Dr. Selman Lirza: Rrezik infeksioni, pishinat të klorifikohen dhe shezlonget të dezinfektohen

1559
Sigal

Intervistë/ Dr. Selman Lirza, dermatolog tek “Specialitetet 3” flet për infeksionet e lëkurës që ndeshen më shumë në stinën e verës

Me ardhjen e stinës së nxehtë të verës, rritet dhe rreziku i infeksioneve të lëkurës, kjo dhe për shkak të temperaturave të larta. “Infeksionet më të përhapura të lëkurës në këtë periudhë janë: dermatitet alergjike, pyodermite, bakteriale dhe ato mykotiket” shprehet Dr. Selman Lirza, dermatolog tek “Specialitetet 3”, në një intervistë për gazetën “Telegraf”. Sipas Lirzës, këto infeksione i favorizon stina, ndotja dhe mungesa e higjienës personale. Rreziku më i madh për marrjen e këtyre infeksioneve është sidomos nëpër pishina. Bizneset të tilla duhet të marrin masa për “normat higjeno-sanitare që duhen respektuar, që te tualeti, te shezllonet, te peshqirat duke përfunduar pastaj te uji. Uji i pishinës duhet të dezinfektohet, klorifikohet me dozat e duhura, me masën e caktuar, jo kot në tym, absolutisht jo” shprehet Dr.Lirza.

Çfarë mund të themi për problemet apo infeksionet e lëkurës të cilat janë më të shpeshta në periudhën e verës?

Kryesisht tani më të përhapura janë dermatitet alergjike, dermatitet e kontaktit, dermatite që shfaqen si rezultat i ndotjes së ambientit duke filluar nga pluhurat të pranishme pasi ndotja e ajrit është më e madhe, nga pemët, nga gjelbërimi, lulet, bari, pra çfarë është jeshillëk,por kryesorja është ndotja e ambientit në përgjithësi, por i favorizon edhe djersa, temperaturat e larta këtë punë bëjnë. Nuk mund të përjashtohen si moshat e vogla, ashtu dhe të rriturit. Kryesisht shfaqen elemente në pjesë të zbuluara: dekolterat, krahët, këmbët, fytyrë. Ndërkohë nëse s’mjekohen 2-3 ditët e para, këto elemente kur dalin në sipërfaqe ose në fytyrë, pastaj përhapen dhe në pjesët e mbuluara, pra nga lokale, që bien në kontakt me ambientin, prandaj themi që janë dermatite kontakti, në kohë vonese mjekim, shfaqen në përgjithësi  dhe në formë të gjeneralizuar. Në përgjithësi ne na vijnë jo në formë të gjeneralizuar, sepse tani qytetarët janë më të ndërgjegjësuar dhe kërkojnë ndihmë, ose dhe i bijnë shkurt shkojnë vetë në farmaci, ose vijnë dhe tek ne. Rrallë ka, ndonjë 30 %, që gati-gati dhe janë mbushur me elemente.

Si shfaqen si elemente?

Me një eritemë, me një skuqje, me një papul, me vezikul që kanë përmbajtje uji, pastaj faza tjetër me kruste, që mund të infektohet dhe kur infektohet pastaj, marrin trajtën e një pyodermie dhe po u shfaqën në pyodermi, ato bëhen me pus me qelb, nga vezikul me ujë, bëhet me pus, infektohet, ikin ndjenjat e kruarjes dhe kthehet në dhimbje, ngrihet temperatura dhe kalojmë në shkallë të tjera. Këto janë raste të rralla dhe zakonisht na vijnë nga zonat e thella rurale, me këto raste të infeksioneve bakteriale. Si shfaqen infeksionet bakteriale, kemi dhe ato mykotiket, sidomos në ekstremitete, sidomos në këmbë nga djersitja, këpuca, por edhe në dorë ose te fëmijët e vegjël, nga një dermatit i thjeshtë kontakti që mund të bëhet në pelenë, një nënë që nuk është aq e kujdesshme, nëse fëmija nuk kurohet për një kohë 10 ditore, për një dermatit kontakti të thjeshtë merr infeksione mykotike, mbivendos, dhe mjekimi zgjat pak më tepër në këtë situatë në të cilët ndodhet fëmija. Infeksionet mykotike, në shumë raste, vijnë me këto pullat në trup, jo se s’i kanë patur më parë pacientët, i kanë patur, por ngaqë zbulohen, duken më shumë, dhe vijnë më shpejt në këtë periudhë, i nxjerr dhe dielli në pah, sepse rrezet e diellit kur bien në këto vatra, i lë pa prekur dhe pastaj kontrasti bën që ato të duken, o të bardha, o rozë, o kafe, prandaj quhet versikolor. Pra këto janë dhe rastet që ofrohen më shpesh, kryesisht moshat 20 e lart, domethënë mbi moshën e fëmijërisë. Infeksionet virusale, pastaj, janë më pak të pranishme. Kryesisht këto ka dermatologjia tani:dermatitet alergjike, pyodermite, bakteriale dhe ato mykotiket. Që janë të pranishme se i favorizon dhe stina, ndotja dhe mungesa e higjienës personale. Prandaj  dhe infeksionet e lëkurës mbivendosen dhe hapin probleme.

Tani është dhe stina e plazhit

Njerëzit kur shkojnë në plazh duhet të kenë kujdes sidomos ujin, kur futen të lahen, nëse është i pastër apo jo. Pasi në det ekziston dhe rreziku i derdhjeve të ujrave të zeza. Gjithashtu edhe shezlonget duhet të jenë të pastruara, të pastra, të dezinfektuara, sepse mund të merret myku dhe sigurisht mund të marren dhe infeksione të njerëzve që kanë qenë më parë aty. Kur futesh në det, mirë është të fshihesh me peshqir, mos të lesh lëkurën e lagur, pasi lagështira e favorizon një mykozë. Është dhe rreziku i dermatiteve alergjike. Shkak për këtë është rëra që duhet të jetë e pastër dhe jo me pluhur, pasi ai është dhe shkaku kryesor i alergjive, pra të jetë rëra e pastër dhe jo e përzier me dhe. Ndaj e preferojnë më shumë detin Jon se Adriatik, sepse këtu rëra është e ndotur dhe nëse shikon, apo të duket si e pastër nga ana e jashtme, ajo në përbërjen e saj ka edhe dhe. Prandaj duhet të kenë kujdes. Sidomos më problematikë ndaj këtyre problemeve shfaqen fëmijët, pasi dhe lëkura e tyre është më delikate, më e pambrojtur. Fëmijët është mirë që kur dalin nga deti t’i shpëlash dhe mos t’i lësh me atë ujë.

Ndërkohë besoj se kripa i parandalon pak problemet e infeksioneve të lëkurës?

Edhe jodi, dhe kripa, po shyqyr që janë këto elemente që e zbusin pak problemin, me gjithë këto ndotje dhe rreziqe që i kanosen qytetarëve për sa i përket infeksioneve të lëkurës në plazhet tona.

Si duhet të mbrohen qytetarët nga rrezet përvëluese të diellit?

Një proces i rëndësishëm është dhe mbrojtja nga rrezet e diellit. Kremrat e mbrojtjes kundër diellit duhet të përdoren sipas tipit, sipas yndyrshmërisë së lëkurës dhe sipas faktorëve mbrojtës, që janë zakonisht nga 10-15 deri në 50%. Koha e ekspozimit në diell është shumë e rëndësishme. Qytetarët nuk duhet të ekspozohen në kohën kur është piku i vapës, pra në mesditë, por paradite dhe pasdite. Sidomos ditët e para duhet të ruhesh shumë, se dhe duke ndenjur në çadër, rreth 40 % e rrezeve të diellit, përthithen nga lëkura. Pra sidomos tipat e bardhë ka mundësi të digjen dhe poshtë çadrës, prandaj duhet të lyhen me kremrat mbrojtës.

PISHINAT DHE RREZIKU NGA INFEKSIONET

Pishina ka kudo, ka shumë, sidomos në Tiranë. Ka disa norma higjeno-sanitare që duhen respektuar, që te tualeti, te shezlonget, te peshqirat duke përfunduar pastaj te uji. Uji i pishinës duhet të dezinfektohet, klorifikohet me dozat e duhura, me masën e caktuar, jo kot në tym, absolutisht jo. Duhet doza e duhur në sasinë e ujit që ka pishina. Kjo dozë klori, duhet të marrë parasysh edhe sipas moshës, sepse fëmijët duan një sasi më të vogël të dozës së klorit, pasi janë shumë të ndjeshëm ndaj këtij elementi kimik.

Kontaminimi, ku është më i rrezikshëm

Mund të jetë një përqindje e vogël, nëse gjithmonë zbatohen parametrat për klorifikimin e ujit. Mundësia më e madhe është te shezllonet, pasi dhe rreziku për kontaminim është më i madh, se dhe kontakti është i drejtpërdrejtë. E mira do të ishte që të gjithë personat që futen në pishina të kontrollohen, por kjo duket pak e vështirë për realitetin ku jetojmë, pasi edhe bizneset që kanë hapur pishinat janë më të interesuar te fitimi, se te cilësia e produktit që ofrojnë.

Prania e mjekut

Unë nuk e di nëse kanë, por të paktën një mjek i përgjithshëm duhet të jetë prezent, qoftë edhe për të dhënë ndihmën e parë, pasi mund të ndodhë ndonjë aksident apo rast urgjence, sepse çfarë nuk mund të ndodhë. Një biznes i tillë që ka një pishinë që frekuentohet dhe që ka fitime nga kjo punë, mirë do bëjë që të investojë në këtë drejtim, se edhe fitimet do të jenë më të mëdha.