Infermierët/ Regjistrimi në praktikë, tani edhe pa diplomë

443
Sigal

Të gjithë infermierët,
imazheristët, logopedistët, teknikët e laboratorit, mamitë dhe fizioterapistët,
të cilët kanë përfunduar studimet, por nuk janë pajisur me diploma do kenë të
drejtë të regjistrohen në praktikën profesionale. Urdhri i Infermierëve të
Shqipërisë duket se ka ndryshuar rregullat për të gjithë kandidatët e rinj, të
cilët jo rrallë herë kanë humbur mundësinë për t’u regjistruar si pasojë e
mosdisponimit të kartonit të diplomës, ndonëse kishin kaluar të gjitha provimet
me sukses. Kjo praktikë duket se iu “kushtonte” shtrenjtë infermierëve të rinj,
të cilëve iu shtyhej në kohë kryerja e praktikës e për pasojë edhe Vlerësimi i
Aftësimit Praktik dhe Provimi i Shtetit. Ndërkohë që, moskalimi i këtij të
fundit iu kushtëzonte edhe gjetjen e një pune dhe ushtrimin e profesionit, duke
qenë se pa e kaluar atë me sukses, nuk e fitojnë këtë të drejtë. Ndërkaq, UFSH
bën me dije se për praktikën profesionale 3-mujore ka ende hapësirë për
studentët e infermierisë, mamisë dhe logopedisë. Kryerja e saj është një kusht
i domosdoshëm për provimin e praktikës, pasi në momentin e regjistrimit është i
detyrueshëm dorëzimi i librezës së praktikës me shënimet përkatëse.
Praktika
Sipas rregullores aktuale, infermierët, logopedistët, teknikët e imazherisë, teknikët
e laboratorit, fizioterapistët dhe mamitë para se t’i nënshtrohen Provimit të
Shtetit, duhet të kryejnë praktikën profesionale. Të interesuarit përveç
praktikës, i nënshtrohen edhe një testimi profesional në fund të saj, ndërkohë
që, vetëm nëse vlerësohen pozitivisht në të, kanë të drejtë të regjistrohen për
Provimin e Shtetit. Konkretisht, studenti i diplomuar në infermieri,
fizioterapi, logopedi, teknikë imazherie dhe teknikë laboratori, ditën që
regjistrohet, merr librezën e praktikës profesionale. Në këtë librezë mbahen
shënimet ditore përgjatë 12 javëve që studenti realizon praktikën, të cilat
firmosen çdo ditë nga drejtuesi i saj. Në fund, libreza e firmosur nga
drejtuesit vlerësohet me një numër pikësh të caktuara. Saktësisht, ato janë nga
10 deri në 25 pikë, të cilat i njihen kandidatit gjatë realizimit të testimit
profesional. Ai e merr librezën, dhe 10 ditë para datës së provimit, e dorëzon
atë pranë urdhrit profesional dhe regjistrohet për dhënien e testimit
profesional. Testimi profesional jepet para një komisioni të posaçëm të ngritur
nga Ministria e Shëndetësisë dhe Urdhri i Infermierëve, ku kandidatët do të
përgjigjen me gojë dhe praktikisht. Për këtë sezon Urdhri i Infermierit nuk ka
publikuar detaje të provimit të praktikës profesionale, çka do të thotë se ato
do të jenë të njëjta me ato të vitit të kaluar. Kështu, vjet kandidati u
përgjigjej 5 pyetjeve, të cilat ishin në programin e praktikës profesionale,
ndërsa secila vlerësohej me nga 1 deri 25 pikë. Pikët maksimale ishin 100, ndërkohë
që për ta kaluar me sukses kandidati duhej të merrte 50 pikë.