshimtë për të kryer modifikimin e embrionit të njeriut.

Hetuesit konfirmuan Jiankui përfshiu tetë çifte në eksperimentin e tij, duke rezultuar në dy shtatzëni.

Ata shtuan se binjaket me emrat Lulu dhe Nana lindën në nëntor dhe janë nën mbikëqyrje mjekësore.

Që pas njoftimit të shkencëtarit për eksperimentin e tij, thuhet se është vënë nën arrest shtëpiak në Shenzhen.