Gastriti, dhimbja që nuk duhet neglizhuar

988
Është sëmundje kronike, që ka të bëjë me pezmatimin e cipës së brendshme të stomakut.
Ndryshe gastriti njihet edhe si inflamacion i stomakut, i cili është më tepër i përhapur tek përdoruesit e rregullt të alkoolit dhe duhanit. Shenjat dalluese të sëmundjes janë dhembje(djegie) në stomak poshtë brinjëve dhe mund të arrijë deri tek fyti.
Gastriti është inflamacioni i mukozës së stomakut pra i shtresës që mbulon stomakun nga brenda dhe kontakton me ushqimet.
Kjo është një sëmundje që prek shpesh sidomos të moshuarit. Sëmundja më shpesh vihet re në formën kronike.
Gastriti në krahasim me ulcerën ka një dëmtim më sipërfaqësor, por edhe mund të depërtojë më thellë në shtresat e qelizave të stomakut.
Më së shumti formohet prej një infeksioni bakterial dhe kjo bën që me një kurë të mirë antibiotikësh të kurohet.
Megjithëse shihet shpesh në të shumtën e rasteve kalon një kohë të gjatë pa dhënë shenja:
Shkaktarët
Shkaku më kryesor i gastritit është një infeksion kronik i shkaktuar nga bakteria Helikobakter Pylori.Kjo është një bakterie shumë e përhapur në të gjithë botën. Së dyti mënyra dhe lloji i ngrënies ndikojnë në formimin e gastritit. Ushqimi i keq dhe alkooli dëmtojnë mukozën e stomakut.
Gjithashtu, përdorimi i duhanit rrit aciditetin e stomakut duke stimuluar nervin e stomakut. Stresi është një faktor tjetër për gastritin.
Pra çdo gjë që bëhet shkak për rritjen e aciditetit të stomakut mund të shkaktojë edhe gastrit.
Ka edhe disa ilaçe që mund të shkaktojnë gastrit mes tyre aspirina apo ilaçet qetësues që përdoren kundër dhimbjeve të ndryshme apo në sëmundjet reumatizmale. Por jo paracetamoli.
Gjithashtu edhe gjatë sëmundjeve të ndryshme si insuficenca e veshkave apo e mëlçisë mund të formohet gastrit.
Simptomat
Gastriti ndahet në akut dhe kronik. Gastriti kronik zakonisht ose nuk jep shenja ose shenjat e tij janë sipërfaqësore. Inflamacioni në stomak ka zgjatur për një kohë të gjatë.
Mund të japi të vjella, dhimbje në pjesën e sipërme të barkut, përzierje të stomakut, gogësimë, pakësim të oreksit dhe fryrje të stomakut.
Gastriti akut shkakton djegie në stomak dhe dhimbje. Kur i sëmuri është i pangrënë dhimbjet rriten.
Përzierje të stomakut dhe të vjellat edhe këtu shfaqen. Ilaçet për të cilat folëm më lart apo alkooli mund të shkaktojnë plagë në stomak dhe kjo bën që të ketë hemorragji.
Gjaku i përzier me aciditetin e stomakut mund të shfaqet me ngjyrë të errët gjatë të vjellës. Gjithashtu edhe feçesi mund të marri një ngjyrë të errët nëse ka hemorragji.
Diagnoza
Duhet të shkoni tek një mjek gastroenterolog. Edhe vetëm fjalët dhe ankesa e të sëmurit madje mund të mjaftojnë për diagnostikim. Sidomos tek të rinjtë me anë të ilaçeve mundohet të ulet aciditeti i stomakut.
Tek ata më të rriturit (40 vjeç) duhet bërë diagnostikimi me anë të endoskopisë (sondës). Nëse nevojitet duhet marrë edhe kampion prej mukozës së pacientit. Sonda është e lehtë për t’u kryer dhe pacienti nuk ndjen dhimbje.
Me anë të kamerës doktori sheh brendësinë e stomakut. Së pari, gastriti është një sëmundje që duhet kuruar patjetër. Nëse ndër shkaktarët e tij nuk është infeksioni bakterial ilaçet për uljen e aciditetit apo për mos formimin e tij do të mjaftojnë. Këto ilaçe shoqërohen edhe me dietë.
Nëse pini cigare apo alkool duhet t’i lini. I sëmuri nuk duhet të përdorë aspirinë apo ilaçe qetësuese pa rekomandimin e doktorit. Paracetamoli nuk bën dëm. Nëse shkaktari është bakteria Helikobakter Pylori atëherë kura me antibiotikë është i domosdoshëm.
Gastriti kronik
Është dy llojesh: fundal dhe antral (ose tipi A dhe tipi B). Tipi A (fundal) është autoimun dhe shoqërohet me procese të tjera autoimune si anemia pernicioze, tiroiditi, etj.
Tipi B (antral) shkaktohet nga Helicobacter pylori, nga antiinflamatorët josteroidë (NSAIDs), nnga CMV, HSV, etj. Antiinflamatorët josteroidë (NSAIDs) janë shkaku numër një i gastritit kronik (antral).
Shenjat dhe simptomat janë: zakonisht s’ka simptoma, mund të ketë dhimbje, pështjellim e të vjella, anoreksi, hemorragji, hematemezë.
Ulcerat gastrike
Helicobacter pylori gjendet në 70 për qind të ulcerave gastrike. Afërsisht 10 për qind e ulcerave gastrike janë malinje (domethënë tumor që ka pësuar ulcerë).
Ndryshe nga ulcerat duodenale, ulcerat gastrike shkaktohen jo nga sekretimi i tepërt i acidit, por nga pakësimi i mjeteve mbrojtëse të mukozës gastrike; sekretimi i acidit në ulcerat gastrike është normal ose i ulur.
Shenjat/simptomat: Dhimbje rënduese ose djegëse në epigastër; dhimbja keqësohet nga ushqimi; nëse ulcera arrin ndonjë arterie mund të shihet hemoragji/hematemezë dhe shenja të peritonitit.
Këshilla
* Mos përdorni ushqimet e ngrira dhe ato me yndyrë
* Nuk duhet të përdorni ushqime që përmbajnë shumë sheqer
* Pasdite dhe në darkë duhet të hani sa më pak
* Këshillohet që në mëngjes të konsumoni karbohidrate në mënyrë që ushqimi të tretet sa më ngadalë dhe ju të mos ndieni uri gjatë ditës
* Hurmat, këshillohen për pacientët me ulcerë, ato janë një burim i shkëlqyer i sheqerit, fibrave, karbohidrateve, kaliumit dhe magnezit
* Pacientët duhet të përdorin edhe bajame, të cilat nga ana e tyre janë të pasura në proteina dhe fibra si dhe përmbajnë shumë pak yndyra
* Bananet janë një fryt shumë qetësues për stomakun, pasi ato janë të pasura me kalium, magnez dhe karbohidrate
Sigal