Festat mbaruan. Po me peshën si t’ia bëjmë tani?!

910
Përgatiti për botim Dr. Laura Peri
Festat e fundvitit janë një nga arsyet kryesore qe ne shtojmë në peshë. Thjesht mendojeni: bakllavaja, kadaifi, salca e kosit, sallata ruse, çokollatat e ngrohtë apo sa ushqime të tjera plot me kalori që I shtohen listës së ushqimeve thuajse të përditshme. Të gjitha këto kalori të marra, në një periudhe me shumë pak aktivitet fizik bëjnë që , dashur pa dashur të kemi shtim në peshë të pjesës më të madhe të njerëzve. Sipas studimeve, marrim të paktën një deri në tre kile më shumë gjatë periudhës midis Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Ndaj edhe menduam që informacionin e parë mjekësor të këtij viti ta përgatisnim në lidhje me dietën apo këshilla në përgjithësi lidhur me mënyrat si të humbasim peshë apo “reduktojmë efektin pushime dimërore’’ në mënyrë sa më të efektshme. Në fakt, pyetja më e shpeshtë që vjen nga lexuesit tanë është : Pas këtyre festave, është më mire të nisim dietën apo të rrimë pa ngrënë në mënyrë që kaloritë të “zhduken’’? Përgjigja është :-Absolutisht është e pakëshillueshme të rrish pa ngrënë!! Nutricionistët gjithnjë kanë theksuar që është shumë e pashëndetshme të alternosh periudha te një ushqyerje të madhe(si në rastin e pushimeve dimërore) me periudha pangrenësie të menjëhershme, pasi kjo mund të sjellë humbjen e shumë pak kileve por shton nivelin e stresit dhe lodhjes fizike. Për më tepër, të gjitha dietat për humbje peshe, si dieta low carb, dieta e Ph, dieta e grupit të gjakut, janë standarde dhe nuk përfaqësojnë kërkesat specifike të mirëqenies së secilit prej nesh. Nëse dëshironi ti nënshtroheni dietës pasi gjatë pushimeve keni fituar shumë kile ( më shumë se 4 kg), ne ju rekomandojmë mos ta bëni një dietë çfarëdo që ju këshillojnë miqtë apo lexoni në internet, pasi kërkesat specifike të organizmit bëjnë që shumë shpesh të gaboheni. Në këto raste është mirë t’i drejtoheni nutricionistit apo dietologut. Gjithsesi, në rast se kilogramët e fituara gjatë festave janë 2 deri ne 4 , mendojmë se me disa këshilla praktike, ju mund të riktheheni në formë për një kohë relativisht të shkurtër.
Nutricionistët më të mirë këshillojnë : 
1-Të pini sa më shumë ujë. Kjo sepse shpesh herë etja dhe uria ngatërrohen dhe kur pi shumë ujë ndihesh plot dhe reduktohet ndjenja e urisë.
2- Çajrat e përgatitur janë shumë të mira, kryesisht këshillohet t’i pini sapo të zgjoheni në mëngjes. Çaji jeshil, çaji i xhinxherit (përftohet nga zierja e xhinxherit të freskët), çaji me finok (çaji me finok është shumë i mirë edhe për dhimbjet e barkut dhe problemet e tretjes), ujë I vakët me lëng limoni të freskët do ju ndihmojnë të largoni toksinat e akumuluara nga trupi. Një çaj shumë efikas që ne ju këshillojmë është : 30 gram finok, 30 gram karçof, 10 gram mente (nëse ju gjendet shtoni edhe 30 gram luleshurdha) te cilat I ziejmë për pak minuta në një litër ujë. Përzierja është e mrekullueshme dhe ka një sërë efektesh pozitive për shëndetin tuaj, duke ju ndihmuar jo vetëm me dietën, por edhe me veti te tjera .

3- Përdorni perime pa hesap. Brokoli është mbreti i tavolinës për shkak të përmbajtjes së substancave të afta për të aktivizuar procesin e detoksifikimit të trupit. Gjithsesi çdo lloj perime e zierë (ose e përgatitur në avull) është super e këshillueshme për detoksifikim. Karçofi dhe limoni janë gjithashtu shumë të mirë e të këshillueshëm. Mos harroni rrepën e kuqe, të gatuar në avull apo të zierë. Rrepa është ideale sepse është një antioksidante e shkëlqyer dhe ndihmon në qarkullimin e gjakut. Mund ta shtoni në sallatën e drekës apo në supën e vaktit të darkës (Beni supë me rrepa).

4- Zgjidhni supat. Përveçse janë shumë të mira për sistemin tretës supat janë të mira edhe detoksifikimin e organizmit. Ne ju këshillojmë supën detoksifikuese me spinaq dhe xhinxher. Mund ta përgatisni fare lehtë me gjysmë qepë të kuqe, 250 ml spinaq, gjysmë rrënje xhinxher i freskët, një limon dhe 100 gram rikota e freskët. Pasi të gatuajmë për pak qepën dhe spinaqin(me pak vaj ulliri) shtojmë pak ujë dhe me anë të frulatorit I japim formë kremoze e homogjene, I shtojmë më pas xhixhnerin e grimcuar dhe lëkurën e limonit të grirë. Sipas dëshirës shtojmë rikotën. Kjo supë, jo vetëm është shumë e shijshme por ka dhe efekte të mrekullueshme në trupin tonë.

5- Sallatat dhe rëndësia e tyre. Sallatat janë një zgjidhje ideale jo vetëm për të humbur kilet e tepërta, por nëse zgjidhni përbërësit e duhur mund të ushqeni në mënyrë të shëndetshme e njëherazi të pastroni organizmin nga toksinat. Sallata me rukola, avokado dhe portokall apo ajo jeshile me shegë dhe mollë përmbajnë shumë vitamina C dhe B që kanë shumë veti antioksidantë.

6- Përgatisni pije në frulator me fruta të freskëta: Kombinimet më të mira janë:
-një mollë,dy portokall dhe kos i skremuar me pak fara liri.
-një mollë, një portokall e kuqe, një banane
-një karotë, një mollë dhe një e treta e rrepës së kuqe.

7- Rëndësia e erëzave. Për një aksion të fuqishëm anti-inflamator, mund të pasuroni dietën tuaj detoksifikuese me erëza si kurkuma (shafrani i Indisë), piperi i zi dhe ai i kuq. Ideale për t’ia shtuar vajit të ullirit, favorizojnë tretjen e yndyrave dhe reduktojnë inflamacionin.

8- Reduktoni alkoolin. E dimë që e keni tepruar gjatë pushimeve. Ndaj nëse doni rezultatet eliminojeni atë të paktën derisa të riktheheni në formë.

9-Lëvizni. Gjatë pushimeve kemi ndenjur shumë ulet. Është koha të lëvizim. Merrni shkallët në vend të ashensorit, lëreni makinën dhe ecni në këmbë për të paktën 30 minuta. Kjo do t’ju ndihmojë shumë, jo vetëm për humbjen në peshë por do të ndiheni edhe më të lehtë.

Me specifikisht, duke hyrë në secilin vakt më poshtë po ju japim disa këshilla të vlefshme që ndihmojnë për të hequr kg, të depurifikosh/detoksifikosh organizmin dhe të evitosh për të shtuar kilogramë të tjerë.

MËNGJESI:
Të bësh mëngjes të bollshëm për të mos pasur nevojën e ndonjë snak/zemër jashtë vaktit. Një tas me musli integrale (pa sheqer të shtuar) dhe qumësht vegjetal si qumësht orizi, qumësht soje, qumësht bajamesh(-I gjeni në supermarket) të cilat ju garantojnë energjinë e nevojshme për të arritur në vaktin e drekës pa humbje të sheqerit. Për ata që pëlqejnë frutat, mund të shtoni tek musli fruta të freskëta të prera në copëza: molle, banane, kivi, ose fruta të thata: bajame, rrush të thatë, lajthi, fik I thatë. Alternativa tjetër vjen për një mëngjes për ata që nuk duan të heqin dorë nga karbohidratet. Mund të konsumojnë : feta buke integrale, ose bukë e thekur integrale me reçel bio.

DREKA
Për të qëndruar në formë, nuk është një zgjidhje e mençur të lësh pa ngrënë vaktin e drekës. Mjafton të evitosh karbohidratet dhe proteinat. Zgjidhni pjata të thjeshta, me pak karbohidrate dhe më të thjeshta për t’u tretur: një rizoto( jo me shumë se 80 gramë) ose një makarona me perime ( o më shumë se 80-90 gramë). Mos harroni të përfshini sa më shumë perimet e stinës si patate e bishtajore. Mund ta sheqeroni me sallata rukole apo jeshile (në to mund të shtoni avokado e shege për një efekt më të fuqishëm antioksidant) Për personat jo vegjetariane, përzgjidhni mishin e bardhë si ai i gjelit dhe i qengjit që kanë më pak kalori dhe më pak yndyrë.

DARKA
Këshilla e parë për vaktin e darkës është mos ta hani vonë! Për të favorizuar procesin e tretjes, sugjerojmë ta hani darkën përpara orës 20.00. Këshillojmë supat, si supa me perime, me bishtaja(fasule, bishtaja, thierza) . Siç e shihni, sekreti nuk është tek mosngrënia, por tek ngrënia me cilësi dhe disiplinë! Urojmë të ktheheni në formë sa më shpejt të jetë e mundur!
Sigal