Kanceri i tiroides, trajtimi

923
Kanceri i Tiroides është relativisht jo dhe aq i zakonshëm krahasuar me llojet e tjera të kancerit. Gjëndra tiroide është një organ jo i zakonshëm për tumoret malinje apo llojet e saj të kancerit. Sipas disa hulumtimeve shkencore në SHBA, kanceri i tiroides zë 0.74 -2,3 % të të gjitha llojeve të kancerit të organizmit, si tek burrat ashtu edhe tek gratë. Në vitin 2016 në SHBA janë parë afërsisht 64000 pacientë të rinj me kancer të tiroides, duke e krahasuar me mbi 240000 pacientë me kancer gjoksi dhe mbi 130000 raste të reja me kancer të kolonit. Megjithatë, më pak se 2000 pacientë me kancer të tiroides vdesin çdo vit. Në vitin 2013 mbi 630000 njerëz me kancer të tiroides jetonin në SHBA. Kanceri i tiroides është zakonisht shumë i trajtueshëm dhe shpesh kurohet me kirurgji dhe në qoftë se indikohet, dhe me jod radioaktiv. Edhe në qoftë se kancer i tiroides është shumë i avancuar, trajtim efektiv ekziston për të gjitha llojet e kancerit të tiroides.
Pavarësisht se diagnostikimi i kancerit të tiroides është i frikshëm, prognoza për shumicën e pacientëve me kancer folikular e papilar të tiroides është zakonisht shumë e mirë.
Si diagnostikohet kanceri i tiroides?
Diagnoza për kancerin e tiroides sugjerohet nga rezultatet e Punksion Biopsise Aspirative të nodusit të tiroides (FNA biopsy) dhe vendoset përfundimisht kur nodusi i tiroides hiqet përfundimisht me kirurgji. Pavarësisht se noduset e tiroides janë të shpeshtë, më pak se 1 në 10 janë kancer i tiroides.
Si mund të trajtohet?
Kirurgjia. Terapia primare për të gjitha llojet e Kancerit të Tiroides është kirurgjia.
Lloji i operacionit varet nga lloji i kancerit, mund të bëhet heqja e një lobi, lobektomi kur kemi kancer mirë të diferencuar ose heqja totale e tiroides (tiroidektomi totale), gjë që varet nga madhësia e tumorit, nëse tumori është i përfshirë në gjëndrën tiroide apo jo. Në qoftë se tumori është i përhapur në indet përreth dhe në nyjat limfatike rajonale, indikohet tirodektomi totale, madje indikohet edhe heqja kirurgjikale e limfonodulave të metastazuara. Pas kirurgjisë pacientët duhet të marrin trajtim zëvendësues hormonal për gjithë jetën me Levotiroxine.
Terapia me Jod Radioaktiv
Qeliza e tiroides dhe kanceri i mirë diferencuar i tiroides e absorbojnë dhe e përqendrojnë jodin radioaktiv. Kjo është arsyeja pse jodi radioaktiv përdoret për të eliminuar indin mbetës kanceroz të tiroides pas kirurgjisë, tiroidektomisë totale. Procedura e eliminimit të indit mbetës të tiroides me jod radioaktiv quhet ablacion i tiroides. Kjo procedurë jep përqendrim të madh të jodit radioaktiv në tiroide, duke shkaktuar kështu vdekje të qelizës së tiroides. Meqenëse pjesa më e madhe e indeve të organizmit nuk e absorbojnë efektivisht jodin radioaktiv gjatë procedurës së ablacionit, jodi radioaktiv nuk ka efekte në indet jashtë tiroides. Megjithatë, në pacientë që marrin doza të larta jodi radioaktiv për trajtimin e metastazave, mund të kemi dëmtim të gjëndrave të pështymës, që rezulton me tharje të gojës. Në qoftë se nevojiten doza më të larta të jodit radioaktiv, atëherë do të kemi një risk të vogël për të zhvilluar lloje të tjera kanceri me kalimin e viteve.
Rreziqet potenciale të trajtimit me jod radioaktiv minimizohen duke përdorur dozën më të vogël të mundshme.
Trajtimi i Kancerit të Avancuar të Tiroides
Kanceri i tiroides që përhapet jashtë qafës është i rrallë por mund të jetë një problem tepër serioz. Kirurgjia dhe jodi radioaktiv mbeten mënyra më e mirë e trajtimit, për sa kohë këto kanë rezultate të mira. Megjithatë, për forma më të avancuara të kancerit të tiroides ose kur terapia me jod radioaktiv nuk funksionon, atëherë kemi nevojë për mënyra të tjera trajtimi.
Terapia me rrezatim extern është një mënyrë tjetër për të ngadalësuar rritjen e tumorit, duke e fokusuar rrezatimin në zonën tumorale dhe në organet ku ai ka metastazuar. Në qoftë se tumori është përhapur më shumë, atëherë kemi nevojë për trajtim shtesë.
Agjentë të rinj kemioterapeutik që janë shfaqur janë shumë premtues në trajtimin e kancerit të avancuar të tiroides. Këto medikamente rrallë kurojnë kancerin tepër të avancuar që është përhapur në të gjithë trupin, por mund të ulin progresionin e rritjes së kancerit. Këto trajtime jepen zakonisht nga një onkolog në një qendër të specializuar rajonale apo në një qendër universitare.
Ndjekja e pacientëve me kancer të tiroides
Ndjekja periodike e të sëmurëve me kancer të tiroides është esenciale pasi mund të kemi rikthim të tij pas shumë vitesh, pavarësisht një trajtimi të suksesshëm të tij.
Kjo ndjekje përfshin një histori të kujdesshme të sëmundjes, një ekzaminim fizik të hollësishëm me një vëmendje të veçantë në rajonin e qafës. Ekoja e qafës është një mjet mjaft i rëndësishëm për zbulimin e noduseve dhe e nyjeve limfatike kanceroze që mund të na orientojnë për rikthimin e kancerit. Ekzaminimet laboratorike hormonale po ashtu janë të nevojshme për pacientët me kancer të tiroides. Shumica e pacientëve që kanë kryer një heqje totale për kancer të tiroides kanë nevojë për terapi zëvendësuese hormonale me Levothiroxine. Doza e levotiroxinës vendoset nga niveli i TSH. Në pacientët me kancer të avancuar të tiroides, TSH duhet të mbahet në nivele shumë të ulura nëpërmjet dozave të larta të Levotiroxines. Kurse në kancer me risk të ulët ose minimal, duhet të mbahet brenda normave të TSH. Pra niveli i TSH është një indikator shumë i mirë për dozën e levotiroxines dhe duhet të ndiqet periodikisht nga doktori juaj.
Një tjetër analizë e rëndësishme është niveli Tg apo Tireoglobulines, një proteinë që prodhohet normalisht nga qelizat e tiroides dhe nga qelizat kanceroze të tiroides dhe duhet të kontrollohet të paktën një herë në vit. Pas tiroidektomisë dhe Ablacionit me Jod Radiaktiv, niveli i Tg është minimal ose i padedektueshëm kur të gjitha qelizat e tiroides janë shkatërruar. Kështu një ngritje e Tg është një shqetësim serioz për një rekurencë apo rikthim te mundshëm të kancerit të tiroides.
Përveç këtyre që thamë, edhe një Whole Body Jodine SCAN për të parë nëse kemi ndonjë qelizë mbetëse të tiroides. Ky ekzaminim kryhet vetëm në pacientët me risk të lartë malinjiteti të kancerit të tiroides.
Prognoza e Kancerit të Tiroides
Para së gjithash prognoza e kancerit të diferencuar të tiroides është ekselente veçanërisht në personat më të rinj se 45 vjeç dhe ata me një kancer me madhësi të vogël të tiroides. Pacientët me kancer papilar të tiroides dhe që është i limituar në brendësi të gjëndrës tiroide, kanë një prognozë shumë të mirë. Dhjetë vjet mbijetesë për këta pacientë është 100% dhe vdekja më pas në çdo kohë është shumë e rrallë.
Për pacientët më të vjetër se 45 vjeç ose në ata me tumore më të mëdhenj dhe agresive, prognoza mbetet shumë e mirë, por risku i rikthimit të kancerit mbetet i lartë.
Prognoza mund të jetë pothuajse e mirë edhe në pacientë me kancer të avancuar dhe që nuk është hequr krejtësisht me kirurgji ose i shkatërruar nga jodi radioaktiv. Këta pacientë jetojnë gjatë, ushqehen mirë, pavarësisht se jetojnë bashkë me kancerin.
Është mjaft e rëndësishme të flitet me mjekun për profilin e kancerit tuaj dhe për prognozën e pritshme. Duhet patjetër një monitorim gjatë gjithë jetës suaj, pavarësisht një trajtimi të suksesshëm.
Sigal