Kafja, më e shëndetshme sesa ne e mendojmë

550
Personat të cilët pinë rregullisht kafe kanë enë më të shëndetshme të gjakut, sipas një studimi të shkencëtarëve të Koresë së Jugut, sipas të cilit disa filxhanë kafeje në ditë mund të ndihmojnë për ta parandaluar formimin e ngushtimit të enëve të gjakut, që është faktor rreziku për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës, trasmeton BBC.
Bazuar në analizën e incizimeve të enëve të gjakut të 25.000 punonjësve të të dyja gjinive, të cilët ishin në vizita të rregullta mjekësore, studiuesit konstatuan se ata që pinin kafe tri deri në pesë herë në ditë kishin më pak gjasa për shenjat e hershme të sëmundjeve të zemrës.
Disa studime deri më tani kanë qenë të lidhura me rrezikun e konsumit të kafesë për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës për shkak të ndikimit në rritjen e kolesterinës dhe shtypjes së gjakut, ndërsa studimet e tjera sugjerojnë se kafja siguron mbrojtje të zemrës. Tani për tani nuk ka asnjë përgjigje përfundimtare në studimin korean, rezultatet e të cilit u botuan në revistën “Heart”, një argument i ri është hedhur në debat.
Në kuadër të studimit, hulumtuesit i krahasuan incizimet e arterieve koronare ku janë grumbulluar me vite shtresat dhe ku vjen deri tek ngushtimi i tyre. Asnjë prej të anketuarve nuk kishte simptoma të sëmundjeve të zemrës, por më shumë se dhjetë për qind kishin në incizime depozita të dukshme kalciumi.
Duke i krahasuar imazhet me shprehitë e pirjes së kafesë dhe duke i marrë në konsideratë faktorët e tjerë të cilët do të mund të ndikonin në rezultatet e hulumtimit, si pirja e duhanit, nivelet e aktivitetit fizik, ose ndonjë histori familjare e sëmundjeve të zemrës, shkencëtarët konstatuan se ata që i pinë disa filxhanë kafe në ditë kanë më pak të ngjarë që të kenë depozita të kalciumit në arteriet koronare në krahasim me ata që nuk pinë kafe fare ose që pinë sasi më të vogla të kafesë në ditë.
Sigal