Epidemia e gripit, Beqaj paralajmëron më të keqen: Spitalet, në gatishmëri

508
Sigal

Virusi i gripit që
qarkullon në vendin tonë është ai AH3N2, i cili ka disa vite që nuk kishte
prekur Shqipërinë, ndaj dhe popullata është fare e pambrojtur nga ana
imunitare, çka sipas mjekëve infeksionistë shpjegon përhapjen e menjëhershme të
tij.

“Jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Europën që në javën e parë të dhjetorit u
vu re një tendencë rritëse goxha e shpejtë. Aktualisht jemi mbi pragun e
epidemisë, por nuk kemi të dhëna që të mund të ngremë alarme, sepse nuk ka
arritur intensitetin e madh siç ishte para dy vjetësh. Ndërkohë, qendrat
shëndetësore të Tiranës, që prej datës 20 dhjetor punojnë edhe ditë të djelë”,
deklaron ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. 

Poliklinika e spitale shënojnë fluks të madh pacientësh, por mbingarkesë ka në
shërbimet e urgjencave, si në ato pediatrike ashtu edhe në Spitalin Infektiv. 

“Llogariten rreth 850 raste çdo ditë, kryesisht të sëmurë kronikë me probleme
kardiake, polmonare, tek veshkat dhe imuniteti. Tek këta persona, gripi nga një
formë e zakonshme mund të kthehet në forma që sjellin probleme të rënda si
vështirësi polmonare, në frymëmarrje, apo mbivendosje të infeksioneve
bakteriale”, thotë Arjan Harxhi, shef i Departamentit të sëmundjeve infektive. 

Mjekët i bëjnë thrrije qytetarëve që të bëjnë kujdes që në shafqjen e
simptomave dhe që të kërkojnë ndihmën e mjekut të familjes pasi fluksi është i
papërballueshëm. 

“Urgjenca e spitalit, qoftë QSUT, pediatria, apo tek të rriturit duhet të
menaxhojnë rastet urgjente. Por njerëzit kanë tendencën të paraqiten për çdo
lloj simptomatologjie”, thotë Harxhi. 

Ndërkohë, në 10 qendrat shëndetësore të Tiranës, vetëm në një dite kryhen rreth
570 vizita. Harxhi theskon se duhet vënë në zbatim plani i epidemive dhe
pandemive për shtim të personelit mjekësor. 

“Ekzistojnë mundësitë që të shtohet personeli, sidomos në orët e pikut, të
shtohet numri i shtretërve dhe për të rritur gamën e preparateve, si atyre
antivirale edhe antibakteriale”, shton Harxhi.