Hetem RAMADANI / Lidhja e dyanshme e trurit dhe e zemrës

3702
Sigal

Nëpërmjet trurit dhe zemrës ekziston një lidhje e ngushtë, por shumë pak e dinë se zemra ndikon në mënyrën se si i përgjigjet trurit

“Jeta e njeriut është ashtu siç e formojnë mendimet e tij”. Mark Aureli

Truri është tejet i rëndësishëm për jetën e përditshme, për ndjesinë e gjendjes së mirë dhe për shëndetin. Në dritën e fizikës kuantike mendimi është energji. Dihet tashmë se nëpërmjet trurit dhe zemrës ekziston një lidhje e ngushtë. Por shumë pak e dinë se zemra ndikon në mënyrën se si i përgjigjet trurit. Pra, ekziston një lidhje e dyanshme. Në këtë kapitull po përmend lidhjen kuantike me ndërvarësinë e fuqishme elektromagnetike.

Mendimet

Secili mendim është valë (vibrim) i energjisë kuantike me frekuenca të ndryshme. Për këtë arsye, për mendimin vlejnë ligjet e mekanikës kuantike. Si energji kuantike, (fotonet) mund të kapërcejnë nëpër dy pika pa i kryqëzuar rrugët mes tyre. Ekzistojnë njerëz, që me mendime dhe pa kontakt fizik, i lëvizin gjërat (telekineza), të tjerët mund t’i lexojnë mendimet para siç janë thënë ato (telepatia), por të gjithë duhet të mendojnë me tru, para se të lëvizin këmbët. Në fakt, mendimi është ajo energji që i aktivizon qelizat motorike në koren e trurit në momentin kur mendojmë ta lëvizim këmbën. Qelizat e nxitura motorike pastaj i dërgojnë impulset nëpër palcën kurrizore deri te muskujt në këmbë. Po nga ka ardhur mendimi? Ku ka lindur ky mendim, kjo energji, pasi gjithçka tjetër, që nga nxitja e qelizës motorike e deri te lëvizja e këmbës, mjekësia e ka shpjeguar me kohë dhe mjaft mirë. Nuk ka shpjegim tjetër përveç se mendimi ka ardhur nga domeni virtual, nga domeni jolokal. Mendimi është i lidhur edhe me simpatinë edhe antipatinë, me tërheqjen, me rastësinë, me shëndetin dhe me sëmundjet tona. Nga mendimi varet nëse do ta përdorim energjinë kuantike për meditim, apo për të punuar bombën atomike, gjë të cilës i janë frikësuar më së shumti fizikanët me rastin e zbulimit. Mendimi është, gjithashtu, fillim i ndjenjave, i fjalës së thënë apo të shkruar, i tingullit etj. Mendimi është informacion.

Ndjenjat

Ndjenjat që kultivon njeriu janë të rëndësishme për suksesin e tij personal, për jetën familjare, por edhe për suksesin e tij financiar.

Inteligjenca emocionale

Inteligjenca emocionale është shkathtësia e njohjes dhe e menaxhimit të ndjenjave tona, të ndjenjave të njerëzve të tjerë (empatia) dhe marrëdhënieve me ta. Shpesh flasim për empatinë, ose për aftësinë e mishërimit në ndjenja të njerëzve tjerë. Thënë thjesht, empatia është aftësia për t’u futur në “lëkurën e të tjerëve”. Shprehjet inteligjencë dhe përcaktim emocional i kanë krijuar Salovey-t dhe Mayer-it (1990), ndërsa nocioni është përhapur pas botimit të librit të Goleman-it “Inteligjenca emocionale” (1995). Është filluar të flitet gjithnjë e më shumë për rëndësinë e sjelljes me ndjenja në vendin e punës, gjë që ka domethënie vendimtare për shfrytëzimin e potencialit njerëzor. Disa karakteristika gjatë punësimit të punëtorëve që janë të rëndësishme për suksesin e ndërmarrjes nuk mund t’i blejmë me para. Në këto karakteristika bëjnë pjesë, për shembull: ndjenjat pozitive, besimi, entuziazmi për punën dhe besnikëria ndaj ndërmarrjes. Dashuria dhe besnikëria ndaj ndërmarrjes mund të përfitohen vetëm me sjelljen e përshtatshme ndaj të punësuarve. Pra, me udhëheqjen e ndërmarrjes me zemër e jo me dhunë. Diçka e ngjashme vlen edhe për marrëdhëniet me partnerë, për familjen dhe për grupe të tjera.

Ndjenjat pozitive dhe negative

Kërkimet kanë treguar se, nëse njerëzit kultivojnë ndjenja pozitive, bazën e të cilave e paraqet dashuria ndaj dikujt apo ndaj diçkaje, kjo ndikon në mënyrë të pëlqyeshme në shëndetin, aftësitë intelektuale, risitë dhe kreativitetin tonë. Në grupin e ndjenjave pozitive bëjnë pjesë ndjenja e këndshme e dashurisë, ndjesia e të qenit fatlum, ndjenja e kënaqësisë, vetëbesimit, dhembshurisë, falënderimit, mirëkuptimit, tolerancës dhe pritjeve pozitive për suksesin. Ndjenjat pozitive bëjnë të mundur që njerëzit ta shfrytëzojmë potencialin tonë në masën maksimale. Me ndjenja pozitive, dr. Deepak Chopra, lidh ngadalësimin e procesit të plakjes me zgjatjen e jetës. Anasjelltas vlen për ndjenjat negative dhe lidhjen e ndjenjave negative me shfrytëzimin e dobët, para së gjithash të potencialeve mendore të njerëzve. Në ndjenjat negative bëjnë pjesë, për shembull: hidhërimi, frika, lakmia, armiqësia dhe dëshira për t’i bërë dikujt dëm.

Zemra “truri i vogël” inteligjent në zemër

Zemra nuk është pompë e zakonshme. Ajo ka një sistem tejet të komplikuar nervor, “trurin e vogël” që përbëhet prej afro 40 000 qelizash nervore. Qelizat nervore në zemër, sipas dr. Armour-it dhe dr. Jeffrey-t e krijojnë rrjetin e neuroneve të ndryshme, neurotransmetuesve, proteinave dhe qelizave të tjera. Zemrës i mundësojnë edhe mësimin, kujtesën, ndjenjat dhe perceptimet. Qelizat nervore sensorike i zbulojnë edhe hormonet në qarkullimin e gjakut, neurokimikatet në gjak, pulsin e zemrës dhe lartësinë e presionit, por edhe dhimbjen tek angina pektorisi dhe infarkti i zemrës. “Truri i vogël” në zemër, e informon trurin për të gjitha informacionet e perceptuara nëpërmjet nervave aferente në formë impulsesh nervore. Sinjalet aferente udhëtojnë prej zemrës drejt trurit dhe ndikojnë në sistemin nervor autonom. Në mënyrë kthyese veprojnë edhe në funksionimin e zemrës dhe të enëve të gjakut, si dhe në qendrat e larta të trurit, ku mund të ndikojnë te perceptimi, vendimet dhe te proceset e tjera konjitive, ‘’Truri i vogël” në zemër, vepron në mënyrë autonome nga truri. Zemra e izoluar është e aftë ta zmadhojë pompimin e gjakut nga 5 në 15 litra gjak në minutë pa pjesëmarrjen e trurit. Shembulli tjetër është funksionimi i zemrës së transplantuar në trupin e marrësit të organit, ndonëse lidhja nervore e zemrës së re me tru është ndërprerë. Zemra vepron edhe për shkak të sistemit të vet nervor intrinzik.

Lidhja mes mendimit dhe ndjenjave

Sistemi konjitiv (mendimet) dhe sistemi i ndjenjave në tru mund të veprojnë në mënyrë të ndarë. Ndonëse funksionimi i tyre medoemos është i lidhur ndërmjet vetes. Lidhja e qendrave emocionale me qendra konjitive është më e fuqishme se në drejtim të kundërt. Ky fakt shpjegon pse fuqia e ndjenjave është më e rëndësishme se vetë mendimet. Ndjenja e përjetuar një herë, bëhet motivues i fuqishëm i aktiviteteve dhe sjelljeve të ardhshme. Ndjenjat kanë ndikim të madh edhe në aktivitetet konjitive. Për atë arsye, përmes mbisundimit të ndjenjave, ndikojmë më së lehti në mostrat dhe proceset mendore. Hulumtimet e institutit nga Kalifornia, të përmendur më sipër, kanë treguar se çelësi për integrimin e suksesshëm të mendimeve dhe ndjenjave, qëndron në rritjen e koherencës së të dy sistemeve. Sa më të akorduara të jenë ndjenjat dhe mendja në momentin e caktuar, aq më të mira janë aftësitë pamore dhe dëgjimore, koha e reagimit, qartësia mendore, ndjenjat dhe vetëdija.

Pjesë nga libri “Shëndeti dhe suksesi nëpërmjet meditimit”